Për herë të parë në këtë qendër, në vitin 1947 është ndërtuar në skilifti dhe të njëjtin vit është mbajtur “Kupa e Sharrit”. Pikërisht në vitin 1965 është vënë në funksion teleferiku nga Tetova për në Kodrën e Diellit. Nga viti 1970 deri në vitin 1995, kjo Qendër transformohet në një pikë atraktive dhe tërheqëse në Ballkan dhe përjeton momentet më të mira, apo të shkëlqimit të saj. Por pas kësaj periudhe fillon edhe shkatërrimi i kësaj qendre]
Urim HASIPI
Tetovë, 16 janar – Kodra e Diellit, një nga vendet më të përshtatshme për sportet dimërore jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon, dekadën e fundit është lënë pas dore. Dikur, kjo qendër kishte mijëra turist nga të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë, por sot – rrallë ndonjë vizitorë merr guximin për të ardhur, thonë njohës të mirë të kësaj qendre. Sipas tyre, vitet më të mira kanë qenë para vitit 1990, kur janë regjistruar numër rekord i vizitorëve, shkruan gazeta KOHA.
Tani, e harruar si nga pushteti qendror ashtu edhe nga pushteti lokal, ndërmarrja shtetërore që menaxhon me këtë qendër – Elem Turs, vazhdon të tallet dhe të mos investojë qoftë edhe një euro.
“Në të kaluarën, Kodra e Diellit ishte përplot me vizitorë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, kjo deri në vitet e 90-ta. Ko situatë vazhdoi deri në fund të viteve ’90-a, gjegjësisht deri në vitin 2000, kur teleferiku që shpinte nga Tetova për në Kodrën e Diellit funksiononte. Teleferiku i parë në Ballkan ndaloi së punuari për herë të dytë si pasojë e konfliktit të vitit 2001, megjithatë e pakrahasueshme është ajo që ndodhte në fund të viteve 90, në periudhën nga viti 1982 deri në vitin 1989 kur kjo qendër shkëlqente”, thotë inxhinieri Valentin Taseski, njëherësh pjesë e Iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.
Për herë të parë në këtë qendër, në vitin 1947 është ndërtuar në skilifti dhe të njëjtin vit është mbajtur “Kupa e Sharrit”. Pikërisht në vitin 1965 është vënë në funksion teleferiku nga Tetova për në Kodrën e Diellit. Nga viti 1970 deri në vitin 1995, kjo Qendër transformohet në një pikë atraktive dhe tërheqëse në Ballkan dhe përjeton momentet më të mira, apo të shkëlqimit të saj. Por pas kësaj periudhe fillon edhe shkatërrimi i kësaj qendre. Sipas Taseskit, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mospasjes së një vizioni për këtë qendër.
“Mendojmë se në pjesën më të madhe kjo që ndodh në Kodrën e Diellit, ndodh për shkak të mungesës së një vizioni konzistent dhe strategji se si dhe çka të bëhet me këtë qendër turistike dimërore. Të gjitha diskutimet dhe të gjitha aktivitetet të cilat tani eskaluan në ditën e parë të këtij sezoni turistik na vetëdijesojnë se na duhet një debat i gjerë dhe i menjëhershëm në të cilin debat do të hapen të gjitha temat , do të hapen të gjitha planet dhe studimet të cilat kanë të bëjnë me Kodrën e Diellit dhe shumë shpejtë ndoshta do të gjendet një zgjidhje”, tha ai.
Krahas shumë premtimeve që janë dhënë publikisht, në terren nuk është bërë asgjë konkrete. Shumë punë janë lënë përgjysmë dhe nuk janë përfunduar. “Jemi dëshmitarë të premtimeve të shumta për investime të mëdha kapitale në Kodrën e Diellit. Ishim dëshmitarë të studimit të fundit që është kryer për zhvillimin e Kodrës së Diellit. Ishim dëshmitarë edhe të fillimit të realizimit të disa punëve me ndërtimin e disa objekteve, megjithatë gjithashtu jemi dëshmitarë se të gjitha këto aktivitete jotransparente janë bërë pa konsultime me tetovarët dhe me njerëzit që e njohin Kodrën e Diellit”, theksoi Taseski.
Kjo qendër, sipas tij, në ranglistën e qendrave dimërore rangohet në vendin e 450-të në Evropë. Të dhënat dalin nga faqja më me reputacion e cila kryen rangimin e qendrave turistike dimërore në gjithë Evropën. “Sipas këtij ueb sajti, Banjsko është më mirë e ranguar si qendër turistike dimërore në Evropën Juglindore, para së gjithash nga kjo faqe janë përfshirë edhe qendrat turistike dimërore të Sllovenisë, shumë afër me Banjskon janë edhe dy qendra Sllovene dhe pas këtyre është Kopaoniku. Kodra e Diellit, për fat të keq, renditet diku në vendin e 450 apo 460 dhe në vendin e 20 në Evropën Juglindore. Sipas atyre të dhënave, qëndron se Kopaoniku dhe Banjsko për momentin ka diku rreth 120 kilometra të shfrytëzueshme për skijim. Një studim që disa pionierë tetovarë e kanë kryer tregon se një kapacitet optimal i Kodrës së Diellit pa bërë gabime është 100 deri në 120 metra stazë dhe me kapacitet 50 mijë skijatorë në ditë”, thekson ai.
Nga Qeveria e Maqedonisë ndërkohë theksojnë se nuk përjashtohet mundësia që kryeministri Zoran Zaev të takohet me përfaqësues të Iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, tha se në këtë periudhë, “ELEM TURS”, e cila menaxhon me këtë qendër turistike, është duke bërë analizë të detajuar për gjendjen në këtë qendër.
“Pasi që do të shqyrtohen udhëzimet nga ajo analizë, do të sillet edhe vendimi përfundimtar për zgjidhjen dhe tejkalimin e gjendjes. Megjithëse nuk është përjashtuar mundësia për takim në mes të organizatave joqeveritare dhe kryeministrit Zoran Zaev”, deklaroi Boshnjakovski. Gjatë fillimit të vikendit, iniciativa qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” protestoi për gjendjen në të cilën ndodhet Kodra e Diellit, pasi në ditën e parë të sezonit dimëror, as teleferiku dhe as skiliftet nuk funksionuan, ndërsa u rrit revolta te vizitorët. (koha.mk)