Qeveria e sotme ka “vrarë” zërin civil përmes honorarëve, granteve të ndryshme dhe shantazhit të disave prej tyre që nuk ju bashkohen mbështetjes së pushtetit. Kështu që sot, Qeveria është rahat dhe me terren të lirë për të bërë çka do që dëshiron
Nga Zenel MIFTARI
Hiç më shumë se pesë vite më parë, në vendin tonë kishim shoqëri të shumta civile, e cila nuk heshtte para asnjë padrejtësie dhe para çdo zullumi që bënte pushteti i atëhershëm në Maqedoninë e Veriut. Ishte një shoqëri utopike që do ta dëshironte çdo vend e veçanërisht shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, ku krimi, korrupsioni e nepotizmi janë pjesë e pandashme e pushtetit. Atëherë kur partia e kryeministrit Nikolla Gruevski bashkë me partnerët e koalicionit kishin mbi 80 deputetë në Parlament – pa opozitë dhe me gjyqësor të kapur, bënte çfarëdo që i vinte në mendje. Por i vetmi zë kritik ndaj këtyre fenomeneve ishin disa gazetarë, shtëpi mediatike dhe aktivistë të shoqërisë civile. Këta ishin të vetmit që ngritnin zërin para padrejtësive dhe krimeve që bënte regjimi i atëhershëm. Përmes këtij formacioni, u krijua dhe “Revolucioni Laraman”, i cili me moton “Pa drejtësi, nuk ka qetësi”, protestonin çdo ditë në qytetet e vendit dhe kërkonin drejtësi për disa raste që pretendonin se ishin të montuara, kërkonin burgosjen e disa politikanëve që përmes “bombave” të Zaevit ishte vërtetuar se kishin bërë keqpërdorime të detyrës zyrtare.
Por çka ndodhi me këta “revolucionarë”, pas ndryshimit të pushtetit?! Me ardhjen e pushtetit të ri – bashkë me të u tretë dhe shoqëria civile dhe me këtë – edhe shpresat e qytetareve për një jetë më të mirë me drejtësi, barazi dhe zhvillim. Pra, pjesa më e madhe e “revolucionarëve nga plastelina” u punësuan në Qeveri dhe në dikastere të ndryshme të saj. Zakonisht u angazhuan si agjentë për marrëdhënie me publikun, këshilltarë të kryeministrit dhe të ministrave të ndryshëm, disa vazhduan me organizata joqeveritare, por që mbështetet fort me fonde qeveritare.
Pas ardhjes së pushtetit të ri, këto “revolucionarë nga plastelina” u shkapërderdhën dhe më nuk reagojnë. Si duket, kolltuku qeveritar është shumë i rehatshëm dhe nga muret e perdet e trasha, nuk dëgjojnë dhe nuk shohin atë çka ndodhë jashtë. Ani pse të gjithë këta “revolucionarë”, në fjalimet e tyre megalonike gjatë “Revolucionit Laraman”, deklaronin se edhe nëse ndërrohet pushteti, ata përsëri do të jenë në rrugë për të kërkuar drejtësinë. Raste të shumta dhe skandale të ngjashme sikurse në pushtetin e kaluar kanë ndodhur edhe gjatë këtyre katër-pesë viteve të fundit me pushtetin e ri, por reagimi i shoqërisë civile vazhdon të jetë minimal, për të mos thënë se nuk dëgjohet fare. Almiri i vogël del të jetë “Error 404” për ta. Skandali me Prokurorinë Speciale, gjithashtu “Error 404”. Ikja e Greuvskit, pasaporta për narko-bosët e rajonit, skandalet e Rashkovskit… të gjithë këta raste përfundojnë me “Error 404”.
Në anën tjetër, laramanët – një numër i vogël të cilët nuk ju bashkuan pushtetit, edhe sot e kësaj dite bredhin gjykatave për shkak protestave të bëra gjatë viteve 2015 dhe 2016. Fatkeqësisht, Qeveria e sotme ka “vrarë” zërin civil përmes honorarëve, granteve të ndryshme dhe shantazhit të disave prej tyre që nuk ju bashkohen mbështetjes së pushtetit. Kështu që sot, Qeveria është rahat dhe me terren të lirë për të bërë çka do që dëshiron. (koha.mk)