Në një restorant në Toronto të Kanadasë, në kuzhinë punojnë 14 kuzhinierë. Të gjithë janë të infektuar me virusin HIV, që shkakton AIDS-in vdekjeprurës. Ideja për krijimin e një restoranti të tillë ka ardhur si tentim për të larguar paragjykimet që ekzistojnë rreth personave me HIV/AIDS.
Në një sondazh, kishte dalë që gjysma e kanadezëve nuk do ta hanin ushqimin e përgatitur nga një person me këtë virus.
Prandaj, Joanne Simons që drejton restorantin “Casey House”, thotë që kjo ka rëndësi pasi Kanadaja po përballet shumë me këtë problem, pasi shtatë kanadezë në ditë diagnostifikohen me HIV. “Mendoj që edhe pse trajtimi është përmirësuar, ekziston paragjykimi që po të kesh kontakt me të infektuar me HIV, infektohesh edhe ti dhe ky është dënim me vdekje”, thotë Simons.
Ajo shpjegon që kur e hapi restorantin, njerëzit pyesnin se si veprohej kur kuzhinierët priten aksidentalisht me thikë, ose pësojnë aksidente të tjera. Gjaku infekton menjëherë personat në kontakt.
“Ne kujdesemi që të pastrojmë menjëherë kuzhinën dhe të mos lëmë gjurmë gjaku të infektuar”, thotë ajo. “Nuk ka rrezik që virusi të merret nga ushqimi, pasi HIV vdes kur gjella zihet dhe s’mund të jetojë në kushte atmosferike”, shpjegon ajo.
Njëra nga kuzhinieret e infektuar me HIV kishte humbur të dy prindërit po nga ky virus. Ajo thotë që prindërit e saj as që mund ta kishin imagjinuar një restorant të tillë dhe se në atë kohë, infektimi me HIV mbahej shumë sekret brenda familjes.
Përndryshe, restoranti ka shumë klientelë, kryesisht njerëz që janë mirë të informuar për virusin, apo kuriozë që duan të dinë më shumë. Virusi HIV/AIDS është një prej shkaktarëve më të mëdhenj të vdekjeve në botë.