Nga George FRIEDMAN
100 vjetori i Revolucionit Rus po afrohet. Ishte një revolucion i bazuar jo vetëm në shpresën, por në sigurinë që gjendja njerëzore mund të mbushej me barazi, bollëk dhe liri. Ai krijoi një regjim që ishte i gatshëm dhe ndihej i detyruar të bënte çdo gjë për të krijuar atë përsosmëri, por ai regjim përfundoi në vitin 1991, i rraskapitur nga mjerimi që kishte krijuar. Revolucioni rus u frymëzua nga vepra e Karl Marksit dhe kjo vepër ishte një reduktim deri në absurd, i Iluminizmit francez. Iluminizmi kishte argumentuar se njerëzimi ishte i angazhuar për progresin – dija po akumulohej vazhdimisht dhe, bashkë me të, gjendja njerëzore po përmirësohej vazhdimisht. Në qendër të këtij procesi ishte arsyeja, e cila do të nxiste përparimin. Dhe ideja e saj kryesore, ishte se qeveria më e përsosur ishte ajo që promovonte parimin e barazisë njerëzore. Agjenti i gjithë kësaj ishte intelektuali, i cili e vendoste arsyen në qendër të të gjitha gjërave, prandaj ishte ai që do të ofronte përparimin. Intelektuali do ta kuptonte domosdoshmërinë e përmirësimit të gjendjes njerëzore, dhe prandaj ishte e vetëkuptueshme se, kushdo që pengonte këtë, ishte armik. Intelektuali u bë një politikan që kërkonte pushtet dhe pastaj udhëhiqte masat drejt një transformimi të jetës njerëzore.
Por iluminizmi paraqiste një paradoks. Nëse përparimi njerëzor ishte i sigurt, atëherë pse intelektualët duhet të bënin përpjekje dhe të ndërmerrnin rreziqe për ta çuar përpara? Por kishte edhe një paradoks tjetër. Intelektuali ishte gjithashtu i uritur për një peshë, përtej atyre me të cilët ndante jetën. Ai kishte uri për pushtet dhe njohje, prandaj vizioni që, ishte ai, që do i siguronte progresin njerëzimit, ishte jashtëzakonisht joshës. Paradoksi kishte nevojë për ekzaminimin e mendimtarëve. Por mendimtarët e anashkaluan paradoksin dhe udhëhoqën Revolucionin Francez. Dhe ata që pengonin progresin duhej të eliminoheshin. Intelektualët shfaqën pamëshirshmërinë e logjikës së pastër, një logjikë që i shihte njerëzit si vegla, të cilave u duhej dhënë formë.
NJË PARTI REVOLUCIONARE
Marksi e shpuri impulsin e Iluminizmit në përfundimin e tij logjik. Ai besonte jo vetëm në progresin, por në një progres, që do të rezultonte në përsosjen e njerëzimit. Kjo përsosmëri do t’i jepte fund pamjaftueshmërisë, dhe do të sillte barazinë e vërtetë njerëzore. Kjo ishte e pashmangshme, sepse kontradiktat e brendshme të kapitalizmit në fund do ta shkatërronin atë, duke e çliruar proletariatin që të impononte një diktaturë, e cila do ta krijonte këtë realitet. Problemi ishte, megjithatë, se proletariati, i dërrmuar nga kapitalizmi, nuk do të ishte në gjendje të ngrihej dhe të ndërtonte rendin e ri. Përsëri, shfaqet tensioni ndërmjet të pashmangshmes dhe domosdoshmërisë së veprimit njerëzor. Marksi u përpoq ta zgjidhë problemin duke argumentuar se një parti revolucionare do të dilte nga proletariati, dhe do të vendoste një diktaturë që do të ishte agjenti për organizimin e punëtorëve dhe për të krijuar një njerëzim të ri. Vladimir Lenini u përqendrua në ndërtimin e një partie komuniste. Problemi, argumentonte ai, ishte se klasa punëtore vuante nga “vetëdija e rreme”. Nuk e dinte se cilat ishin interesat e veta për shkak të gjendjes së saj, dhe prandaj nuk mund të çlirohej. Partia Komuniste duhej të ndërtohej nga ata që kishin shpuar velin e ndërgjegjes së rreme, dhe shihnin qartë se çfarë duhej bërë. Nuk do të ishte thjesht udhëheqëse e klasës punëtore; do t’i shpinte punëtorët drejt progresit. Dhe njerëzit që mund të shihnin mespërmes vetëdijes së rreme ishin intelektualët, të cilët u bënë udhëheqës të bolshevikëve.
Lenini dhe njerëzit e partisë së tij ishin intelektualë që flisnin për socializëm shkencor dhe që do të bënin gjithçka që nevojitej, për të detyruar klasën punëtore të përmbushte fatin e tyre. Por nuk ishte klasa punëtore që do të shkaktonte Revolucionin Rus. Përkundrazi, ishte Lufta e Parë Botërore, e cila çoi në vdekjen e miliona njerëzve, shkatërroi prapavijën e ushtrisë ruse dhe shkaktoi një kryengritje të ushtarëve. Lenini mbërriti në Shën Petersburg falë ushtrisë gjermane, e cila e futi fshehtas në qytet, në një tren të mbyllur, për ta përdorur atë që të shkaktonte një kryengritje, e cila do ta nxirrte Rusinë nga lufta. Kryengritja ia doli arriti dhe shkaktoi një luftë të gjatë civile, në të cilën vdiqën miliona të tjerë. Ushtria e Kuqe, e krijuar nga intelektuali Leon Trocki, e bëri luftën pa mëshirë dhe në mënyrë efektive. Ishte gjatë kësaj lufte që Lenini me sa duket pagëzoi shprehjen e përjetshme, “Qëllimi i terrorit është që të tmerrojë”. Revolucioni mund të kishte sukses, vetëm nëse mund t’i tmerronte masat që të bënin atë që donte ai. Ishte një terror që do të zgjaste një kohë të gjatë, por qëllimi i të cilit ishte të ndërtonte një shoqëri të re, njerëzore. Vizioni i një shoqërie të denjë u bashkua me një krenari në logjikën e pamëshirshme dhe politikën e pamëshirshme. Ajo krijoi një kulturë, në të cilën mëshira ishte një dobësi kundër-revolucionare. E vërteta ishte se intelektualët e njihnin terrorin vetëm si abstraksion. Ata e zbatuan atë, por jo me mëshirën e plotë të një banditi. Ata mendonin shumë dhe e mbanin dorën.
MISHËRIMI I PAMËSHIRSHMËRISË
Ajo çfarë doli nga kjo ishte Josef Stalini, i cili veproi përsosmërisht si bandit – e vetmja gjë në fakt që e bënte përsosmërisht. Njerëz si Trocki dhe udhëheqësit e tjerë të bolshevikëve shkruajtën për persekutimin e pamëshirshëm të revolucionit, por Stalini ishte personifikimi i pamëshirshërisë. Ai nuk ishte si intelektualët; ai nuk kishte interes në teoritë dhe deluzionet e tyre. Ai zhvendosi intelektualët që kishin udhëhequr revolucionin dhe në fund i vrau ata, bashkë me miliona të tjerë. Kur Bashkimi Sovjetik kishte nevojë për modernizimin e industrisë së vet në pritje të luftës, ai i siguroi paratë duke shitur grurë – pothuajse të gjithë grurin e prodhuar nga ukrainasit – duke krijuar kështu zi buke masive dhe duke çuar në vdekjen e milionave. Misioni i parë i Partisë Komuniste, sipas doktrinës, ishte se që duhej të mbijetonte, dhe për këtë, Bashkimi Sovjetik duhej të mbijetonte – me çdo mjet. Lenini ishte një teoricien i terrorit dhe praktikues i tij. Por i hapi derën jo çlirimit të njerëzimit, por Stalinit, një njeri që e praktikoi terrorin si qëllim, dhe jo si mjet. Është e paqartë nëse Stalini ishte në të vërtetë marksist, apo e përdorte marksizmin si një justifikim për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Por pavarësisht kësaj, Stalini besonte se partia nuk mund të mbijetonte pa shtypje të pamëshirshme, me qëllimin për të çliruar. Dhe kjo do të thoshte që Stalini duhej të qëndronte në pushtet për të menaxhuar shtypjen. Besimet e Stalinit dhe interesat e Stalinit ishin të njëjta, dhe vogëlsirat pak rëndësi kishin. Pas marrjes së pushtetit, Lenini firmosi një traktat paqeje me Gjermaninë, i cili u dha gjermanëve zona të mëdha të Bashkimit Sovjetik të ri. Ai ndihmoi në sigurinë e Bashkimit Sovjetik, por Lenini u mbajt pas mundësisë, që kjo do të sillte diçka më të mirë. Kur Stalini mori pushtetin, Bashkimi Sovjetik u bë një komb si gjithë të tjerët, duke ndjekur interesat gjeopolitike të BS, në një mënyrë të natyrshme dhe të pamëshirshme. Në teori, qëllimi ishte mbrojtja e partisë së punëtorëve dhe përhapja e doktrinës së komunizmit në botë, me çfarëdo mjeti të nevojshëm. Por vizioni i Iluminizmit për progresin njerëzor ishte i vjetruar tashmë. Pamëshirshmëria ishte bërë qëllim në vetvete. E keqja e domosdoshme u bë rrjedha normale e ngjarjeve.
SHNDËRRIMI I MJETIT NË QËLLIM
Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste ishin njësoj të pamëshirshme. Hitleri nuk ishte intelektual në kuptimin e të qenit dijetar, por ai jetonte në një botë idesh, dhe në atë botë qëllimi nuk ishte komunizmi, por ngritja sa më lart e racës ariane. Hitleri e konsideronte këtë si të pashmangshme, por ashtu si komunistët, ai duhej të vepronte me brutalitet të pamëshirshëm për ta bërë që të ndodhte. Pse arianët nuk e kishin caktuar më parë nëse ishin superiorë, ishte po aq e parëndësishme, sa edhe pyetja pse proletariatet kishin nevojë për intelektualë që t’i udhëzonin, kur fitorja e tyre ishte e pashmangshme. Ky ishte një lloj problemi që duhet ta mendojnë mendimtarët. Por, duke qenë burra të veprimit dhe jo njerëz të mendimit, Stalini dhe Hitleri ndoqën ëndrrat e tyre me një saktësi shkencore, që u përqendrua vetëm në marrjen parasysh të domosdoshmërisë dhe jo të njerëzimit. Distanca mes mendimtarëve dhe arsyes së shëndoshë, nuk ka qenë kurrë më e madhe, se sa në shekullin e 20-të. Në vend që t’i zgjidhnin tensionet në mendimet e tyre, ata i hoqën mënjanë, me qëllim që të vepronin. Dhe për t’i hequr mënjanë, ata i kthyen mjetet – pamëshirshmërinë – në qëllim.
Iluminizmi ishte epoka e ideve. Idetë që lihen në “punë të tyre”, pa u mbështjellë me një sens mirësie, nuk njohin kufij. Kjo ishte historia e pjesës më të madhe të shekullit të 20-të, formësuar nga Hitleri, Himmleri, Lenini dhe Stalini. Logjika është si një lojë shahu. Ti nuk shqetësohesh për fatin e një ushtari. Kështu edhe ideologjitë e shekullit të 20-të. Vdekja e një ushtari, nuk do të thoshte asgjë, krahasuar me ëndrrat. Dhe sa më të mëdha ishin ëndrrat për njerëzit, aq më pak të rëndësishëm ishin vetë njerëzit. Mendimtarët mishërojnë logjikën, dhe logjika e lëshuar nga frerët nuk njeh mëshirë. Ata që dolën pas Stalinit nuk ishin më tiranë, por të mbijetuar, njerëz që i mbijetuan Stalinit duke bërë atë që duhej të bëhej, pa ëndrra dhe vetëm me frikë. Nikita Hrushovi dhe Leonid Brezhnevi ishin njerëz që donin të jetonin dhe të përparonin, por që nuk kishin ëndrra të mëdha, përtej mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik. Me idenë të humbur mes lumenjve të gjakut, mbijetesa ishte gjithçka që kishte mbetur; dhe këtu hyn në lojë gjeopolitika – arti ku mbijetojnë shtetet. Por gjeopolitika e lindur nga vizionet e mëdha është një gjë e cekët, dhe ajo nuk mund të mbante në këmbë Bashkimin Sovjetik.
Bashkimi Sovjetik u rrëzua për shumë arsye, por më së shumti ishte nga lodhja dhe cinizmi. Me asgjë të mbetur për të besuar, ai u bë një version i dobët i një kombi të vërtetë. Ajo që doli në fund ishte Nëna Rusi e Vjetër, e lodhur nga ëndrrat e saj, që as nuk besonte shumë në gjeopolitikë. Mësimi që duhet nxjerrë prej kësaj, është rreziku që paraqesin idetë kur hidhen si të vërteta absolute që kërkojnë logjikë të plotë, duke penguar kështu zbutjen prej mirësisë. Nëse idetë duhet të ndiqen me çdo kusht, atëherë çdo gjë që qëndron në rrugën e tyre duhet të shkatërrohet. Problemi është se në atë botë, njeriu që shtyp më fort, fiton. Kështu Marksi, intelektual i pafat, i cili e vuri në lëvizje gjithë këtë, u zëvendësua nga Lenini, gjysmë intelektual dhe gjysmë bandit, i cili u zëvendësua nga Stalini, tërësisht bandit. Distanca mes Marksit dhe Stalinit duket e madhe. Por në të vërtetë, ka një lidhje mes të dyve. Intelektualët mendojnë dhe kanë ide. Të vëna në praktikë, këto ide e humbasin paqartësinë e librarisë apo klasës dhe marrin një qartësi, e cila kërkon bindje. Intelektualit në fund i mungon vullneti për të imponuar frikën, që nevojitet për bindjen. Dhe kjo kërkon futjen në skenë të banditit. Revolucioni Rus ishte mishërimi i një ideje – një ide që u shndërrua në parti politike, sunduar nga një njeri që pretendonte autoritetin e logjikës dhe që vriste këdo që i dilte para. Shekulli i 20 ishte i mbushur me njerëz të tillë. Sot, banditët kanë më pak ide, dhe kjo i bën më pak ambiciozë. Në shumicën e rasteve. (Geopolitical Futures)