Revitalizohet parku i Xhamisë së Pashës

“Për shkak të kushteve klimatike, punimet kanë ngecur për një periudhë, dhe me përmirësimin e kohës – punimet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar. Sipas njohurive që kemi dhe planit që kanë përgatitur inxhinierët, shpresoj se do të jetë një investim i mirë që ia ka vlejt si për qytetarët, ashtu edhe për vizitorët. Besoj se ndriçimi do të jetë më i mirë, me ulëse”, tha Mensur Miftari, kryetar i Këshillit të Xhamisë së Pashës

Urim HASIPI

Tetovë, 18 prill – Njëri ndër parqet e rralla në qytetin e Tetovës tek Xhamia e Pashës, është duke u rregulluar. Punimet kanë filluar disa javë më parë, ndërsa edhe këtyre ditëve vazhdohet të punohet. Momentalisht është duke u vendosur sistemi i ujitjes, kurse parashihet të rregullohen rrugica, kënde për fëmijë, çezma publike për ujë, ndriçim e kështu me radhë. Investimi është një donacion nga supermarket “Kipper”, shkruan gazeta KOHA.

“Sa i përket parkut te Xhamia e Pashës, jeni në dijeni dhe e keni parë që kanë filluar punimet rreth rregullimit të asaj pjese të parkut, gjegjësisht bëhet fjalë për një pranim të donacionit nga ana e supermarketit ‘Kipper’ në vlerë prej 8 milionë e 892 mijë denarë. Në këtë rregullim parashihet vendosja e sistemit të ujitjes, vendosjen e ulëseve, rregullimin e trotuareve, këndeve për fëmijë, vendosjen e koshave për plehra, gjithashtu janë të parapara pika apo qendra për ujë për pije. Është një projekt voluminoz në vlerë prej 8 milionë e 892 mijë denarë, projekt i cili besoj se do të ia kthejë pamjen që i duhet kësaj pjese të qytetit”, thotë Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Ky investim pritet të rregullojë imazhin e parkut të Xhamisë së Pashës, që ka me mijëra vizitorë brenda viti, thonë nga Këshilli i Xhamisë më të vizituar në Maqedoni. “Për shkak të kushteve klimatike, punimet kanë ngecur për një periudhë, dhe me përmirësimin e kohës – punimet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar. Sipas njohurive që kemi dhe planit që kanë përgatitur inxhinierët, shpresoj se do të jetë një investim i mirë që ia ka vlejt si për qytetarët, ashtu edhe për vizitorët. Besoj se ndriçimi do të jetë më i mirë, me ulëse”, tha Mensur Miftari, kryetar i Këshillit të Xhamisë së Pashës. Në ndërkohë, ka patur shumë reagime lidhur me krasitjen e drunjve që janë në këtë park. Edhe nga Komuna edhe nga Këshilli i Xhamisë së Pashës pohojnë se krasitja e drunjve është bërë në bazë të rekomandimeve të ekspertëve dhe drunjtë nuk do të humbin vitalitetin e tyre.

“Krasitje është bërë edhe vitet e kaluara, mirëpo me një intensitet më të vogël. Megjithatë, sa i përket krasitjes së drunjve tani, mendojmë se ajo është bërë në formën që ekspertët kanë vendosur dhe në bazë të përshtatjes së projektit, i cili pritet të realizohet”, thotë Memeti. Edhe nga Këshilli i Xhamisë së Pashës, lidhur me këtë thonë se sipas informacioneve që kanë, krasitja e drunjve është bërë në bazë të rekomandimeve të agronomëve. Krasitja, siç shpjegojnë si nga komuna ashtu edhe nga Këshilli i xhamisë, është bërë në lartësi 7 metra me qëllim që të ketë pamje më të mirë, por edhe në të ardhmen të mos jetë çerdhe e narkomanëve, por e vizitorëve. Ndryshe, mirëmbajtja për disa vite do të jetë në barrë të investitorit. (koha.mk)