Trumpi la zyrën me 34 për qind të përkrahjes, sipas Gallupit – shifra më e ulët e presidencës së tij, por shumica e republikanëve e kanë vlerësuar me 82 për qind performancën e tij si president. Ani pse shumë prej tyre tentojnë të ecin përpara, popullariteti i Trumpit siguron se në bazën e republikanëve do të vazhdojë të jetë forcë e madhe politike
Për herë të parë pas më shumë se një dekadë, republikanët zgjohen në Washingtonin në të cilin demokratët kanë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, duke iu përshtatur një periudhe me fuqi të zbehur, paqartësi të thella dhe përplasje të brendshme. Kalimi në një status minoriteti është gjithmonë i vështirë. Nxit debate se kush duhet fajësuar për zgjedhjet e mëparshme. Ama, ky proces është shumë i ndërlikuar, për shkak se republikanët përballen me pyetje të thella se për çfarë qëndron partia, tani kur Donald Trumpi nuk është në krye.
Në katër vjetët e fundit, vlerat e partisë republikane ishin të lidhura nyjë me tekat e një presidenti që vazhdimisht ka minuar institucionet demokratike dhe bëri tregti me angazhimet jetëgjate të partisë për disiplinë fiskale, politikë të jashtme më të fuqishme dhe sundim të ligjit për populizëm të paqëndrueshëm. Partia tani përballet me vendimin për të shkuar në këtë drejtim, siç po kërkojnë përkrahësit besnikë të Trumpit, apo për t’i hyrë një shtegu të ri.
MES DY ZJARRESH
Guvernatori i Marylandit, Larry Hogan, një prej republikanëve të paktë që vazhdimisht kanë kundërshtuar trumpizmin, përmendi presidentin Ronald Reagan, kur tha se ka ardhur “momenti për të zgjedhur”. “Duhet të vendosim nëse do të vazhdojmë drejtimin e Donald Trumpit apo t’i kthehemi rrënjëve tona”, ka thënë Hogani, kandidat potencial për garën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. “Partia do të ishte më mirë sikur t’i ndante rrugët me Donald Trumpin, por nuk mendoj se ka shumë shpresë që ai të largohet krejtësisht nga partia”, ka shtuar ai.
Se çfarë do të bëjë partia në muajt e ardhshëm përcaktohet nga lëvizjet e republikanëve, si senatori Ted Cruz. Cruz për javë të tëra mbështeti qëndrimet e rrejshme të Trumpit për manipulim të zgjedhjeve. Këto qëndrime nxitën dhunën në Capitol, shtëpinë e demokracisë amerikane. Zyrtarët e zgjedhur republikanë në shtete kyç kanë thënë se fitorja e presidentit Joe Biden ishte e pastër. Pretendimet e Trumpit vazhdimisht u hodhën poshtë nga gjykatat, përfshirë edhe nga gjykatësi që ai vetë kishte emëruar. Cruz njohu fitoren e Bidenit, por refuzoi ta përshkruante atë se ishte legjitime.
“Ai fitoi zgjedhjet, tani është president. Po vij nga inaugurimi i tij”, ka thënë Cruz për Bidenin. Cruzi dhe Trumpi do të mbesin pjesë të rëndësishme të debateve politike, por Partia Republikane duhet të distancohet nga gjuha dhe retorika përçarëse në zgjedhjet e fundit tjetërsoi votuesit e periferisë, sidomos gratë. “Presidenti Trump natyrisht se do t’i bëjë të njohura qëndrimet e tij që do të vazhdojnë të kenë ndikim, por mendoj se teksa shteti shkon përpara, duhen politika që funksionojnë dhe si parti duhet të bëjmë punë më të mirë për t’ua fituar njerëzve mendjen dhe zemrën”, ka thënë Cruz, që synon garën për Shtëpinë e Bardhë.
DISTANCIMI PREJ TRUMPIT
Pas kaosit në Capitol, një grup i vogël, por i rëndësishëm i republikanëve kanë marrë qëndrime të ashpra ndaj Trumpit ose janë distancuar krejtësisht nga ai. Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, para inaugurimit të Bidenit ka thënë se kryengritësit që ia mësynë Capitolit u provokuan nga presidenti. Madje, edhe Mike Pence, zëvendëspresidenti i Trumpit dhe përkrahësi i tij më i madh, shmangu ceremoninë e largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë me qëllim që të merrte pjesë në inaugurimin e Bidenit.
Trumpi është strukur të mërkurën në pronën e tij në Florida. Me vete ka marrë një grumbull këshilltarësh që kishte në Shtëpinë e Bardhë. Përveç këtyre këshilltarëve nga Washingtoni, Trumpi do të ketë qasje në komitetin e mirëfinancuar “Save America PAC”, që pritet të përfitojë miliona dollarë donacione që rrodhën nga valixhet e fushatës së tij pas humbjes në zgjedhje. Të afërmit e Trumpit besojnë se do të qëndrojë në hije gjatë këtyre ditëve, sepse do të përqendrohet në procesin e shkarkimit, për shkak të nxitjes së kaosit. Pas kësaj, pritet që të dalë në sipërfaqe duke ofruar intervista dhe duke kërkuar strehë të re në rrjetet sociale, pasi humbi çerdhen e tij të fuqishme në Twitter.
Derisa planet marrin formë, Trumpi pritet të mbesë aktiv në politikë. Do të kërkojë hakmarrje duke mbështetur sfiduesit e republikanëve që ai beson se e përbuzën në ditët e tij të fundit. Do të vazhdojë të lërë derën hapur për garën në presidencialet e vitit 2024. Miqtë e tij besojnë se ai do të flirtojë me idenë si kandidat i partisë së tretë, duke copëtuar edhe më shumë Partinë Republikane. Teksa doli për herë të fundit nga Shtëpia e Bardhë, Trumpi bëri një betim ogurzi: “Në njëfarë mënyre do të kthehemi këtu”. Shumë prej përkrahësve të rryer të Partisë Republikane vazhdojnë të promovojnë teoritë konspirative, të përqafojnë nacionalizmin e bardhë dhe mbi të gjitha të dëgjojnë zërin e Trumpit si të një ungjilli.
Besnikët e Trumpit në shtetet, si Michigani, Pennsylvania dhe Wyomingu kanë shprehur pakënaqësitë ndaj dhjetë republikanëve që votuan me demokratët për hetimin që mund të shpjerë te shkarkimi i Trumpit. Njëri prej tyre, republikani Pete Meijer, ka thënë se bleu jelek antiplumb për t’u mbrojtur nga vala e kërcënimeve të përkrahësve të Trumpit. Në Montana, drejtuesi i republikanëve, Frank Eathorne, ngriti si mundësi përjashtimin dhe kritikoi kongresisten Liz Cheney, një tjetër republikane që përkrahi procesin e shkarkimit të Trumpit. Eathorne ka thënë se do të jetë besnik i Trumpit. “Komiteti Kombëtar i Republikanëve vazhdon ta shohë Trumpin si lider të partisë edhe për të ardhmen…. (partia e shtetit) pajtohet”, ka thënë Eathorne, duke shtuar se Trumpi përfaqëson parime të panumërta mbi të cilat qëndrojnë shteti dhe Partia Republikane.
NDIKIMI I TRUMPIT
Trumpi la zyrën me 34 për qind të përkrahjes, sipas Gallupit – shifra më e ulët e presidencës së tij, por shumica e republikanëve e kanë vlerësuar me 82 për qind performancën e tij si president. Ani pse shumë prej tyre tentojnë të ecin përpara, popullariteti i Trumpit siguron se në bazën e republikanëve do të vazhdojë të jetë forcë e madhe politike. Përkundër të gjitha sfidave, republikanët nuk e kanë të sigurt se do të marrin njërën ose dy dhomat e Kongresit gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Që prej atyre të vitit 2006, partia në Shtëpinë e Bardhë mesatarisht ka humbur 37 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve. Aktualisht, demokratët janë shumicë me 10 ulëse më shumë, ndërsa në Senat janë të barabartë me republikanët.
Hogan, guvernator i Marylandit, ka thënë se Partia Republikane mund të jetë në pikën e saj më të ulët, por tërheq vërejtjen se Reagani rimori Shtëpinë e Bardhë për republikanët vetëm gjashtë vjet pasi presidenti Richard Nixon ishte detyruar të jepte dorëheqje, si i poshtëruar. “Natyrisht se Trumpi ende ka ndikim në bazën republikane, por ka shumë njerëz të mirë që në këta katër vjet ishin të frikësuar të flisnin – ndryshe prej meje – tani kanë filluar të reagojnë”, ka thënë Hogan. Mirëpo ka ende pengesa. Sfidat e para mund të lënë partinë me të nominuar edhe më të djathtë për garën e Kongresit, duke rrezikuar kontrollin e Partisë Republikane në garat që mund t’i fitojnë. Së voni, senatorët republikanë, siç janë McConnell, janë në hall nëse do të votojnë për dënimin e Trumpit në lidhje me krimet e rënda. Senati me shumë gjasë mund t’ia pamundësojë Trumpit që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. “Shpresoj se republikanët nuk do të marrin pjesë në këtë sulm të ashpër dhe përfundimtar ndaj presidentit Trump. Duhet të ecim përpara”, ka thënë senatori Cruz.