Zejnulla VESELI
Shkup, 16 tetor – Fundjavën e kaluar përfaqësues të Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, “No pasaran” si dhe Konfederata e Sindikatave të Maqedonisë, realizuan takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, me ç’rast temë e bisedimeve ishte se si qytetarët të mos paguajnë harxhime dy herë më të larta për borxhet e mbetura ndaj kreditorëve, të cilët tani më janë lëndë përmbarimi te përmbaruesit si dhe harxhimet e larta që paguajnë te noterët dhe mënyrën se si të gjendet një zgjidhje në pajtim me Ligjin për përmbarim që të mos bllokohen llogaritë e qytetarëve kur bëhet fjalë për vlera të vogla, shkruan gazeta KOHA.
Ana Gligorova, përfaqësuese e “No pasaran”, thotë se nga kryeministri Zaev kanë kërkuar që në kuadër të ligjit të gjendet zgjidhje se si të zvogëlohen problemet, më të cilat ballafaqohen qytetarët me pagesat e borxheve që u detyrohen kreditorëve, gjegjësisht të ulen harxhimet plotësues, të cilat i ngarkojnë përmbaruesit që disa herë janë dy herë më të larta se sa borxhi bazë që kanë qytetarët.
“Ne kërkojmë nga kryeministri që të vendoset një moratorium që ka të bëjnë me vendimet e përmbaruesve për borxhet për shërbimet komunale, derisa Qeveria të formojë një komision rregullator, i cili si detyrë primare do të ketë kontrollin e vendimeve të përmbaruesve, se si llogarisin kamatat dhe shpenzimet administrative për përmbarim si dhe për vlerën të cilën përmbaruesi ua paguan qytetarëve më bllokimin dhe de-bllokimin e llogarisë bankare”, thotë Gligorova, duke shtuar se Qeveria apo Ministria e Drejtësisë urgjentisht duhet të kërkon auditim shtetëror për punën e deritanishme të përmbaruesve dhe noterëve.
Marjan Nenov, po ashtu përfaqësues i Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave qytetare, shprehet se kryeministri Zaev ka theksuar se do të shqyrtohet kërkesat e qytetarëve, duke potencuar se është më se e nevojshme të bëhen ndryshime ligjore, që do t’ju mundëson qytetarëve të dalin nga ky rreth magjik, duke i përforcuar kapacitetin financiar të qytetarëve dhe që të arrijmë deri te zgjidhja më e mirë, është më se domosdoshme që për këtë çështje të hapim debat publik me përfaqësuesit e shoqatave qytetare. Për ketë nevojitet edhe kyçja e të gjitha institucioneve shtetërore, para së gjithash pushtetit ligjvënës, Parlamentit të Maqedonisë dhe të gjendet zgjidhje më e mirë për të gjithë. Nenov potencoi se është më se e nevojshme të fillohet me auditimin e punës së deritanishme të përmbaruesve, të cilët kanë fituar pasuri të majme në kurriz të qytetarëve. Ndërkohë, edhe avokati Donçe Stamenkov, i cili kishte marrë pjesë në këto bisedime, thotë se kryeministri Zaev ka potencuar se një ndër pikat kryesore të programit qeveritar apo planit 3,6,9 është që të zvogëlohen shpenzimet e qytetarëve që janë në përmbarim, dhe se paratë të kthen te qytetarët. “Vlerësojë se me ndryshimin e disa dispozitave ligjore në Ligjin për përmbarim, do të vijë deri të liberalizmi i tregut për përmbarim”, thotë avokati Stamenkov.
Ndërkaq nga Konfederata e Sindikatave të Maqedonisë thonë se në këtë takim kryeministrin Zaev e kanë informuar se deri të kjo organizatë për çdo ditë arrijnë ankesa nga ana e qytetarëve për parregullsitë gjatë procesit të pagesave të borxheve me dhunë nga ana e përmbaruesve. (koha.mk)