Përderisa një pjesë e qytetarëve ankohen dhe shprehin pakënaqësi për trajtimin nga ana e EVN-në, një pjesë tjetër e qytetarëve, të cilët janë pagues të rregullt të faturave mujore për shfrytëzimin e energjisë elektrike, thonë se ata janë viktimë e atyre bashkëqytetarëve që e keqpërdorin rrjetin përçues të rrymës elektrike, duke u lidhur në të zezë
Omer XHAFERI
Shkup, 10 janar- Ashtu siç çdo dimër edhe sivjet një pjesë e konsiderueshme e lagjeve të Shkupit dhe rrethinës ballafaqohen me restrikcione të rrymës elektrike. Në kohën kur temperaturat e ulëta arrijnë deri në -10 gradë celsius, banorët e lagjes së Dizhonit, Seravës e Gazi Babës vazhdimisht ankohen se janë të shkyçur nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike. Me këtë problematikë vit pas viti ballafaqohen edhe shumë fshatra të Komunës së Sarajit, shkruan gazeta KOHA.
Si rezultat i kërkesës së madhe për tu furnizuar me rrymë elektrike dhe mungesës së infrastrukturës së përshtatshme për ti përmbushur nevojat e qytetarëve, ditëve të kaluar në disa lagje të Çairit janë djegur disa shtylla elektrike. Përveç shtyllave në fjalë, rrjeti i përçimit të rrymës elektrike ka pësuar edhe në pjesën e trafostacioneve. Ndonëse siguresat janë me voltazhë të madhe, ato megjithatë nuk arrijnë ti përballojnë presionit të madh të shfrytëzimit të rrymës elektrike.
Zëdhënësja e kompanisë energjetike EVN Maqedoni, Vjosa Selimi për gazetën KOHA, shprehet se arsyeja kryesore se pse në Seravë, Gazi Babë e Dizhon ka probleme me energjinë elektrike është mbingarkesa e rrjetit energjetik i cili brenda kohe shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar dhe ilegalisht.
“Ekipet e Elektrodistribucionit janë në terren gjatë gjithë kohës dhe intervenojnë çdo 1-2 orë, ndërsa vetëm gjatë kohës së fundjavës u zëvendësuan qindra siguresa të djegura në zonat kritike. Ajo që është më e frikshme është që mund të paraqiten edhe defekte më të mëdha, mënjanimi i të cilave do të zgjasë me ditë, ndërsa në këto temperatura të ulëta do të ngrijnë të gjithë konsumatorët. Apelojmë për shfrytëzim të arsyeshëm të energjisë elektrike që të mos shkaktohen defekte më të mëdha. Përveç pjesës së gjerë teknike, ekipet e Elektrodistribucioni kanë dhe problem me qytetarë të caktuar të pandërgjegjshëm të cilët në vend që të ndihmojnë të tejkalohet situata, i pengojnë ekipet ta kryejnë punën e tyre”, thekson Selimi nga kompania EVN.
Përderisa një pjesë e qytetarëve ankohet dhe shprehin pakënaqësi për trajtimin nga ana e EVN-në, një pjesë tjetër e qytetarëve, të cilët janë pagues të rregullt të faturave mujore për shfrytëzimin e energjisë elektrike, thonë se ata janë viktimë e atyre bashkëqytetarëve që e keqpërdorin rrjetin përçues të rrymës elektrike. Lidhja në të zezë në sistemin e furnizimit me rrymë elektrike, përpos që është një vepër e rëndë penale, në të shumtën e rasteve ajo është dëshmuar si një vendim i kobshëm për shumë familje. Rreziku për shkaktimin e zjarreve në shtëpitë apo në objektet tjera që furnizohet me rrymë në aspektin jo ligjor, siç është dëshmuar shpesh herë deri më tani është tepër i mundshëm.
Ndryshe, situata më kritike ditëve të fundit është regjistruar në rrugën Kosta Abrasheviq, në lagjen e Seravës në Shkup, ku kabllot përçuese të rrymës elektrike, si pasojë e ngarkesës së madhe kanë marrë flakë. Kategori tjetër e qytetarëve që vuajnë nga mungesa e rrymës elektrike janë edhe rastet sociale, të cilët shpesh herë e pranojnë se harxhojnë rrymë (nuk e keqpërdorin), por për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme financiare dhe faturave të larta mujore, nuk kanë mundësi që ti shlyejnë borxhet ndaj EVN-së. (koha.mk)