Kthimi i rendit republikan dhe depersonalizimi i shtetit, thotë Reka, është synimi i mandatit tim presidencial, sepse shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj si të barabartë
Zejnulla VESELI
Shkup, 3 prill – Fushata zgjedhore për president shteti i të tre kandidatëve po hyn në ditën e tretë ndërsa do të përfundojë me 19 prill. Në takimet me qytetarët – të tre kandidatët kërkuan nga qytetarët të dalin masovikisht dhe të votojnë pa marrë parasysh cilës parti apo etniteti i takojnë. Kandidat i pavarur për president shteti, Blerim Reka, i cili ka mbështetjen e plotë të dy partive opozitare shqiptare – Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA, gjatë 20 ditëve sa do të zgjatë fushata parazgjedhore, thotë për gazetën KOHA se do të vizitojë të gjitha qytetet dhe vendbanimet kryesisht të banuara më popullatë shqiptare.
“Rikthimi i Republikës është thelbi i Programit politik të kandidaturës time presidenciale. Maqedonia është shtet, por jo Republikë. Republikën e vërtetë e bëjnë sundimi i ligjit, demokracia, gjykatat e pavarura dhe respektimi i drejtave të njeriut. Sundimi i individit e zhbën Republikën, e bën atë shtet privat. Prandaj edhe Programi im presidencial do të mbështetet në tre shtyllat kryesore: stabilizimi i marrëdhënieve ndëretnike, politikë e jashtme euroatlantike, koekzistenca rajonale fqinjësore, kthimi i perspektivës jetësore në vend, si dhe parandalimin e zbrazjes së vendit”, thotë prof. Blerim Reka. Pra, kthimi i rendit republikan dhe depersonalizimi i shtetit, thotë Reka, është synimi i mandatit tim presidencial, sepse shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj si të barabartë. “Maqedonia e Veriut si shoqëri shumëetnike duhet të jetë edhe Republikë shumëetnike. Më së paku, ajo mund të funksionojë me dozat e lejuara për të drejtat individuale, kolektive”, thotë për KOHA, Reka.
Republika, thotë në vazhdim Reka, nuk njeh demokracinë e dozuar për “kombet statistikore”, të cilëve u lejohen aq të drejta sa për qind janë. “Në Republikë, nuk ka ‘dhënie’ të drejtash, sepse ato janë të drejta natyrore si shtetas të këtij shteti, e jo nga diskrecioni i pushtetit që vendosë se kujt, kur, e sa të drejta do t’i lejohen”, thotë Reka. Ky synim, shprehet ai, një Republikë e njëmendtë do të jetësohet përmes pesë drejtimeve të Programit të tij presidencial.
“Këto pesë drejtime të rikthimit të Republikës janë edhe pesë prioritetet e Programit tim presidencial. E para, Republikë stabile shumë-etnike. E dyta, anëtare e 30 NATO-së. E treta, shtet-negociator për anëtarësim në BE. E katërta, zero probleme me fqinjët dhe shtylla e fundit që mund të jetë dhe drejtim i parë që duhet të shkojë Maqedonia e Veriut – shtet me perspektiv dhe jo shtet i zbrazët”, thotë Reka. Si president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reka zotohet se do vazhdoj me politikë të pajtimit fqinjësor, mbi platformën zero probleme me fqinjët.
Gjuha shqipe, vazhdon Reka, nuk është i vetmi problem i kompleksit ndëretnik në Maqedoninë e Veriut, madje as njëri nga synimet e Marrëveshjes së Ohrit siç është përfaqësimi adekuat në institucionet shtetërore. “Kjo, sepse pesë postet më të larta shtetërore ende mbeten etnikisht të rezervuara, si Presidenti, Kryeministri, Ministri i Jashtëm, Ministri i Financave dhe Shefi i Zbulimit. Prandaj koncepti im nuk është shoqëri për të gjithë, por shtet për të gjithë. Nëse jemi të gjithë pjesë e kësaj shoqërie, atëherë duhet të jemi edhe pjesë e shtetit që është i të gjithëve, rrjedhimisht edhe gjuha shqipe si zyrtare, si dhe funksionet më të larta shtetërore. Në një Republikë për të gjithë, nuk ka funksione shtetërore etnikisht të rezervuara vetëm për një komb e as gjuhë të kategorisë së parë dhe të dytë”, thotë Reka.
Ai ka folur edhe për perspektivën e të rinjve në Maqedoninë e Veriut. “Vendi u zbraz për një çerek, kurse paralajmërimet janë që deri në 2030, mund të ikë edhe çereku tjetër i popullsisë. Këtë ikje nuk e shkakton vetëm papunësia, por edhe lodhja e qytetarit nga nepotizmi dhe korrupsioni, nga mungesa e sundimit të ligjit dhe nga gjyqësori i politizuar. Nuk ka perspektivë edhe kur vendi me vite renditet ndër më të ndoturit në botë. Nëse tani nuk e rikthejmë Republikën në binaret euroatlantike, ç’na duhet nesër anëtarësimi në BE, si shtet i zbrazur kur veçmë gjysma e popullatës do të jetë e ‘integruar’ në BE. Si president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të punoj në parandalimin e integrimit në BE si shtet i zbrazur”, thotë për KOHA, Reka.
Ai megjithatë e pranon se një shqiptarë vështirë mund të fitoj votat për president, por se as maqedonasi nuk mund të bëhet president pa fituar votat e shqiptarëve. Deri më tani, sipas Rekës, votuesit shqiptarë ishin vetëm makinë elektorale për fitoren e kandidatëve maqedonas dhe se ishin vetëm votues, por jo të votuar. “Prandaj, bazuar nga këto dy situata paradoksale, duhet ndryshuar Kushtetuta dhe në të ardhmen duhet inauguruar posti i Nënkryetarit të Republikës, ose Presidenti duhet të zgjidhet nga ana e parlamentit me 2/3-ën e votave”, thotë Reka. Në rastin e parë, thotë Reka, kandidati i dytë më i votuar që nuk i përket komunitetit shumicë, do të zgjidhej automatikisht Nënkryetar i Republikës dhe me këtë, do të ishte gardian i statusit të shqiptarëve me të drejtën e dekretimit të ligjeve që prekin të drejtat e shqiptarëve.