Reparti për Neurologji në spitalin e Gostivarit hapet për të sëmurë me Kovid

23

Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus në rajonin e Gostivarit e detyroi drejtorinë e spitalit “Ferid Murad” t’i rrisë kapacitetet për akomodim të të sëmurëve me Kovid-19 në Repartin e Neurologjisë. Në dispozicion do të vihen edhe njëzet punonjës shëndetësorë dhe njëzet shtretër spitalorë.

“Duke pasur parasysh gjendjen alarmante të rritjes së numrit të të sëmurëve me Kovid-19 në Gostivar dhe më gjerë sot më 27.11.2020, drejtori i spitalit dhe grupi koordinues, morën vendim si qendër për kovid të jetë edhe Reparti i Neurologjisë. Prej sot në funksion do të jenë mbi 20 shtretër dhe mbi 20 punonjës shëndetësorë, më saktë mjekë dhe personel shëndetësor teknik të cilët për momentin do të jenë në shërbim të pacientëve”, qëndron  në kumtesën e spitalit.

Gjatë ditës së  djeshme pas testimeve të kryera, në rajonin e Gostivarit nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 94 raste rekorde me Kovid-19, ndërsa janë shëruar 52 persona.