Marco Reus ka fjalë të mëdha për Mesut Ozil. Ai e konsideron gjermanin me “rrënjë” turke si futbollistin më të mirë, me të cilin ka pasur rastin të luajë në karrierë. Në fakt, Reus ka luajtur me lojtarë si Robert Lewandowski, Mario Gotze, Toni Kroos dhe golashënuesin më të mirë të Gjermanisë, Miroslav Klose, por veçoi mbi të tjerët “dirigjentin” aktual të Arsenalit.
Ozil është tërhequr nga kombëtarja gjermane, pas një përplasje verbale që pati me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB), duke pretenduar edhe për diskriminim nga mediat gjermane. Kjo ndodhi mbas zhgënjimit të madh në Botërorin e Rusisë, verën e kaluar. Reus shpreson që lojtari i tij i preferuar të jetë në gjendje të luajë rregullisht në formacionin titullar të Unai Emery.
“Mesut Ozil, – tha ylli i Borussia Dortmund për “Copa 90”, kur u pyet për lojtarin më të mirë, me të cilin ka luajtur. – Mënyra se si asiston te golat, si e ka vizionin për lojën, si shërben për shokët skuadrës është unike. Ai ka dhënë kaq shumë asiste në Premier League dhe në ekipin tonë kombëtar.
Mesut është një lojtar inteligjent dhe këtë mund ta konstatoni menjëherë, me shikim të parë. Gjithmonë më ka pëlqyer të luaj me të dhe për këtë arsye më vjen keq që u tërhoq nga Gjermania. Shpresoj të rifitojë formën maksimale dhe të luajë rregullisht për Arsenalin”.