Reuters: Largimin e Trumpit e duan “vetëm” 42% e amerikanëve

3

Më pak se gjysma e të gjithë amerikanëve thonë se presidenti Donald Trump duhet të largohet nga detyra pas “impeachment-it” nga Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, sipas një sondazhi të realizuar nga Reuters/Ipsos i cili u publikua të enjten dhe që paraqet një sfidë për Demokratët që do të kërkojnë largimin e tij në një seancë së Senatit amerikan.

Ky sondazh, i realizuar pak orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi përgjatë vijave partiake të mërkurën për të akuzuar Trumpin për abuzim me detyrën e tij dhe për pengim ndaj Kongresit, zbuloi se akti i rrallë dhe mjaft i diskutueshëm nga ligjvënësit ka bërë pak për të ndryshuar mendimet në një vend të ndarë, transmeton Koha.net.

Kur u pyetën për akuzat specifike të “impeachment-it”, 53% u pajtuan se Trumpi kishte abuzuar me zyrën e tij dhe 51% u pajtuan se ai ka penguar Kongresin.

Rreth 42% e respodentëve – shumica nga ta demokratë – thanë se Kongresi duhet të vazhdojë me iniciativën e tij dhe të largojë presidentin nga zyra.

17% kanë thënë se Trumpi duhet të censurohet nga Kongresi, ndërsa 29% thanë se dëshirojnë të hedhen poshtë akuzat për “impeachment”, ndërsa të tjerët thanë se nuk kanë një mendim.

Publiku ka mbetur i ndarë thellësisht për “impeachment-in” ndaj Trumpit, i cili i ka quajtur seancat për “impeachment” si gjueti shtrigash dhe tentim ilegal për ta dëbuar atë nga pozita.

Në përgjithësi, vetëm 44% e publikut amerikan thonë se aprovojnë tentimin e Dhomës së Përfaqësuesve për të dëbuar Trumpin nga posti, ndërsa 41% e refuzojnë.

Dhe kur u pyetën se si i ka bërë ata të ndihen për presidentin pas “impeachment-it”, 26% thanë se më shumë e përkrahin tani Trumpin, 20% thanë se e përkrahin më pak, kurse 48% thanë se nuk ua ka ndryshuar pikëpamjen në asnjë mënyrë.

Sondazhi i Reuters/Ipsos është realizuar online, në gjuhën angleze, në mbarë SHBA-në. Ka mbledhur përgjigje nga 1,108 persona mes 18-19 dhjetorit dhe ka margjinën e gabimeve për 3 pikë të përqindjes.

Comments are closed.