Restorantet franceze ofrojnë ushqime falas në përgjigje të krizës së Covid-19

26

Franca ka filluar heqjen graduale të kufizimeve, por jo për restorantet. Një sondazh i ri zbuloi se pandemia e koronavirusit mund të shkaktojë mbylljen e gati një të tretës së restoranteve franceze, që do të ishte një zhvillim tragjik për Francën, e njohur në të gjithë botën për kuzhinën e saj të shkëlqyeshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Paris, Lisa Bryant i hedh një vështrim sfidave të industrisë së restoranteve të shkaktuara nga Covid-19.

Një ditë tjetër në restorantin Sapristi, në të cilin gatuhen qindra racione ushqimore për klientët e uritur.

Si kudo tjetër në Evropë, Covid-19 ka çuar në mbylljen e restoranteve edhe në Francë. Askush nuk e di se kur do të rihapen ato.

Kamerierët dhe kuzhinierët janë pa punë. Ata po punojnë në bazë vullnetare këtu për një grup të ri klientësh.

“Ne po gatuajmë makarona a la strombolana dhe mish pule me kërpudha dhe majdanoz”, thotë Gilbert Benhouda, kryekuzhinier i restorantit Sapristi.

Këta kuzhinierë gatuajnë 3,500 racione në javë për personelin shëndetësor, policinë, zjarrfikësit dhe punonjësit që mbledhin mbeturinat. Ata po punojnë falas.

“Na pëlqen puna në restorant dhe gatimi, nuk mund të qëndrojmë në shtëpi dhe të presim”, thotë Hakim Gaouaoui, pronar i restorantit “Les Bistrots Pas Parisiens”.

Zinxhiri i restoranteve të zotit Hakim Gaouaoui ka dhënë më shumë se 60,000 dollarë për ushqimet falas dhe ka mbledhur 11,000 dollarë në donacione private. Njerëzit vlerësojnë ushqimet falas.

“Kjo na ndihmon në punën tonë të përditshme, është një plus që na bën të ndjehemi mirë”, thotë polici Julien Briatte.

Por, punët e bamirësisë nuk mund të zgjidhin problemin më të madh. A mund të mbijetojë industria e restoranteve në një botë pas koronavirusit, me përdorim të maskave dhe distancimin fizik? Edhe me ndihmën e qeverisë franceze që mori përsipër koston e papunësisë, industria e restoranteve tashmë ka humbur miliarda dollarë.

Zinxhiri i restoranteve të zotit Gaouaoui po humbet më shumë se 100,000 dollarë në ditë. Ai planifikon të fillojë një shërbim të dërgesave ushqimore për të ngadalësuar hemoragjinë derisa të mund të rihapen plotësisht restorantet e tij, dhe klientët të mos harrojnë shërbimet e tij.

“Ne nuk jemi as të gjallë e as të vdekur, jemi aty nga mesi… në një gjendje kome artificiale”, thotë zoti Gaouaoui.

Megjithatë zoti Gaouaoui dhe kuzhinierët e tij mendojnë se ky nuk është fundi i ngrënies në restorante. Ushqimi i cilësisë së lartë në restorante është pjesë e identitetit francez. Ata janë të sigurt se një ditë klientët e tyre do të rikthehen.

Comments are closed.