Omer XHAFERI
Shkup, 16 janar – Korniza ligjore momentale nuk i jep mundësi Entit Shtetëror për Revizion (ESHR), ngritjen e sanksioneve ndaj një personi juridik i cili nuk i ka respektuar rekomandimet e revizorit të autorizuar shtetëror, apo që nuk ka arritur të siguron informacionet plotësuese të kërkuara nga ky institucion lidhur me rekomandimet. Ky konstatim, shkruan gazeta KOHA, është publikuar në analizën e fundit të Qendrës për analiza ekonomike(QAE), ku thuhet se ESHR-ja nuk është e definuar si kategori kushtetuese, me çka në këtë drejtim nevojiten ndryshime kushtetuese, në të cilat ky institucion do të definohet si organ i pavarur i revizionit suprem në Maqedoni. “Dispozitat ligjore, që për momentin janë në fuqi, nuk e përcaktojnë saktë obligimin e organeve kompetente të cilët duhet të veprojnë pas paralajmërimit të revizorit të autorizuar shtetëror, i cili ka dyshime për shkelje ligjore si për kundërvajtje apo për vepër penale. Në ndërkohë, nuk është definuar as raportimi i rregullt që këto institucione duhet ta bëjnë në ESHR, për atë se çfarë masa janë ndërmarrë për dyshimet e theksuara, deri sa nuk ka vendim të prerë nga ana e Prokurorisë Publike apo organeve tjera gjyqësore për njoftimet paraprake nga revizioni”, thonë nga QAE, në analizën e titulluar “Vlerësimi i dispozitave rregullatore dhe ligjore që lidhen me punën e Entit shtetëror për revizion”. Për këto qëllime, nga QAE potencojnë se ndryshimet e amendamenteve Kushtetuese, duhet të bëhen në afat sa më të shpejtë, me të cilat do të mundësohet pavarësi e plotë financiare e ESHR-së, gjegjësisht do të krijohet buxhet i pavarur për këtë institucion, miratimin e të cilit do ta bën Kuvendi, me propozim të ESHR-së dhe Komisionit parlamentar për financim. Në analizën të cilën së fundmi e kanë publikuara nga QAE, propozojnë ndryshime edhe në Ligjin për revizion shtetëror, me qëllim rregullimin e statusit juridik të një revizori shtetëror, me çka do të përcaktohen përgjegjësit e organeve përkatëse kur bëhet fjalë për rekomandimet e këtyre revizorëve të autorizuar. Në ndërkohë në analizë rekomandohet edhe vendosja e dispozitave urdhëresave për ESHR, atëherë kur një person juridik nuk i përfill apo përcjell propozimet dhe sugjerimit e revizorëve të autorizuar. “Në këtë drejtim vlerësojmë se duhet të bëhen ndryshime esenciale në disa ligje sistemore, me çka do të përcaktohet korniza ligjore ku Kuvendi i Maqedonisë, do të obligohet t’i shqyrton raportet vjetore të disa shfrytëzuesve të të mirave publike. Këtë punë ato duhet ta bëjnë bashkërisht me analizën e raportit të revizionit, gjegjësisht kjo çështje duhet të rregullohet në bazë të praktikave më të mira që burojnë nga shtetet e Evropës, (në Holandë, ESHR-ja ekziston Dita e Llogarisë, në të cilën Kuvendi i shqyrton dhe debaton për raportin e revizionit ekzekutues të Buxhetit dhe shfrytëzuesve të buxhetit)”, thonë nga QAE. Ndryshe, analiza për vlerësimin e dispozitave ligjore të ESHR- ka konstatuar se e domosdoshme është formimi i një këshilli për revizioni apo nën komitet për revizion në kuadër të Komisionit parlamentar për financim dhe buxhet, me qëllim shqyrtimin e raporteve individuale që vijnë nga ESHR-ja. Detyrë ligjore e ESHR-së është informimi objektiv dhe në kohë i Parlamentit, Qeverisë dhe bartësit tjerë të funksioneve publike, përfshi edhe opinioni për konstatimet nga revizionet e realizuara.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.