Shkup, 26 dhjetor – Sportistja më e famshme e Xhudos në vendin tonë, Arbresha Rexhepi, më në fund u shpërblye nga Komiteti Olimpik i Maqedonisë, për punën e saj të palodhshme dhe rezultatet e arritura në garat kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë dy viteve të fundit. Andaj, të martën Arbresha nënshkroi bursën olimpike me Komitetin Olimpik të udhëhequr nga Kryetari i KOM Vasil Tupurkovski, kështu që, tani e tutje dyert për në Olimpiadën 2020 janë të hapura për të. Përndryshe, Arbresha Rexhepi është një sportiste e re, anëtare e sport klubit të Xhudos “Ipon” nga Shkupi, dhe kohën e fundit po mbledh medaljet e shumta nëpër garat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, gjë që premtojnë shumë se ajo do të arin të përmbushe normën për pjesëmarrje olimpike në olimpiadën e ardhshme që duhet të mbahet në Tokio të Japonisë më 2020. Pas nënshkrimit të dokumentit për marrjen e bursës olimpike, Arbresha u shpreh mjaft optimiste.
“Këtë bursë unë e përjetoj më shumë si një obligim, sesa si shpërblim. Do të përpiqem dhe do të jap maksimumin që me rezultat të mirë dhe medalje t’ia kthej vendit tim”, deklaroi Rexhepi.
Ndryshe, sukseset e Arbëreshës për vitin e fundit renditen si rruazat e çmuara në fanë faqen e saj në “Facebook”, e cila mban emrin e saj Arbresha Rexhepi, ku ato nisin nga medalja e bronztë në Pllovdiv të Bullgarisë, duke vazhduar me garat ndërkombëtare në qytetin Koroshka të Sllovenisë ku gjithashtu u kurorëzua me medaljen e bronztë duke vazhduar kështu me garat ndërkombëtare në Kluj Napoka të Rumanisë, ku mori medaljen e parë për Maqedoninë në kategorinë deri në 48 kg për femra. Më pas gjithçka ndryshoi me garat në qytetin Kaunas të Lituanisë, e sidomos në Kryeqytetin Slloven, Lubjanë ku ajo u kurorëzua më medaljen e artë.
Në anën tjetër, KOM ndau edhe 12-të bursa tjera olimpike, ku pos Arbresha Rexhepit janë edhe dy sportistët tjerë shqiptar, mundësi i KM “Liria”Elmedin Sejfullahu dhe karateisti Berat Jakupi. Ndërkohë, Arbresha dhe Sejfullahu do të marrin nga 625 dollarë, ndërsa Jakupi i cili është në të ashtuquajturën kategori e parë do të merr nga 800 dollarë në muaj. Nëntë sportistët tjerë janë, Emill Pavllov (karate), Poliksenija Stefanovska (karate), Mogamedgaxhi Nurov (mundje), Dejan Georgievski (tekvondo), Lina Gjorçevska (tenis), Nina Ballaban (qitje), Evgenij Pop Acev (not maratonik) dhe Dario Ivanovski. (B.K.)