Paratë që dërgojnë bashkatdhetarët që punojnë jashtë, vazhdojnë të mbeten një “ventil” i rëndësishëm për zbutjen e gjendjes sociale. Llogaritet se në Maqedoni së paku 150 mijë familje marrin mbështetje të rregullt nga familjarët e tyre që punojnë jashtë, ndërkaq shuma prej së paku 500 milionë eurove për çdo vjet, mbulon një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë së Veriut
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 nëntor – Portugalia me 3.071 miliardë euro, Rumania me 2.714 miliardë euro , Polonia me 2.544 miliardë euro, Kroacia me 1.326 miliardë euro dhe Bullgaria me 1.176 miliardë euro, janë pesë shtetet kryesore anëtarë të Bashkimit Evropian që kanë dërguar më shumë të holla në vendlindje në vitin 2018. Për dallim prej Portugalisë dhe Kroacisë që kanë një traditë të gjatë emigracioni që fillon në vitet 60-të dhe 70-të të shekullit të kaluar, tre shtetet e tjera në fakt kanë një mërgim më intensiv në 20 vitet e fundit pas anëtarësimit të ish shteteve të bllokut socialist në BE, shkruan gazeta KOHA.
Nga shtetet e rajonit me 2.959 miliardë euro remitenca prin Serbia, e pasuar nga Bosnje e Hercegovina me 1.380 miliardë euro, Shqipëria me 900 milionë euro dhe Kosova me 800 milionë euro. Më pak remitanca pranojnë Maqedonia e Veriut me 200 milionë euro dhe Mali i Zi me 226 milionë euro, tregojnë të dhënat e Entit Evropian të Statistikave – EUROSTAT. Në ndërkohë, ekonomistët thonë se remitancat apo dërgesat e parave të mërgimtarëve në vendlindje janë për disa herë më të mëdha se sa tregojnë të dhënat zyrtare, nëse merren parasysh edhe kanalet jozyrtare të dërgesës së parave dhe shtetet e tjera në botë ku jetojnë dhe punojnë mërgimtarët jashtë Evropës. Për rrjedhojë, remitencat në shtet janë për disa herë më të larta se shifrat e paraqitura zyrtare, për shkak kjo se kjo shifër e EUROSTAT-it nuk përllogarit jo vetëm kanalet jozyrtare të dërgesës së parave, por as punën sezonale, punën në shtetet e Lindjes së Mesme apo të largët si në Irak apo Afganistan, të hollat nga ShBA-të, Kanadaja apo Australia, punën në anije e kështu me radhë.
Vlerësohet se paratë që dërgojnë bashkatdhetarët që punojnë jashtë, vazhdojnë të mbeten një “ventil” i rëndësishëm për zbutjen e gjendjes sociale në Maqedoni. Edhe pse është vështirë të kemi një pasqyrë të plotë të lëvizjes së tyre, për shkak se pjesën më të madhe të parave mërgimtarët e dërgojnë përmes rrugëve informale dhe më pak përmes bankave apo agjencive të specializuara, ato vite me radhë paraqesin një nga faktorët kryesor të stabilitetit makroekonomik dhe social të shtetit.
Llogaritet se në Maqedoni së paku 150 mijë familje marrin mbështetje të rregullt nga familjarët e tyre që punojnë jashtë, ndërsa shuma prej së paku 500 milionë eurove për çdo vjet, jo vetëm që mbulon një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë, por siguron edhe ekzistencën e këtyre familjeve dhe stabilitetin makroekonomik të shtetit.
Ekonomistët shpjegojnë se në të ardhurat sekondare të shtetit apo dërgesat e devizave që përllogariten si transaksione financiare, hyjnë edhe dërgesat e mërgimtarëve, të hollat që këmbehen në këmbimore, transferet e tjera private si dhe ndihmat që fiton shteti nga jashtë.
Transferet private si shumë totale janë rritur nga 640 milionë euro në vitin 2003 në 1.4 miliardë euro në muajin mars të viti 2019, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë.
Qarkullim i theksuar për çdo vit në sektorët e tregtisë, hotelerisë, ndërtimit si dhe konsumit për jetesë, është kontribut kryesorë i mërgatës së Maqedonisë së Veriut. Studimet e viteve të kaluara kanë treguar se mërgimtarët dërgojnë të holla për të ndihmuar ekzistencën e më afërmve të tyre në vend, por këto të holla kryesisht nuk orientohen në investime për shkak të problemeve të ndryshme politike dhe ekonomike.
DËRGESAT REVIZORE NGA JASHTË NË MILIARDA EURO
2003: 630 milionë euro
2009: 1.092
2010: 1.325
2011: 1.400
2012: 1.500
2019: 1.400 (mars 2019)
(koha.mk)