Dhuna dhe terrori i udhëheqjes komuniste maqedonase vazhdoi edhe në fillim të vitit 1945. Më 14 janar të atij viti, Gjyqi ushtarak i qarkut ushtarak të Shkupit, dënoi më vdekje pushkatim 19 veprimtarë të shquar shqiptar nga Fushëgropa e Kumanovës: Ramadan Qazim Azizi nga fshati Mateç, Asan Zeqir Azizi nga fshati Mateç, Sadik Ramiz Jakupi nga fshati Mateç, Bexhet Musli Dalipi nga fshati Mateç, Jusuf Ismail Neziri nga fshati Mateç, Abdulla Ebip Abdullahu, apo siç njihej në opinion Mulla Dulla i Hotlës, Osman Selim Hiseni nga fshati Mateç, Shaip Rexhep Memeti nga fshati Vaksincë…
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Ashtu siç edhe pritej, posa u vendosën brigadat partizane shqiptare, njësitë ushtarake komuniste jugosllave ndërmorën një aksion të tmerrshëm kundër popullsisë shqiptare, që nga Struga e deri në Kumanovë, me ç’rastë vranë dhe masakruan qindra shqiptarë të pafajshëm, mira të tjerë arrestuan duke i vendosur nëpër kampet e përqendrimit, nëpër kazermat ushtarake e lokalitete tjera, siç ishin: Monopoli i Duhanit në Tetovë, kazermat ushtarake në Kërçovë e Gostivar, pastaj shkollat në Saraqinë e Grupçin, kampet e përqendrimit në Vaksincë e Preshevë etj.. Veprimet e tilla kryheshin me urdhër të udhëheqjes së lartë politike e ushtarake maqedonase.
Krimet dhe masakrat partizane ndaj popullsisë civile shqiptare e shtynë nënkryetarin e Frontit Popullor të Republikës Federale të Maqedonisë, Hasan Shukriun të reagoj, i cili në mbledhjen që u mbajt më 7 dhjetor 1944, vuri në dukje për disa ngjarje të pakëndshme dhe arbitrare nga ana e forcave partizane, ndaj popullsisë shqiptare, ku ndër të tjerash tha: “në fshatin Sopot të Kumanovës janë vrarë 66 fshatarë, edhe pse ky fshat nga e kaluara u ka ndihmuar partizanëve, në fshatin Malishevë janë vrarë 42 persona, në fshatin Izvor 40 vetë, fshatin Vaksincë 16 veta. Në Tetovë janë burgosur 5000 vetë prej të cilëve 17 vetë kanë vdekur nga uria…”.
Duhet të vëmë në dukje faktin se shqiptarëve jo vetëm se u shpallën si pakicë, por madje atyre ju morën edhe disa të drejta të pakta qytetare e kombëtare, që ju ishin garantuar me vendimet e KAÇKM-së, siç ishin: përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, pjesëmarrja proporcionale në këshillat popullor, përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfshirja e barabartë e shqiptarëve në administratën e komunave ku ata jetonin etj. Mosdhënien e këtyre të drejtave, autoritetet komuniste të Shkupit, e arsyetonin gjoja nga “pakënaqësia e popullsisë maqedonase në viset perëndimore të Maqedonisë”, e cila siç vihej në pah: “qe dyfish e robëruar gjatë okupacionit shqiptar”, andaj ajo: “me një rezervë të madhe i pranon këto ndryshime dhe ndihet si e distancuar.”. Ky rezervim i popullsisë maqedonase, sipas anëtarit të KAÇKM-së, Jordan Ballazheski, ishte për shkak se: “nëpër objektet shtetërore krahas flamurit shtetëror qëndrojnë edhe flamujt shqiptarë; shqiptarët në mënyrë të barabartë marrin pjesë gjatë zgjedhjeve të këshillave nacionalçlirimtare, qofshin të qyteteve apo të fshatrave; ata e parashtrojnë çështjen që në plenum dhe nëpër këshillat ekzekutive të kenë më shumë përfaqësues të tyre; e shtrojnë çështjen edhe të vetë administratës, e cila duhet të udhëhiqet paralel me administratën tonë (maqedonase- Q. L.), prandaj kërkojnë edhe numër të njëjtë të nëpunësve në administratë; nëpër institucionet shtetërore në detyrë kanë ngelë të gjithë nëpunësit shqiptar të regjimit të kaluar të cilët kanë ardh nga Shqipëria e vjetër..etj”. Në vazhdim Bllazheski, kërkonte ndërprerjen e menjëhershme të politikës sipas tij “shqiptaro madhe”, e cila mund të arrihej nëse nga ana e Presidiumit të KAÇKM-së, do të ndërmerreshin masat si vijojnë: “të shkarkohen nëpunësit shqiptar të cilët kanë ardh nga Tirana; që turqve t’u jepen më shumë poste dhe të drejta, të cilët tash për tash nuk mund të vijnë në shprehje nga shqiptaro- mëdhenjtë; dhe, njëkohësisht të drejtat dhe obligimet të jepen, jo sipas numrit të popullsisë, por sipas pjesëmarrjes në luftën nacionalçlirimtare.”.
Dhuna dhe terrori i udhëheqjes komuniste maqedonase vazhdoi edhe në fillim të vitit 1945. Më 14 janar të atij viti, Gjyqi ushtarak i qarkut ushtarak të Shkupit, dënoi më vdekje pushkatim 19 veprimtarë të shquar shqiptar nga Fushëgropa e Kumanovës: Ramadan Qazim Azizi nga fshati Mateç, Asan Zeqir Azizi nga fshati Mateç, Sadik Ramiz Jakupi nga fshati Mateç, Bexhet Musli Dalipi nga fshati Mateç, Jusuf Ismail Neziri nga fshati Mateç, Abdulla Ebip Abdullahu, apo siç njihej në opinion Mulla Dulla i Hotlës, Osman Selim Hiseni nga fshati Mateç, Shaip Rexhep Memeti nga fshati Vaksincë, Jusuf Xhemail Imeri nga fshati Vaksincë, Ahmet Beqir Abdullahu nga fshati Llopat, Hajri Islam Sadiku nga fshati Vishticë, Musa Hasan Eshtrefi nga fshati Mateç, Jusuf Zyber Nuredini nga fshati Mateç, Jashar Feta Jashari nga fshati Mateç, Bajram Idriz Beqiri nga fshati Mateç, Halit Abdulla Shabani nga fshati Mateç, Raim Beqir Fazliu nga fshati Mateç, Halit Shukri Hebibi nga fshati Likovë dhe Osman Hiseni nga fshati Mateç.
Një ditë pas këtij vendimi, përkatësisht, më 15-16 janar 1945, në Shkup u mbajt Konferenca e rinisë komuniste ballkanike, në të cilën, Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike e K.Q. të PKSH-së, fjalimin e saj do ta ketë në frymën e vëllazërim-bashkimit, pa asnjë fjalë kritike ndaj sjelljeve të ushtrisë jugosllave ndaj popullit shqiptar., duke u shprehur me fjalët: “Vëllazërimin tonë me rininë jugosllave e kemi forcuar në luftën për Dibrën dhe në luftërat e territoreve të tjera të Jugosllavisë. Ne kemi bërë kumarti në burgjet, për kundër provokimeve të shumta, për të na detyruar të luftojmë kundër njëri-tjetrit, ta ngrejmë ushtrisë tonë nacionalçlirimtare kudër ushtrisë nacionalçlirimtare të Marshalit Tito. Edhe përkundër të gjitha atyre përpjekjeve ne nuk qëndruam kundër njëri-tjetrit, simpatia-dashuria e rinisë shqiptare ndaj rinisë jugosllave sot është shumë e madhe”. Ngjashëm si Belishova, shprehet edhe kryetari i Lidhjes së Rinisë komuniste jugosllave, Sllavko Komar, i cili ndër të tjerave tha: “Së bashku me heronjtë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, së bashku me djemtë e popullit të vogël por heroik ne fuqishëm sulmuam si kundër okupatorit gjerman po ashtu edhe kundër ballistëve – shqiptaro-mëdhenj. Me luftimet e përbashkëta si në Dibër po ashtu edhe në Kërçovë ne e përziem gjakun tonë dhe eshtrat tonë dhe futëm themelet e betonuara. Përgjithmonë i shkelëm të gjitha mashtrimet e intrigat e urrejtjes që i bënin armiqtë tanë.”. Në vazhdim Komar shprehu habinë e tij për një “mbështetje aq të madhe të komunistëve shqiptarë” sidomos “lëvizjes rinore” duke pohuar: “mendoj se ndodhi një rast i cili është tepër i rrallë që dy popuj të cilët as për nga tradita, as për nga kultura e gjuha nuk kanë të përbashkët, që gjatë luftës tre vjet e gjysmë të krijojnë një unitet aq të fortë. Rinia shqiptare në LNÇ-ë në Shqipëri sot së bashku me rininë jugosllave i ndjekin fashistët gjerman në krahinat perëndimore të vendit tonë. Ne e shohim që ndihmën që ua ofruam po e kthejnë në mënyrë konsekuente..”.
Për dallim nga komunistët shqiptarë, inteligjenca e atëhershme shqiptare, në ato rrethana, e shihte si më se të domosdoshme themelimin e një organizate ilegale shqiptare, qëllimi final i së cilët do të ishte: “Çlirimi dhe bashkimi i tokave të robëruara shqiptare me Shqipërinë.”. Grupi nismëtar i përbërë prej Azem Maranës, Hasan Bilallit, Mahmut Dumanit, Hysni Qemal Ejupit, Qemal Qazimi, Nebi Veli Jonuzi dhe Nuredin Ibraimi, pas katër takimeve të mbajtura në shtëpitë e Hysni Qemal Ejupit dhe të Nebi Veli Jonuzit, në muajin janar të vitit 1945 formojnë “Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila ndryshe njihet me shkurtesën NDSH-ë. Programi politik I NDSH-së, përbëhej prej katër pikave:
1. Bashkimi i mbarë shqiptarëve brenda kufijve etnikë.
2. Demokraci të gjerë me të drejtën e çdo shtetasi në shprehjen e lirë të dëshirës së tij, gojarisht apo me shkrim, nëpër konferenca apo tubime.
3. Luftë kundër tradhtarëve të vendit të cilët Kosovën e kanë ndarë nga Shqipëria, e cila çfarëdolloj regjimi që të ketë, nëse është jashtë kufijve të Shqipërisë ajo është e robëruar.
4. Formën shtetërore e përcakton kombi pas çlirimit, pas çlirimit të Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.
Ky dokument, sipas asaj që deklaroi Azem Marana para organeve hetuese të UDB-së, është sjellë në mbledhjen e tretë të grupit nismëtar për themelimin e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ishte mbajtur kah fundi i muajit janar 1945 në shtëpinë e Hysniqemal Ejupit, në të cilën kanë marrë pjesë: Azem Marana, Mamut Dumani, Hasan Bilalli, Hysniqemal Ejupi, Nebi Jonuzi dhe Nuredin Ibrahimi. Gjatë debatit të zhvilluar, të pranishmit e kanë vërë në pah faktin se ndaj kombit shqiptar është bërë një padrejtësi e madhe, sepse atij i është mohuar e drejta e vetëvendosjes, që sipas oratorëve, kjo e drejtë u është garantuar të gjitha kombeve me Marrëveshjen e Atlantës dhe të Konferencës së Teheranit. Nisur nga kjo, por edhe nga sjelljet jonjerëzore të njësive partizane jugosllave, të cilat tash më disa muaj nuk zgjidhnin mjete dhe metoda për ta terrorizuar popullsinë civile shqiptare, të pranishmit njëzëri pa përjashtim e “pranuan programin e organizatës, të cilën e paraqiti Mamut Dumani dhe u zotuan se do të punojnë për realizimin e tij”.
Që ky program të realizohej sa më me sukses themeluesit e NDSH-së, ndër të tjerave kishin paraparë këto detyra: a) lidhjen sa ma të shpejtë me organizatat simotra në Kosovë dhe Shqipëri; b) propagandimi dhe zgjerimi i organizatës në trevat shqiptare të Maqedonisë; c) lidhja e organizatës me forcat e armatosura shqiptare që vepronin në këto hapësira; ç) inkuadrimi i intelektualëve dhe nacionalistëve shqiptarë në organizatë; d) inkuadrimi i anëtarëve të NDSH-së në administratën shtetërore në të gjitha nivelet sidomos në arsim, armatë dhe polici; dh) zhvillimi i një fushate në popullatën shqiptare, e cila do t’i përkushtohet arsimimit shqiptar etj. Detyrat që ia parashtruan vetvetes, kryeideologët e NDSH-së, nuk ishin të lehta, mirëpo falë angazhimit dhe vendosmërisë së tyre, shpejt do të arrihen edhe rezultatet e para. Shumë mësues, hoxhallarë, intelektual dhe nacionalistë shqiptarë u përfshinë në organizatë si: Qemal Skënderi, Spiro Harrilla Theodosi, Jonuz Balla, Abdylqerim Saiti, Jetish Vishi, Mehmet Bushi, mulla Hajdar Kurtishi, hafiz Etem Tahiri, mulla Mustafa, Nexhati Purde, Nexhmedin Besimi, Qeram Zllatku, mulla Garipi, mulla Abdulla Abdullahu, Sami Shabedini, Shaban Korrita, Elmaz Sallareva, Muharrem Bakalli – Gjilani, Xhavit Abdulla Selimi, Hamdi Sulejmani, Mefail Zajazi, Osman Cami, Medat Tërshana, Xhemal Ferra, Tefik Tanisheci, Zylbear Ajvazi, Rasim Dauti e shumë e shumë të tjerë.
Është me rëndësi të thuhet se paralelisht me themelimin e NDSH-së, me nismën e Shaip Aziz, Ali Abdyrrahmani, Fetija Sulejmanpashiq, Refik Sherif etj, në Shkup u themelua organizata turke e njohur me emrin JUXHEL. Qëllimin e themelimit të kësaj organizata, më së miri e sqaron kryetari i JUXHEL-it, Shaip Azis, i cili më 15 gusht 1947 para organeve hetuese deklaron: “Në vitin 1945 kur shqiptarët zhvilluan një fushatë të madhe që thuajse të gjithë fëmijët mysliman të shkojnë në shkollat shqipe. Si kundëreagim të kësaj, unë (Shaip Isak – Q. L.), Refik Sherif, mësuesi Sherafedin, Alija Abdyrrahman, Fetija Sulejmanpashiq, gjatë një bisede vendosëm që shqiptarëve t’ua frenojmë atë veprimtari, me atë që në çarshi do të flasim secili ai i cili veten e ndien turk, le të ngelet i tillë dhe fëmijët t’i dërgoj nëpër shkolla turke. Këtë vendosëm ta zbatojmë në mënyrë individuale, përkatësisht secili përmes miqve të vet. Si rrjedhojë e kësaj fushate u krijua një urrejtje e madhe midis nesh të cilët ndiheshim si turq dhe shqiptarëve…”. (vijon nesër)