Retorika e partive politike shqiptare nuk është e ashpërsuar por është pa përmbajtje. Ashpërsim do të ishte sikur partitë t’ia kujtonin njëra tjetrës dështimet dhe mos-përmbushjen e premtimeve
Destan JONUZI
Shkup, 14 janar – Retorika politike në spektrin politik shqiptarë nuk është ashpërsuar, por është pa përmbajtje, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend duke folur për gazetën KOHA për aktualitetin politik në vend, në prag të zgjedhjeve të 12 prillit. “Retorika e partive politike shqiptare nuk është e ashpërsuar, por është pa përmbajtje. Ashpërsim do të ishte sikur partitë t’ia kujtonin njëra tjetrës dështimet dhe mos-përmbushjen e premtimeve. ‘Nëna e madhe’ e Ali Ahmetit u sulmua nga të gjithë, por pa dashje, ata të gjithë ndoqën qëllimin e BDI-së që është promovimi i frazeologjisë popullore të kryetarit të BDI-së. Nga ana tjetër ASH duket se nuk e do Besën në koalicion dhe po flirton me Alternativën me qëllim që të duket më dominante ndaj saj. Pjesa tjetër është butafori. Të gjitha partitë kanë nevojë për avancim dhe modernizim të mënyrës së të bërit fushatë. Përndryshe do të ngelin atraktiv vetëm për gjeneratën e më të vjetër, por jo edhe për atë të instagramit e snapchat-it”, deklaroi për KOHA, Agron Vrangalla, profesor universitar i gazetarisë.
Ndërkaq, Katarina Sinadinovska – kryetare e Këshillit për etik në media vlerëson se mos kujdesi në kulturën e komunikimit me opinionin në shumë raste është joshembullor. “Me ekspanzimin e internetit dhe mediave sociale, depërtimi i këtij narrativi te qytetarët është shumë i lehtë. Nga këtu kam përshtypjen se për çdo ditë jemi të bombarduar, me një fjalorë të pahijshëm dhe agresiv. Fajtorë për këtë janë edhe vetë politikanët, analistët, ekspertët dhe të gjithë personat publik, por edhe mediat të cilat e nxisin atë komunikim”, thotë për KOHA, Sinadinovska. Sipas saj, nëse politikanët përdorin një gjuhë të kulturuar dhe në nivel, në suaza të normales, ajo për ata nuk do të jetë në nivel të normales. Andaj shprehet ajo, është kjo gjendje e cila është!
Nga ana tjetër, profesoresha universitare Besa Kadriu, konsideron se partitë politike duhet të jenë shumë konstruktive e permanent, sidomos në fushatat elektorale, në mënyrë që të paraqesin sa më denjësisht platformat e tyre. “Në një shoqëri si e jona, jo gjithnjë ndodh që të kemi një afërsi dhe bashkëpunim konstruktiv i cili do te kishte dhënë efekte pozitive. Ka tentativa të formave të reja të organizimit politik”, nënvizon Kadriu. Ajo shton se është e nevojshme që njëherë e mirë duhet kuptuar që partitë politikë nuk duhet të shndërrohen në vasal të individëve të caktuar, apo të jenë në shërbim të grupeve të interesit. Ndryshe, më 12 shkurt pritet të shpërbëhet Parlamenti dhe të shpallen edhe zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Edhe pse fushata për këto zgjedhje nuk ka filluar zyrtarisht, partitë politike në vend, që nga momenti që janë dakorduar për zgjedhje të parakohshme parlamentare në takimin te Presidenti Pendarovski kanë filluar fushatën dhe betejën politike për këto zgjedhje. (koha.mk)