Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh sot për të diskutuar mbi metodologjinë që duhet përdorur për pikëzimin në renditjen e kandidatëve për postin e Kryeprokurorit të ri.
Gjatë mbledhjes, e cila u zhvillua në prezencë të 10 anëtarëve, KLP nuk ka gjetur dakordësinë për miratimin e rregullores së pikëzimit për renditjen e kandidatëve për postin e Kryeprokurorit të ri. Metodologjia buron nga Ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe Rregullorja për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm e miratuar nga KLP.
Sipas ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimit të prokurorisë”, neni 24, 25, 26 dhe 27 parashikojnë kriteret të cilat vlerësohen: kriteret profesionale, morale, organizative dhe drejtuese dhe elemente plotësuese vlerësimit (tituj akademik, trajnime, gjuhë të huaja). Miratimi i kësaj metodologjie do të kalojë për mbledhjen e ardhshme në mënyrë që të reflektohen ne variantin përfundimtar disa ndryshime dhe përcaktime të bëra nga anëtaret të Këshillit gjatë diskutimeve.
Pikëzimi është mjaft i rëndësishëm, pasi do të përcaktojë se kush do të jetë i pari në listën me tre kandidatët që do i dorëzohen Kuvendit për votim. Parlamenti më pas duhet që me shumicë votash të përzgjedhë një nga tre emrat e dërguara nga KLP. Në rast se Kuvendi nuk zgjedh me votë mes tre kandidatëve, atëherë KLP emëron kandidatin i cili është renditur i pari në klasifikimin mes tre emrave. Pikërisht për këtë shkak merr një rëndësi të veçantë pikëzimi, pasi nëse nuk vendos Kuvendi atëherë, KLP-ja zgjedh të parin. Kujtojmë që procesi për kandidatët është ende në apel, pasi Apeli administrativ i la afat Lulzim Alushit deri më 14 tetor për të plotësuar padinë sipas kërkesave ligjore.
Ai paditi vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për skualifikimin që i bëri nga gara. Në garë të kualifikuar deri tani për postin e Kryeprokurorit janë Olsian Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memcaj.