Portugezi Nelson Oliveira, e ka bërë një gjest që pak futbollistë do të kishin guximin ta bënin. Ai ishte lënë në bankën e rezervistëve të Norwich City për ndeshjen e xhiros së parë me Fulhamin, në Championship të Anglisë, edhe pse ishte golashënuesi më i mirë i ekipit sezonin e kaluar me 12 gola, përcjellë Gazeta Metro. Portugezi u inkuadrua në lojë në minutën e 64’ët dhe dy minuta para fundit arriti të shpëtonte ekipin e tij nga humbja, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Pas golit, ai e hoqi fanellën dhe vrapoi drejt e te trajneri Daniel Farke. E ktheu fanellën nga ana ku shkruan emri i tij, dhe ia tregoi para syve trajnerit. “Oliveira tregon se dëshiron të luajë prej fillimit. Jam i lumtur me atë emocion”, tha Farke pas ndeshjes.