Urim HASIPI
Tetovë, 27 tetor – Ngricat pranverore dukshëm kanë ndikuar që këtë vit të kemi rendiment më të ulët të mollës në treg, por edhe çmim më të lartë për dallim nga vitet e kaluara. Kultivuesit e mollëve në Tetovë dhe rajonin e Tetovës, thonë se këtë vit për shkak të ngricave pranverore kanë pësuar shumë dëme dhe për pasoje ka pasur prodhim më të ulët, shkruan gazeta KOHA.
“Gjatë pranverës kur kishte ngrica, kishte temperatura të ulëta, të gjithë lulet që kishin çelur, madje edhe disa kokrra të imëta, kanë rënë poshtë. Kjo ka bërë që të kemi shumë pak rendiment, dyfish më pak se vitin e kaluar. Kërkesa është e madhe për molla, por shumë pak prodhimtari kemi këtë vit, prandaj edhe ka rritje të çmimit të tyre”, shprehet Mehas Adili, prodhues i mollëve. Sipas tij, arsyet për rritjen e çmimet të mollëve janë kushtet klimatike gjatë muajve të parë të këtij viti. Dëmet ata i kanë paraqitur në Njësinë territoriale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Komisionet përkatëse të kësaj njësie kanë dalë në teren dhe kanë bërë verifikimin, vlerësimin e dëmeve, mirëpo deri më tani dëmet e shkaktuar nuk janë kompensuar.
“Ne kemi paraqitur dëmet që na janë shkaktuar. Kanë qenë komisioni në vendngjarje, por prej atëherë nuk kemi asnjë përgjigje. Presim kompensim prej shtetit, por vështirë se do të bëhet, nuk kemi shpresa”, thotë për KOHA, Mehas Adili, prodhues i mollëve.
Sipas agronomëve dëmet që janë shkaktuar, janë të pa riparueshme. “Këto dëme që janë shkaktuar nga ngricat dhe temperaturat e ulëta nuk mund të evitohen, pra nuk mund që të rimbjellen apo të bëhet diçka për t`i shpëtuar. Prandaj, do të ishte mirë që shteti të gjejë mundësi që të kompensojë këta bujq”, thonë agronomët.
Ndryshe kultivuesit e mollëve në Tetovë dhe rajonin e Tetovës ankohen edhe për atë se edhe kur kanë pasur rendiment të lartë të mollëve, të njëjtat nuk kanë pasur plasma dhe për pasojë janë prishur për shkak se shteti, blerësit vendor dhe të huaj të mollëve, gjithmonë i ka adresuar në Resnjë dhe Ohër, duke anashkaluar prodhuesit e mollëve në Tetovë.
Përndryshe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë në një seancë të jashtëzakonshme në muajin prill vendosi të formojë komision për regjistrimin e dëmeve të pemëve dhe vreshtave nga temperaturat e ulëta. Bujqit e Tetovës janë shprehur të revoltuar dhe indinjuar ngase ata janë më të dëmtuarit pasi që, siç thonë ata, dhjetëra hektarë me patate nga bryma dhe i ftohti janë dëmtuar tërësisht. Bujqit thonë se këtë situatë e kanë paraqitur deri te Njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë në Tetovë dhe minimum që kërkojnë është t’ju kompensohen së paku shpenzimet e tyre. (koha.mk)