Pikturat e Reshat Ametit herë pas here kanë goditje aq të forta sa shndrisin në abstrakt, zhurma është aq e fortë, si rrufe, sa një shkëndijë midis goditjes së çekanit në farkë. Ne mund t’i dëgjojmë ngjyrat e saj, britma është aq e fortë, sa bën jehonë në hapësirë dhe nuancat përreth fushës së betejës janë të qeta dhe auroristike
Nga Behixhudin SHEHAPI, historian arti
Shumë krijues në këto hapësira, gjatë viteve të kaluara, pas demokratizimit të shoqërisë, në frymën e konstelacioneve të reja, janë ngritur në nivel botëror. Në mesin e atyre që e meritojnë epitetin e një piktori të kalibrit botëror, është padyshim edhe Reshat Ameti. Ky autor është mjaft i njohur për publikun e artit figurativ. Rrugën e tij të zhvillimit e ndjekim tashmë 30 vjet në skenën tonë të artit figurativ dhe nga kjo mund të konstatojmë se ai nuk është thjesht një piktor që nëpërmjet lëvizjes në pëlhurë e shpërfaq imagjinatën, figurat dhe objektet, por njëherësh ai është rritur në një person që fisnikëron me marrëdhënien e tij ndaj artit, të veprave artistike, duke iu drejtuar të rinjve, përkatësisht studentëve të tij, gjithmonë si një altruist i vërtetë, optimist dhe i buzëqeshur. Në të vërtetë, buzëqeshja e tij specifike është pasqyrim i krijimtarisë së tij, ku dominon humaniteti, shpresa, optimizmi, paqja, drita, përkatësisht bukuria e dritës së parajsës, e kapur nëpërmjet abstraksionit karakteristik, gjeometrik, idilit lirik, ndoshta shumë më tepër metafizik. Kjo qasje është karakteristike dhe e njohur në të gjitha fazat e krijimtarisë së tij, duke e motivuar të krijojë vepra me përhapje të dritës e cila sjell paqe shpirtërore, që e qetëson dhe e kultivon shpirtin deri në pafundësi. Kjo në fakt e bën artin e tij të jashtëzakonshëm dhe të veçantë. Me këtë “bagazh” estetik, me “nurin”, përkatësisht dritën magjike në veprat e tij, ai në mënyrë të pashmangshme hapëron drejt sfidave të reja në pikturën e vet, duke kapërcyer në mënyrë elegante opusin e tij nga faza e parë në fazën e dytë dhe nga e dyta në fazën e tretë të krijimtarisë, duke lënë pas vetes punime të shkëlqyera.
KUBIZËM DHE FUTURIZËM NË VEPRA, KU PRIN OBSESIONI ME ABSTRAKTEN
Reshat Ameti është ekspresionist tipik, por ekspresionist abstrakt mbresëlënës. Megjithëse ka kubizëm dhe futurizëm në veprat e tij, në fakt prin obsesioni e tij me abstrakten, i cili gradualisht shndërrohet në dalldisje me forma gjeometrike të qarta si kristali, të cilat në lojë me dritën bëhen elemente dominuese dhe të dukshme në veprat e tij. Me anë të shkëlqimeve abstrakte të asaj drite të shpërndarë, ai i zgjidh në mënyrë gjeometrike format e tij abstrakte nga të cilat lind një hapësirë karakteristike e ngjyrosur metafizike, në të cilën notojnë elemente kozmike, të njohura dhe herë të ndjera, yje dhe trupa të tjerë qiellorë që në imagjinatën e tij kurorëzojnë jetën dhe shpresën. E veçanta e tij qëndron pikërisht në abstraksionin karakteristik të realitetit. Më pas, ky abstraksion karakteristik për të, gjithashtu bëhet realiteti i tij, kurse fantazia e tij është burim i kreativitetit specifik, siç thotë filologu dhe romancieri gjerman Hugo Fridrih për piktorë të caktuar të artit abstrakt.
Krijimtaria e Reshat Ametit shprehet nëpërmjet katër shtyllave të krijimtarisë së tij gjatë tri dekadave të kaluara, dhe ato janë gjeometrizmi, abstraksioni lirik, drita dhe tradita. Roli i gjeometrizmit, i abstraksionit lirik dhe i dritës janë më të dukshme në krijimtarinë e tij, por gjithashtu edhe tradita është shumë e pranishme në të gjitha diskurset e tij tematike si një nevojë thelbësore, që paraqet motivim të pashmangshëm dhe jep shpirt në tërë opusin e tij. Më pas, elementet e traditës shprehen me ornamente, “qilima” të varur në pëlhurë dhe shumë vlera të tjera të trashëgimisë sonë kulturore që janë të njohura në përditshmërinë tonë.
RESHAT AMETI, PIKTOR I DRITËS MAGJIKE
Por, Reshat Ameti mbetet i njohur me dritën magjike në pëlhurat e tij që flasin për gjendjet e brendshme, për venat e shpirtit që përpiqen drejt idealit të bukurisë, që pranuesi duhet ta përthithë në vete, që ta ndiejë madhështinë e asaj drite. Arti i tij është përthithje e dritës që ai e dërgon, e cila në mënyrë energjike shëron, ushqen, ngroh dhe çliron shpirtrat. Reshati shpirtrat tanë i kultivon, i fisnikëron me dritë. Humanizmi i tij abstrakt ndërthuret dhe bashkohet në mënyrë kozmike, duke u dhënë ton emocioneve.
Ai na lidh me rrezet e tij të dritës, vorbullat dhe spërkatjet… Me gjithë ata stimuj të drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht subtilë, sikur i ka vënë detyrë vetes që t’i ndezë kandilat e shpirtrave, t’i hapë sqetullat tona nën të cilat pëllumbat e bardhë presin fluturimin drejt lirisë së tyre, e cila është e pafund në kohë dhe në hapësirë, si dhe e pafund në imagjinatën e tij. Me mjeshtëri i pikturon burimet dhe krojet e të gjitha formave të dritës, në mënyrë elegante dhe dramatike, ashtu sikurse ujëvarat që i ndajnë grykat me rënien e tyre elegante, duke shpejtuar drejt përplasjes dramatike, ku reja e bardhë është shpërthim i spërkave të ujit në të cilin përplasen ylberët. Ai krijon euforinë e tij kozmike, në atë përplasje antagoniste të ngjyrës së kaltër dhe të kuqes, ku lind konflikti, në të njëjtën kohë lidhet edhe dashuria.
Abstraksionet e tij janë magjike, tërheqëse në mënyrë magnetike, hipnotizuese. Pikturat gdhenden në ndërgjegjen e atij që i shikon. Ai kaos paqësor, i pasqyruar në pëlhurë, në qendër të kompozicionit, shpesh krijon përplasje të energjive të polarizuara ose spërkatje ngjyrash, ndjenjash, aromash dhe evokime të kujtimeve të largëta. Këto krijime të rrufeshme, si nëpërmjet një shkrepjeje të dritës, na hedhin në feksje drejt kujtimeve të disa gjendjeve të thella emocionale. Ngjyrat e Reshatit kuq dhe kaltër e duan njëra-tjetrën, tërhiqen, luftojnë dhe rezistojnë. Në pikturat e tij vlon krijimi i jetës.
Ajo pleksje e bukur e iluzioneve është koktej i shqetësimit të energjisë në harmoninë e hapësirës, ku lëvizja e tij e pikturës është stimul që na frymëzon t’i gëlltisim me sy ato shprehje të bukura dhe të forta që emocionojnë. Në atë galop ngjyrash nëpërmjet të cilave konkurron antagonizmi dhe fërkohen forcat që shpërndajnë dritë dhe mbjellin yje, njihen energjitë e zbutura, kuajt e egër, tërbimi i të cilëve është i frenuar. Dhe, në tërë atë fuqi, njeriu kultivon natyrën e cila i lejon atij ta zbusë zgjimin e saj të pakontrolluar, ta drejtojë dhe ta rregullojë atë, ta qetësojë. Pikturat e Reshat Ametit herë pas here kanë goditje aq të forta sa shndrisin në abstrakt, zhurma është aq e fortë, si rrufe, sa një shkëndijë midis goditjes së çekanit në farkë. Ne mund t’i dëgjojmë ngjyrat e saj, britma është aq e fortë, sa bën jehonë në hapësirë dhe nuancat përreth fushës së betejës janë të qeta dhe auroristike.
ENERGJIA SI NJË AURË ME NGJYRA-NGJYRA
Te Reshati, në atë pluhur ose humnerë atribuohet mitra e cila ka vendosur, lindur ose i ka dhënë arenës së ekzistencës kozmike, një qenie fatdhënëse, qelizë, vetëdije … Në qoftë se jeta është energji, kurse energjia një aurë, e cila rrezaton rreth trupit si një medie midis lëkurës dhe hapësirës, për Reshatin ajo aurë ka ngjyrë. Dhe pikërisht këtë e perceptojmë si të ngrohtë, të kuqe, ngjyrë portokalli, të verdhë, vjollcë ose të kaltër, të gjelbër si një fushë е qetë ose е tensionuar si një dredhkë е shkathët. Dhe ajo përplasje e njohur e Reshatit gjithmonë shkëlqen dhe reflekton dritë.
Në kompozime shpeshherë në mes është vatra abstrakte, zjarri nga i cili lind feniksi, ndërsa embrioni është një gjuhë e konturuar e zjarrtë, e cila diku flakëron, e diku ngrihet. Në pikturat e këtij “sundimtari të ngjyrave dhe të pëlhurave” janë shumë mbresëlënëse edhe vorbullat. Ato janë ciklone energjie që sillen dhe thithin shpirtrat, shpërndajnë lot, britma, shuplaka dhe puthje, të cilat duket se janë mëndafshi ose gravitojnë lirshëm rreth zinxhirit strukturor të ADN-së i cili në vete bart kodin e jetës. Këto “prerje të arta” janë aq analoge me ato të “natyrës”. Disa janë peizazhe nëpër të cilat përshkohet folklori gjeometrik, ku, nëse largoheni dhe e imagjinoni, do ta gjeni diku në ndonjë reminishencë të kujtimeve të zbehta të fëmijërisë, të rinisë ose të takimeve të veçanta, të konturuara në kujtimet pastelike të një shtëpie të njohur, vatre, shtëpie, pragu ose qilimi me ornament të njohur mirë.
Në disa nga pikturat, duket sikur plotësisht është e hapur kutia e Pandorës, nga e cila dalin dragonj, forca jashtëtokësore, erëra dhe tërbim… Por pse t’i mbyllni sekretet e botës, kur ato mund të fluturojnë lirshëm nëpërmjet valvulës së hapësirës, për arsye se ata, si dhe drita janë krijim i Krijuesit, Zotit të Plotfuqishëm. Reshati është i guximshëm. Çdo pikturë është kaos dhe kozmos, prapa një dere ose dritareje të mbyllur që ai thjesht e hapi dhe pikturoi me vizionin dhe dhembshurinë e tij për konceptin e natyrës, ekzistencës dhe sekreteve të botës. Në gjithë atë tango antagoniste të fytyrës së kaltër dhe të kuqe të këtij parimi dualist të ekzistencës sonë, Reshati vërejti forma dhe emocione që vendosi të mos i përcaktojë, por t’i abstraktojë, duke qëndruar afër misticizmit dhe metafizikës… Ai me penelin e tij i shartoi alternativat e mundshme të vizionimit, la një perceptim të hapur për këdo që dëshiron t’i gjejë dhe t’i njohë gjendjet emocionale të tonifikuara.
ABSTRAKTËSI KU FSHIHEN SHUMË QARTËSI
Arti i Reshat Ametit nuk është në kuptimin e vërtetë të fjalës mohim i materialit, që ta quajmë abstrakt. Pra, në abstraktësinë e tij fshihen shumë qartësi, figura të bujshme, trajta, objekte që ai i krijon në mënyrë të pagabueshme me saktësi dhe që shoqërohen me forma nga bota reale dhe materiale. Pikërisht ky stil i rafinuar e bën Reshat Ametin unik në të gjitha fazat e tij. Lidhur me punën dhe preokupimin e tij me dritën, e cila është kryesisht metafizikë, akademiku Luan Starova thotë: “Një piktor i udhëhequr nga burimi i rrezeve mesdhetare dhe nga kryqëzimi i tyre në dramën e jetës, të dritës gjeometrike, të mbajtjes shpirtërore, të intelektualit, ndërton poetikën e vet të pikturës nga piktura në pikturë, nga cikli në cikël”.
Drita dhe optimizmi, gjeometria lirike dhe tradita në punën e tij 30 vjeçare përkulen para fjalës së madhe – ART. (koha.mk)