Përkitazi me premierën ‘Vdekja e Dantonit’ e autorit gjerman Georg Büchner, në regji të Dino Mustafiqit, realizuar nga Teatri Shqiptar i Shkupit
Nga Emin AZEMI
Teatri Shqiptar i Shkupit të enjten (24 maj) shfaqi premierën “Vdekja e Dantonit” e Georg Büchnerit, në regji të Dino Mustafiqit, një dramë nga epoka e romantizmit që trajton ngjarje të bujshme të Revolucionit borgjez francez. Kjo fabulë politike-sociale ka dimensionin e universalitetit hapësinor e kohor dhe si e tillë ajo mund të perceptohet edhe si pamflet artistik që reprodukon mimesisin e kohëve të mëvonshme, përfshi edhe kohën e sotme. Në thelb të intrigës fabulare është tragjikja, por siç do të thoshte Karl Viëtor “tragjedia e Dantonit nuk ka të bëjë gjithaq me rënien e tij, sa me mënyrën se si bie”, duke arritur që veprimi dramatik të zhvillohet ashtu që ‘tensioni të bartet nga qëllimi/caku në mënyrën se si zhvillohet’ (Volker Klotz). Një pjesë e publikut madje u identifikua emocionalisht me mbindërtimin dramaturgjik të kësaj shfaqje teksa nxirrte herë pas herë reminishenca në formë protestash, parodish e akuzash të kohës së sotme, që ishin aluzione të hapura me situatën aktuale politike e sociale në vend.
Kjo vepër dramatike e Georg Büchnerit kishte provokuar regjisorë të shumtë në botë dhe llogaritet të jetë një prej pjesëve më të popullarizuara dhe më të realizuara nëpër teatrot e ndryshme metropolitane.
FABULA
Në planin e përgjithshme drama trajton raportin në mes të prijësve dhe tundimeve që ofron pushteti, kurse në mikro-plan detajizon paradokset e pasojave që sjell revolucioni në një shoqëri me kontradikta të pambyllura sociale e politike.
Përshtypja e parë që të ngelë pasi të përfundojë kjo shfaqje është leximi regjisorial që del të jetë tepër i rafinuar dhe planifikuar me detaje. Por, si në çdo projekt skenik, edhe këtu erdhi në shprehje bashkëpunimi perfekt në mes të regjisorit dhe ekipit të aktorëve. Suksesit të regjisë së Dino Mustafiqit gjithsesi i atribuohet edhe ky dell bashkëpunimi që u manifestua me mjaft plasticitet në mizanskenat dhe në efektet përcjellëse optike e tonike. Ajo çka ngelë e sedimentuar pak më gjatë në kujtesën e publikut pasi ta ketë shikuar dramën ‘’Vdekja e Dantonit’’ është elani motivues i aktorëve të Shkupit të cilët me lojën e tyre korrekte ofruan një produkt skenik që nënkuptohej si gdhendje e nyjeve të historisë me daltën e sporovuar të muzës teatrore, bashkëshoqëruar me prirjen për të portretizuar figura historike plot dramacitet nga revolucioni borgjez francez.
KARAKTERET/INTERPRETIMET
Zhorzh Zhak Dantoni (interpretuar nga Refet Abazi), një avokat që jetonte e punonte në Paris, me oratori të jashtëzakonshme, në vitin 1789 e nxiti dhe motivoi popullin në rrëzimin e Bastiles. Një vit më vonë, bashkë me miqtë e të prirë nga Kamij Demulën themeloi Klubin e Kordelëve, i cili kishte për synim të krijonte terren të përshtatshëm shoqëror për dominim mbi jakobinët. Pas rënies së Monarkisë bëhet ministër i Drejtësisë dhe fton qytetarët revolucionarë të shpartallojnë dyert e burgjeve të Parisit me qëllim të frikësimit të rojalistëve dhe të ngjeshte radhët e revolucionarëve. Aksioni politik i Dantonit vazhdon me zgjerimin e propagandës ndër masa, madje edhe jashtë shtetit, për të themeluar Tribunalin revolucionar, një gjykatë e autorizuar për të dënuar krimet politike. Kurse, me sugjerim të tij, Robespieri (interpretuar nga Luran Ahmet) formon qeverinë revolucionare e quajtur Këshilli i shpëtimit publik. Në ndërkohë Dantoni ndihmon që të rrëzohen Zhirondinët, një grupim politik që nuk ishte koherent me kërkesat politike të kohës, të cilët refuzuan ofertën për një bashkëpunim më të ngushtë. Mirëpo gjithë trajektorja e veprimit politik të Dantonit përshkohej me taktizime dhe maturi , që fatkeqësisht edhe nga një pjesë e mbështetësve u lexua si luhatje, dhe kjo mjaftoi që të krijohen dyshime ndaj tij. Për ta penguar përshkallëzimin e mëtejmë të revolucionit, del kundër radikalëve beritist, të cilët angazhoheshin që gjithë pushteti të kalojë te Komuna.
Pas fjalimit që pati Robespieri (25 dhjetor 1793), mbajtur në Konventë , në mbrojtje të politikave radikale revolucionare, tensioni në mes tij dhe Dantonit fillojnë të rriten, për t’u përshkallëzuar me arrestimin e këtij të fundit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dantoni përfundon në gijotinë, por me këtë nuk mbyllen kontradiktat që prodhon Revolucioni.
Interpretuar nga aktori i sporvuar dhe me identitet të qartë skenik, Dantoni i Refet Abazit, vjen në sytë e publikut me gjithë madhështinë e heroit që gjatë rrugëtimit të tij teston dhe sprovon vetveten kundrejt dilemave që sjell koha. Ai në fund pagoi me çmim të lartë kontradiktat e të qenit natyrë homoduplekse: pak revolucionar, pak hedonist, pak taktizues dhe kjo tërësi komplekse karakterologjike u paketua me një ‘inventar’ finesash mizanskenike nga Refet Abazi, i cili dëshmoi se loja-aktrimi për të është ‘gjaku’ që e mban gjallë kredon e tij prej artisti dhe sikur na paralajmëron se rikthimi i tij në skenë do të shoqërohet me një grafikon ngritjeje-përkushtimi për teatrin.
Refet Abazi bashkë, me Luran Ahmetin, arriti të jetë strumbullari i gjithë arkitekturës dramaturgjike dhe me spontanitet prej artisti të sprovuar ia arriti të kombinojë lojën me diskursin regjisorial, duke balancuar në momente të veçanta kompleksitetin e karakterit me jashtësinë plastike të mimikës dhe lëvizjeve.
Pobespieri (Maksimilian Fransoa – Isidor) që erdhi i realizuar nga Luran Ahmeti, ishte një avokat, i cili më vonë bëhet kryetar i Klubit të Jakobinëve. Pas arratisjes së Luigjit XVI, bëhet kundërshtar i rreptë i Monarkisë. Nga fundi i viteve nëntëdhjeta të shek. 18 ishte një nga njerëzit më popullor të Revolucionit dhe përfaqësues i zjarrtë i rrymës radikale të Montanjës. Po në këtë periudhë kohore rrëzon zhirondinët e matur dhe eberitët radikalë, kurse si cak përfundimtar kishte Dantonin dhe kordeljerët. Terrori i tij absolutist merr fuqi, inicon spastrime në Këshillin e shpëtimit publik, mirëpo kundërshtarët e tij dalin më mizorë sepse ja arrijnë ta arrestojnë dhe ta ekzekutojnë në gijotinë (detaje këto historike për të cilat nuk flet kjo dramë).
Ky është konteksti dhe shtrati historik në të cilën zhvillohet fabula e kësaj drame, ndonëse dramaturgia (Zheljka Udoviçiq Pleshtina) dhe regjisori (Dino Mustafiq) kanë marrë disa sekuenca dokumentare nga kjo atmosferë me plotë turbulenca.
Luran Ahmeti na e dha një Robespier të formatuar në linjat e karakterit të fortë, me një vizurë ku dominonin vijat e njeriut që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka, madje edhe ish miqtë e tij (Dantoni), në favor të lavdisë që sjell pushteti absolutist. Robespieri i historisë dhe Robespieri i skenës erdhën në një pikëtakim mizanskenik në momentin kur Luran Ahmeti rrumbullakoi tërësinë komplekse të ambicieve e manireve të një njeriu që po përgatitej të zëvendësojë idhujt e monarkisë me fuqinë përfaqësuese të Republikës. Ky aktor po e pasuron karrierën e tij artistike me një qasje mjaft të zgjuar në përvetësimin e fshehtësive që ka arti skenik. Ndër ato fshehtësi ishte edhe Robespieri i Revolicionit francez, i cili gjeti një ‘stof’ të përshtatshëm brenda botës së aktorit Luran Ahmeti.
Në galerinë e karaktereve që kishin kontekstualitetin e tyre tematik ishin edhe Kamij Demulën ( Fisnik Zeqiri), Lëzhandër/Barer (Muzbajdin Qamili), Lakrua (Osman Ahmeti), Zhuli (Amernis Nokshiqi) dhe ndonjë tjetër.
Fisnik Zeqiri kësaj radhe arriti të mbaj peshën e aktorit që di të zbërthejë psikologjinë e personazhit pa e deformuar spontanitetin e lojës dhe poetikën e lëvizjeve skenike.
Ndërkaq Musbjadin Qamili, edhe pse u paraqit në dy role, e mbajti gjatë gjithë kohës një linjë konstante të interpretimit mjaft virtuoz dhe ata që e kanë ndjekë me vëmendje do të kenë ngelur të kënaqur me shkathtësinë e tij transformuese, një veti kjo e aktorëve që vënë në lëvizje dy e më shumë metoda aktrimi për të dëshmuar natyrshmërinë e karaktereve kontrastive brenda mizanskeneve të ndryshme.
Osman Ahmeti luajti një prej roleve të rëndësishme, e që ishte edhe hallkë që mbante balancet e arkitekturës dramaturgjike e përmbajtjesore. Ai po vjen duke e dëshmuar potencialin e tij prej aktori ambicioz.
Në role tash më të sprovuara që arrijnë të transmetojnë gjithë plasticitetin e natyrës femërore, edhe kësaj radhe erdhi Armenis Nokshiqi, kurse karakteri që fiksohej brenda kësaj natyre njerëzore u realizua kënaqshëm skenikisht nga ajo.
Prurjet e reja të aktorëve debutues në këtë shfaqje, shumica prej të cilëve studentët të aktrimit, mund të jenë shpresa e Teatrit të Shkupit, ndonëse kjo nuk mjafton për të pretenduar dhe synuar një ekip më të formuar artistikisht. Jo pak prej të rinjve që po debutojnë në skenë kanë probleme me artikulimin dhe diksionin, shoqëruar me disa finesa fizike (dominojnë kryesisht vajza e çuna paksa të imtë) që gjithsesi çojnë peshë në fizionominë e përgjithshme të një ansambli teatror, i cili duhet të ballafaqohet me lloj-lloj sfidash që imponon ‘inventari’ i karaktereve shpirtërore e fizike të personazheve.
I HARRUARI I KOHËS SË TIJ, GEORG BÜCHNERI
Për shkak të pikëpamjeve të tij radikale mbi politikën, Georg Büchneri ishte i detyruar ta lëshojë Gjermaninë dhe të vendoset në Zyrih, ku edhe heq dorë nga angazhimi në politikë. Këtu e ka burimin dioptria dëshpëruese e vrojtimit të botës nga ana e tij e që gjerësisht u manifestua në tri dramat (‘Vdekja e Dantonit’, ‘Leonca dhe Lena’ dhe posaçërisht te drama e fundit ’ Woyzeck’. Përveç këtyre tri dramave, Büchneri, ka shkruar edhe një novelë mjaft introspektive, ‘Lenc’, si dhe një dramë që konsiderohet e humbur ‘Pietro Aretino’ kushtuar shkrimtarit venedikas me të njejtin emër që i takonte renesancës së vonë.
Pavarësisht karrierës së shkurtër letrare (jetoi vetëm 23 vjet) autori Georg Büchneri ushtroi ndikim të fuqishëm në dramaturgji dhe konsiderohet burim i pashtershëm i dramës moderne. Sa jetoi në Zürich, bëri edhe disa përpjekje të pasuksesshme që të punoj si pedagog në universitetin e atjeshëm. Sa i përket modeleve letrare dhe ndikimeve potenciale mbi të, duhet përmendur gjithsesi Shekspirin, Gëten dhe Johan Michael Reinhold Lenz, rrëfimi jetësor i të cilit ishte tema e tregimit Lenz. Büchneri nuk ishte ishte identifikuar me asnjë rrymë a tendencë letrare të kohës së tij, përveç se në fillim paksa me ‘Sturm und Drango’ (‘Stuhi dhe Thirrje’) që ishte inicuar nga Gëte. Me vdekjen e hershme të Büchnerit, dramat e tij ishin kapluar nga inercia e harresës, që erdhi pas ndryshimeve të mëdha të shek. 19, deri sa ato u zbuluan rishtazi nga shkrimtari gjerman i kohës së natyralizmit, Gerhart Hauptmann. Historianët e letërsisë në mënyra të ndryshme kanë interpretuar veprën e tij, varësisht nga konteksti kohor dhe qasjet personale, por shumica pajtohen se opusi dramatik i Büchnerit ishte shumë larg standardeve të kohës dhe si të tilla ngelën gjithmonë me tematikë universale.
DIZAJNI MULTIFUNKSIONAL I SKENËS
Funksionaliteti skenik i dramës ‘Vdekja e Dantonit’ do të ishte i pamjaftueshëm sikur të mos gërshetohej një poetikë mjaft simbolike e skenografisë (Dragutin Broz), koreografisë (Gjergj Prevazi), kostumografisë(Ines Golja), muzikës (Oliver Josifovski) dhe efekteve të multimedias (Betim Zeqiri) . Zhvillimi i gjithë ngjarjeve pranë një ure lëvizëse, përveç simbolikës së rënie/ngritjes së pushteteve e njerëzve, kishte edhe prakticitetin e vet. Në faturën regjisoriale të Dino Mustafiqit arritëm të shquajmë stilin e tij postmodern në kombinimin e elementeve përcjellëse të dizajnit skenik dhe arkitekturës dramturgjike, e që u integruan natyrshëm në ‘skenimin’ paralel të atmosferës së kohës së tanishme, me idenë që revolucionet janë si ujërat nëntokësorë – dalin mbi sipërfaqe atëherë kur nuk e pret fare dhe fashiten kur e ke nevojën më së shumti. Përmbajtjet e ndajshtuara të dramës së Georg Buchnerit, ridëshmojnë komponentën e universalitetit të saj, por edhe fuqinë e rrezatimit artistik pa e lënduar idenë bazike të autorit.
Gjithsesi para nesh kemi një projekt të suksesshëm skenik, i cili mund ti shërbejë Teatrit Shqiptar të Shkupit dhe menaxhmentit të tij si provë e guximshme për të rikthyer famën e dikurshme të kësaj shtëpie, kurse ‘Vdekja e Dantonit’ mundet të jetë referencë kuptimplote artistike për skenat jashtë Maqedonisë, por pse jo edhe për festivale. (koha.mk)