Rexhina Çuko është artistja e kërcimit e cila pasionin për kërcimin e ka përkthyer në profesion. Rexhina është pjesë e gazetës KOHA ku edhe këtë here vjen për të treguar arritjet në karrierë e rrëfen me dëshirën më të madhe se këtë herë ajo është certifikuar si pjesëmarrëse e Këshillit të Kërcimit për vitin 2021. Për më tej, Rexhina na tregon…
KOHA: Rexhina përshëndetje! Si e mbylle 2020 dhe si e nise 2021?
Përshëndetje! E mbylla me punë, me koncerte me fëmijë në TV dhe e hapa me punë, me koreografi të reja.
KOHA: Çfarë do të thotë për një balerinë profesioniste të ketë mungesë në skenë kaq gjatë sa në këtë kohë pandemie?
Tani kam kaluar më tepër në stadin mësuese sesa balerinë, por skena është dashuri që gjithmonë jeton me ty. Pandemia është një zënkë e vogël do të pajtohemi shpejt.
KOHA: Ajo që na bëri përshtypje është marrja e një certifikate, e cila konfirmon pjesëmarrjen tënde në Këshillin e Kërcimit për vitin 2021, çfarë do të thotë kjo për ty?
Do të thotë më shumë përkushtim, projekte, certifikim ndërkombëtar të nxënësve, bashkëpunime me koreografët më të mirë në botë.
KOHA: Si është të jesh e përzgjedhura e këtij Këshilli Danci?
Ndihem e realizuar. Ky është vlerësimi i punës time që shijon shumë pas një pune të madhe. Si përfaqësuesja e parë shqiptare, ndihem krenare që edhe unë po kontribuoj në artin shqiptar përtej kufijve.
KOHA: Rexhina, cilat janë synimet e tua për 2021, por edhe më tej?
Synimet e mia do të gjejnë vend krahë CID, ku së bashku do të realizojmë konferenca mes kolegësh. Hapja e një shkolle baleti private është një ndër qëllimet, që i kam vënë vetes në vazhdim.
KOHA: Cila është këshilla jote ose mesazhi yt për ata që duan t’i hyjnë botës së artit të bukur të kërcimit?
Kur e dashuron me shpirt diçka rend pas saj. Nëse nuk jeton dot pa kërcyer dhe ëndërruar, je i/e mirëpritur në këtë botë.