Bujar KURTAJ
Shkup, 27 shtator – Shkëndija – Renova, një përballje jashtëzakonisht e interesante ku pikët janë të rëndësishme për të dyja skuadrat. Kuqezinjtë dëshirojnë që të vazhdojë serinë e fitoreve dhe rrugëtimin drejt titullit të dytë në historinë e saj, ndërsa Renova ngjitjes në mesin e tabelës, pasi bardhekaltërit nuk e filluan mirë sezonin dhe pas shtatë xhirove gjenden në pozitën e 7 me vetëm 6 pikë të grumbulluara.
Në këtë ndeshje trajneri Vllatko Kostov nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Sadikit, Skenderit, Xhelilit, Jusufit dhe Fetait. Megjithatë bardhekaltërit besojnë në rezultat pozitiv. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, duke marr parasysh se kemi shumë mungesa të lojtarëve. Mirëpo, nuk dorëzohemi para kohe, do të japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv. Shpresoj se këtë mund ta arrijmë”, deklaroi për gazetën KOHA, Argjent Gafuri.
Në anën tjetër, pas një kohe të gjatë derbit lokal i rikthehet edhe Izair Emini, ish-futbollisti i Renovës dhe tani i KF Shkëndija. “Respektojmë maksimalisht si ekip Renovën. Ne e kemi marrë këtë ndeshje me seriozitet maksimal. Mendoj se kemi më shumë kualitet se sa Renova në këtë moment dhe këtë do ta dëshmojë aty ku duhet, në terren. Shpresoj të jemi në element dhe t’ia arrijmë qëllimit tonë për të vazhduar serinë e fitoreve edhe pas ndeshjes me Renovën”, u shpreh për KOHA, Emini.
I pyetur nëse do të festojë nëse arrin të realizojë kundër ish-ekipit të tij, Emini shprehet: “Sigurisht se do të festoj. Nuk e dijë nëse do të arrij të shënoj, por ju bind 100 për qind se dua, pres dhe do të bëj gjithçka për të shënuar. Nëse ia dal të gjej rrjetën padyshim se do të festoj si në krejt ndeshjet tjera. Kam arsye të forta për të festuar, jo për ndonjë çështje hakmarrje ndaj ish-ekipit tim, por për faktin se unë luaj për skuadrën time të zemrës dhe nuk mund të mos festoj kur bëj gol para publikut që aq shumë më ka mbështetur edhe atëherë kur kam qenë në taborin e kundërt”, deklaroi Emini.
Ndryshe, në Çair do të zhvillohet ndeshja derbi tjetër i kësaj xhiroje ku Shkupi do të pret Pelisterin. Djemtë e Ardian Nuhiut pas barazimit ndaj Renovës akoma nuk e kanë shijuar disfatën në katër përballjet e fundit dhe kështu dëshirojnë të jetë edhe pas kësaj përballje.
“Kampionati nga java në javë po bëhet shumë interesant por edhe i vështirë. Jemi në një fazë kur luajmë dy ndeshje në javë dhe kuptohet që lodhja mundë të jetë prezent. Por sigurisht se nuk kemi kohë për të gjetur arsyetim, pasi na prêt dueli i radhës ndaj Pelisterit që tani më është në krizë rezultatesh. Ne kemi ndeshjen e fundit para tifozëve tanë në Çair sa i përket fazës së parë dhe më pas do të jemi mysafir në tri ndeshje të ardhshme. Besoj se kemi forcë të mjaftueshme për të marrë dhe fitoren e radhës dhe fundin e fazës së parë ta presim më të qetë në mesin e ekipeve më të mira. Do të bëjmë apel deri te tifozët tanë që të jenë në numër sa më të madh, pasi ata si zakonisht na frymëzojnë edhe më shumë drejt sukseseve dhe fitoreve të reja. Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në formë dhe te të gjithë ekziston dëshira për suksese të reja”, deklaroi për faqen e klubit sulmuesi i Shkupit Husein Demiri.
Ndërkohë, përballja mes “Akademija Pandev” dhe kampionit aktual Vardar është anuluar për shkak se KF Vardar të enjten luan ndeshjen e xhiros së dytë në Europa League.
Të gjitha ndeshjet e javës së tetë në LPFM do të zhvillohen në ora 15.30.
Dyshet:
Rabotniçki – Sileksi
Pobeda – Skopje
Shkupi – Pelisteri
Shkëndija –Renova
Akademija P. – Vardari (anuluar)