Bujar KURTAJ
Shkup, 23 shtator – Shkupi me tre fitore të njëpasnjëshme udhëton në Tetovë ku do të përballet me skuadrën e Renovës me shpresë se do të vazhdon serinë e fitoreve ose eventualisht serië pa disfatë në tre përballjet e fundit. Përballë do të ketë skuadrën e Renovës, e cila këtë sezon nuk po I arrin rezultatet e dëshiruara, ndërsa këtë e dëshmon edhe plasmani në randitjen tabelore, ku “gjipspunuesit” janë në pozitën e 8-të me vetëm 5 pikë të grumbulluara. Të vetëdijshëm se nuk kanë të drejtë të gabojnë sidomos kur luajnë para tifozëve të saj, futbollistët e Renovës besojnë se tre pikët do të ngelin në Tetovë. Kështu të paktën mendon Valmir Nafiui.
“Nga kjo ndeshje pres një fitore. Edhe pse FC Shkupi ka një ekip cilësor dhe na pret detyrë e vështirë, unë besoj se tre pikët do të ngelin në Tetovë. Jemi maksimalisht të përgatitur për këtë ndeshje dhe shpresojmë se do t’ia arrijmë qëllimit”, tha për gazetën KOHA, Nafiu.
Derisa, edhe nga radhët e ish-kampionit të trefishtë të Maqedonisë thonë se nga Tetova shpresojnë të kthehen me kokat lartë. “ Jemi të vetëdijshëm se jemi në një fazë të ndeshjeve të vështira, secili ekip kërkon të shkëputë sa më shumë pikë, andaj secila përballje është sfidë e re dhe kundërshtar me strategji ndryshe të lojës. Udhëtojmë në Tetovë në një terren të mirë që na jep mundësi të luajmë futboll cilësor, ndërsa Renova është kundërshtar që duhet respektuar. Udhëtojmë për Tetovë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive dhe shpresojmë të kthehemi kokën lartë në Shkup.
Skuadra e Shkëndijës rrugëtimin e saj drejt titullit të dytë e vazhdon në Shkup përballë “Skopjes” një kundërshtar shumë i papërshtatshëm sidomos kur luanë në shtëpinë e saj. Këtë më së miri e din kampioni aktual Vardari, e cila nuk arriti të shkojë përtej barazimit 1-1. Mirëpo, duke marr parasysh rezultatet aktuale dhe goleadën ndaj Rabotniçkit ku kuqezinjtë fituan me 5-0, djemtë e trajnerit Qatip Osmani nuk duhet pasur probleme në këtë përballje, pasi sulmues i përbërë nga Emini, Hasani dhe Ibraimi, është tepër i frikshëm dhe është vështirë për ti ndalur.
“Ndeshje e re me objektiv të njëjtë”, pohon Ivan Çelikoviç”, mbrojtësi i majtë i kuqezinjtë. “ Neve nuk na intereson asgjë tjetër përveç fitores dhe tre pikëve. Jemi në seri të mirë, luajmë në nivel të kënaqshëm, por besoj se mund të përmirësohemi ende. Është e vërtetë se dy ndeshjet e fundit kemi shënuar shumë gola dhe natyrisht se do të kërkojmë të vazhdojmë të luajmë me këtë rritëm, por në këtë moment më me rëndësi janë tre pikët. Nuk na pengon edhe nëse fitojmë 0:1, vetëm të vazhdojmë me fitore”, deklaroi për KOHA Ivan Çelikoviç.
Në anën tjetër, në Manstir do të zhvillohet derbi i madh mes Pelisterit dhe Vardarit, ndeshje kjo e cila zgjon interesim të madh dhe pritet të jetë një festë futbolli. Të gjitha ndeshjet e javës së 7 do të luhen në ora 15.30.
Dyshet:
E shtunë:
Renova – Shkupi
E diel:
Sileksi – Pobeda
Rabotniçki – A.Pandev
Skopje – Shkëndija
Pelisteri – Vardari