Shkup, 11 prill – Skuadra e Shkëndijës sot (e mërkurë) zhvillon takimin e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë, kur do të jetë “mysafire” e Renovës në Tetovë, pas barazimit 1-1 në takimin e parë. Edhe pas fitores bindëse 5-0 të shtunën në kampionat ndaj të njëjtit rival, kuqezinjtë paralajmërojnë se do të hyjnë me qasje shumë serioze, pasi çdo ndeshje është histori në vete.
Ndërkaq, pas titullit të dytë në kampionat (pritet vetëm zyrtarizimi), kuqezinjtë kërkojnë edhe kualifikimin në finale dhe trofeun e Kupës, garë gjithashtu e vendosur si objektiv i rëndësishëm për t’u fituar këtë sezon. Përveç rikthimit të Ferhan Hasanit, i rikuperuar plotësisht është mesfushori Armend Alimi, ndërsa të drejtë loje fiton edhe Besart Ibraimi, i cili mungoi në fundjavë shkaku i skualifikimit pas pesë kartonëve të verdhë. Duke parë se ekipi po ecën i sigurt drejt fitimit të titujve, besohet se është momenti i duhur që publiku të rikthehet në tribuna dhe të mbështes skuadrën në këto momente historike.
“Të gatshëm presim ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës me Renovën dhe vlerësoj se jemi maksimalisht të karikuar për të dhënë më të mirën. Dihet se ne duam dy titujt dhe kjo ndeshje ka vlerën e kualifikimit në finale të Kupës. Barazimi 1:1 në ndeshjen e parë në vendos në pozitë të sulmojmë, por kjo nuk paraqet ndonjë problem për ne pasi që Shkëndija nuk din të luajë ndryshe. Nuk mendojmë fare për fitoren bindëse 5:0 që shënuam të shtunën në kampionat, sepse jemi të bindur se kjo do të jetë histori tjetër dhe neve do na duhet angazhim maksimal për të arritur objektivin. Pres të kemi mbështetje të madhe nga tribunat dhe me një paraqitje dinjitoze besoj në kualifikim në finale”, deklaroi për gazetën KOHA, Izair Emini.
Në anën tjetër, futbollistët e Renovës besojnë se fati do të jetë në anën e tyre dhe se presin të bëjnë befasi dhe të jenë ata të cilët do të plasohen në finale. “Kemi rezultat pozitiv nga ndeshja e parë, por megjithatë Shkëndija prapë është favorit. E jona është të japim maksimumin, të kemi përqendrim maksimal dhe ti zbatojmë detyrat e dhëna nga stafi teknik dhe normalisht shpresojmë që fati të jetë në anën tonë. Ndeshjet e Kupës dinë të servojnë edhe befasia dhe shpresojmë se sot ne do të bëjmë befasi dhe do të kualifikohemi në finale”, tha për KOHA, Mexhit Neziri.
Cekim, skuadra e Renovës në këtë ndeshje do të jetë pa trajnerin Vllatko Kostov, i cili të hënën pasdite dha dorëheqje nga pozita e trajnerit dhe e njëjta u pranua nga drejtuesit e klubit, derisa ekipin do ta udhëhet Agron Memedi.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, Akademia Pandev do të pret Pelisterin. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave përfundoi me fitore të Pelisterit me 2-1.
DYSHET:
Shkëndija – Renova (1-1)
A.Pandev – Pelisteri (1-2)
* Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para