Gjithçka është në një rënie të lirë kur nuk dihet ka a nuk ka prokurori, ka a nuk ka më PSP, ka a nuk ka gjyqësi, ka apo nuk ka kontroll ndaj incizimeve që gjithkush mund t’i ketë e mund t’i përdorë(ato të El Çekës s’kishin qenë asgjë kundrejt këtyre që i nxori Kamçevi dhe e dridhi gjithë sistemin!)…dhe nuk dihet ku do të përfundojë
Nga Daut DAUTI
- SHARMI I ZBEHUR I “TRI GRACIEVE”
Jeta di të jetë dëshpëruese! Kurse dëshpërimi më i madh pason kur zhgënjen dikush ose diçka ndaj të cilave kemi pasur besim të pa rezervë.
Tash kur imperativi i shoqërisë është reforma në drejtësi, si çelës për BE (sepse krejt na thonë fjalë të mira, por atë datën s’po na e caktojnë!), ku do të duhej t’i gjendet “vend” Prokurorisë Speciale Publike të Katica Janevës, kësaj prokurorie më të gjithë i kanë vënë një “X” të madh, askush më nuk e merr seriozisht. Ajo është dëshpërimi më i madh, sepse ndodhi kjo që po ndodh, si ajo lopa që jep tambël dhe në fund e derdh kusinë! Kurrkush mëuk beson as në drejtësi, gjithçka ka marrë teposhtëzën.
Afera “Boki 13” (“Reket”), me mënyrën e sofistikuar se si të vihet kollaj te paratë e mëdha, ia vuri kapakun kapitullit të PSP-së së “tri gracieve” të popullarizuara, te të cilat i kishim të gjithë sytë e shpresës, si sinonim i drejtësisë. Kush do të kishte menduar se do të vijë kjo ditë kobzezë, sa Krye-gracia t’i urdhërojë sigurimin e vet që t’ua kontrollojë çantat gracieve tjera, si Fatimes, se mos vallë në assesoarin e saj të mos futet ndonjë përgjues a kamerë e fshehtë, edhe pse vetë ajo, në mënyrën me naive ka lejuar që të zihet në grackën e përgjimeve. Ajo që erdhi për t’i zbardhur veprat nga përgjimet, të bëhet viktimë, kjo s’do asnjë koment…
Por, nëse statusin e PSP-së si organ i pavarur e hoqi përfundimisht nga rendi i ditës dyshimi për involvimin e kryeprokurores në biznes-“dillet” e Boki 13-shit, duhet të jemi objektivë dhe të përkujtojmë se rrënimin e institucionit sikur e filloi vetë PSP-ja, shumë kohë më parë, por njerëzit nuk kishin as vullnet e as sy për ta parë, të dehur nga shpresat se PSP-ja do të punojë drejt, e jo si ata kadinjtë e përrallave popullore që ndanin drejtësinë me një qyp tëlyni ose me lira të verdha.
Tash kur është thyer qerrja (dhe gjithkush është i mençur t’i gjejë rrugët e hapura), harrojmë se për shkak të dëshpërimit të një pjese të publikut të gjerë me proceset gjyqësore që i ngriti, PSP-ja përkrahjen e parezervë kishte filluar ta humbë në mënyrë serioze kohëve të fundit. Të paktën, ashtu thoshin anketat.
Tash kur po dëgjojmë turlifarë argumentesh e opsionesh si do të shkohet më tutje në luftimin e kriminalitetit për të cilin ishte autorizuar PSP-ja, është mirë të ballafaqohemi me të vërtetën se në rastin e Kamçevit dhe disa raste të tjera, shpëtimi i të inkriminuarve do të ndodhë pikërisht për shkak të gabimeve të pafalshme të saj. Dhe nuk e kam fjalën aspak për rastin “Reket” (“Zhvatja”), por për veprime të mëhershme, kur me gjasë, të dehur nga përkrahja politike, sidomos nga faktori ndërkombëtar, kjo prokurori sikur nisi të sillet si organ i paprekshëm, mbi gjithçka, madje dhe mbi ligjin!
Shumëkush do të thotë se është vlerësim i tepruar që është vënë mbi ligjet, por “flakaresha” që ia dha Gjyqi Suprem ndaj disa lëndëve që i ngriti PSP-ja, është sinjali më serioz! Të mos harrojmë për çka bëhej fjalë: me kërkesë të avokatëve, Gjyqi Suprem e shpalli PSP-në si subjekt i paaturoizuar për të ngritur procedura hetimore! Jo pse veprat për të cilat kishte ngritur nuk ishin pjesë e incizimeve, por pse ato ishin ngritur pas skadimit të afatit ligjor prej 18 muajsh, që ishte i paraparë me ligj! Pra, PSP-ja, që ishte krijuar të mbrojë drejtësi, vetë ngriti procedura duke shkelur ligjin. Këto procedura janë shumëfish të dëmshme: e para, sepse një organ që mbron ligjin, vetë e shkel atë. Veprimi si organ i paprekshëm, që nuk i përgjigjet askujt, mund të bëjë çka të dojë, madje edhe të shkelë ligjin, sepse kështu e kërkon nevoja. E dyta, rasti “Perandoria” dhe disa lëndë të tjera, të ngritura jashtë afatit ligjor, kanë për pasojë edhe djegien e lëndëve dhe shpëtimin e të dyshuarve! Pse? Sepse duke qenë se kanë kaluar shumë faza gjykimi dhe Gjyqi Suprem i hedh poshtë, për to nuk mund të bëhet rigjykim! (Sepse, dy herë gjykim për një vepër, nuk është i mundur!) Domethënë, edhe pa involvimin e Katica janevës në rastin “Reket” në mënyrën që po përflitet emri i saj, ajo dhe ekipi i saj u ka ndihmuar pikërisht të dyshuarve për kriminalitet financiar. Kamçevi, me ryshfet, pa ryshfet, ka qenë i shpëtuar!
Edhe tash, kur karriera e Katica Janevës është në këmbë të qelqta, ndërkaq vetë ka dhënë dorëheqje, ajo u kërcënua me dhjetëra lëndë për këtë dhe qeverinë e kaluar? Si mund të kërcënohet me diçka që ajo nuk e ka ngritur në afatin ligjor? Edhe Kryeprokurorja Vilma Ruskoska tregon përralla se lëndët do të vazhdojnë, kur si juriste duhet t’i dijë më mirë këto parime.
Shumë përfliten lëndët që prokuroria ka ndërmarrë veprime parahetimore jashtë afatit ligjor dhe përsëri e njëjta gjë! Përderisa figurojnë si të tilla, çdo gjykatës profesionist i pangarkuar, që nuk do të binte nën ndikimin e autoritetit të të ploftëfuqishmit(PSP-së)do t’i hedhë poshtë duke pasur parasysh mendimin parimor të Gjykatës Supreme për këtë lloj lëndësh.
Kohë më parë ishte një analizë që fliste se në disa lëndë, janë përfshirë si të akzuaur edhe persona që nuk është dashur. Përgjegjësia e tyre në bazë të detyrës zyrtare në organet kolektive nuk është e ndëshkueshme me ligj nëse ligji për punën e tyre nuk e parasheh. Nga ky lloj përgjegjësie janë përjashtuar anëtarët e shumë komisioneve që i themelon kuvendi, por PSP-ja ngriti procedurë dhe gjyqi i shpalli fajtorë disa anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kurse në “pritje” janë edhe lëndë ku përfshihen anëtarë të një komisioni tjetër, edhe pse për ta nuk parashihet përgjegjësia penale për vendimet që merr organi kolektiv! Përveç kësaj, përfshihen persona që as janë përmendur në “bomba”!
Ndoshta për disa çështje teknike (afati i kufizuar 18 muajsh për hapje lëndësh, shumësia e materialit të incizimeve me të cilin janë ballafaquar, ndoshta numri i pakët i personelit…) nuk është faji i PSP-së, por respektimi i ligjit dhe kryerja e obligimeve në kuadër të autorizimeve ligjore, janë përgjegjësi e saj, e askujt tjetër.
- SA MUND TË BËJË BALLË ZAEVI?
Në gjithë këtë hallakamë, pyetja se a do të bjerë qeveria dhe a do të ketë zgjedhje të parakohshme, nuk është pyetje që e shtron vetëm opozita. A mund të bie përnjëmend qeveria? Vetë Zaevi e dha përgjigjen se nuk mundet disa kriminelë, një gazetarë nazeli e një pederast ta rrëzojnë qeverinë…
Nëse e lëmë anësh fjalorin “jo të përshtatshëm” për “tiparet”, thelbi i përgjigjes i përgjigjet realitetit. Sepse, disa gjëra duhet të merren parasysh. Kjo qeveri duhet të përfundojë proceset euroatlantike. Për faktorin ndërkombëtar, kjo qeveri ende është më e përshtatshme për t’i përfunduar se të kthehet VMRO-ja, duke pasur parasysh se kjo parti ende nuk është çliruar nga fryma e saj e kaluar.
Por, e gjithë kjo duhet të merret me pikëpyetje të mëdha, sepse as faktori ndërkombëtar, as vetë prej brenda, Qeveria e Zaevit nuk mund të mbahet deri në pafundësi. Kryesorja që do ta bëjë atë të mbetet edhe më tutje, ose të shkojë, është rezultati i hetimeve për rastin “Reket”. Atë rast në prokurori e ka paraqitur vetë Zaevi dhe deri këtu ai është i larë dhe është në epërsi ndaj kritikuesve, por a ka gjëra që ende nuk kanë dalë në publik e që mund ta përlyejnë kryeministrin? Në rast se ai ka qëndruar larg ndikimeve të krijimit të Lidhjes Ndërkombëtare(shoqatë humanitare e Boki 13-shit, ku përmenden shumë emra të njohur të LSDM-së si ortakë të tij), atëherë as kjo dridhje kaq e madhe nuk do të mund ta lëkundë lehtë. Në atë rast, do t’i lehej hetuesisë që të shikojë përgjegjësinë individuale të secilit, pa shkuar në përgjegjësi politike apo juridike gjer në majën e pushtetit. Kjo edhe do ta vënte në sprovë edhe pushtetin gjyqësor për kapacitetet që t’i dalë përkarshi një skandali si “Reketi”, ndërkaq Zaevi, duke mos i mbrojtur bashkëpartiakët e vet, do të dëshmonte se dëshiron ta pastrojë veten dhe partinë nga veprimet që bien ndesh me ligjin. Në këtë mënyrë, Zaevi edhe në mënyrë deklarative, por dhe përmes mekanizmave të pushtetit, vepron me mjetet e shtetit juridik, ndryshe nga koha e qeverisjes së Gruevskit, kur gjithë gjyqësia ishte nën ndikimin e tij. Në favor të këtij opsioni është edhe imperativi i Zaevit dhe i partisë së tij, që ta çojnë deri në fund mandatin, pasi shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është i përshtatshëm pas gjithë kësaj zhurme mediatike dhe rrëmujës rreth rastit “Reket”.
Ajo që është në dorë të Zaevit është gatishmëria për ta zbuluar deri në fund rastin, por ajo që nuk është në dorë të tij është se opozita është duke iu hakmarrë në të njëjtën mënyrë siç e pësoi vetë ajo, përmes përmbajtjeve të incizimeve të paligjshme (rasti incizimeve të Kamçevit), të cilat do t’i përdorë gjer në fund për të dëshmuar se pushteti i tij jo që nuk e lufton korrupsionin dhe kriminalitetin tjetër, por vetë e “kultivon”. Prandaj dhe suksesi i Zaevit për t’i tejkaluar këto situata është që ai vetë të mos jetë i përzier vetë.
Tash për tash, sikur gjithçka është në një rënie të lirë kur nuk dihet ka a nuk ka prokurori, ka a nuk ka më PSP, ka a nuk ka gjyqësi, ka apo nuk ka kontroll ndaj incizimeve që gjithkush mund t’i ketë e mund t’i përdorë (ato të El Çekës s’kishin qenë asgjë kundrejt këtyre që i nxori Kamçevi dhe e dridhi gjithë sistemin!)…secilës s’dihet çfarë fundi do të ketë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)