Pse për Maqedoninë e Veriut bëhet edhe më e rëndësishme masa e rezervave në valutë të huaj? Posedimi i një niveli adekuat të rezervave valutore nënkupton mbajtjen e një likuiditeti të kënaqur si dhe mbështetjen dhe ruajtjen e besimit në politika monetare dhe kursin e këmbimit, si dhe aftësisë për ndërhyrje në kontekstin e mbështetjes së valutës nacionale
Nga Rilind ADEMI
Ashtu si pandemia e shkaktuar nga korona virusi po godet punëzënien dhe pagat në shumë sektorë të ekonomisë globale, gjithnjë e më e mundshme po duket një ulje e flukseve të parave dërguar në vendin mëmë për punëtorët që punojnë jashtë vendit. Si duket vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta do të goditen edhe në rrafshin e dërgesave ndërkombëtare e që mund të jenë thelbësore në thellimin e krizës. Prandaj, paketat stimuluese për ekonomitë e avancuara rrjedhimisht përmirësojnë edhe ekonomitë në zhvillim ashtu si këto paketa bëhen të suksesshme dhe rikuperojnë ekonomitë e vendeve të zhvilluara.
Remitancat i referohen një shumë të parave që dërgohen ose transferohen drejt një pale vjetër pa ndonjë kompensim, e në të shumtën e rasteve këto dërgesa kanë të bëjnë me flukset e parave që emigrantët ju paguajnë familjeve dhe miqve të tyre në vendin mëmë. Pjesa më e madhe e remitancave janë shuma të vogla të parave të dërguara drejt familjes e të shpenzuara për nevoja të përditshme: ushqim, arsim, shëndetësi etj. Në bazë të Raporteve të Bankës Botërore për Migrim dhe Zhvillim për vitin 2019 në suaza botërore, rreth 200 milion punëtorë emigrantë kanë dërguar rreth 715 miliard $ në shtëpitë e tyre. Duke i ditur shkallët e larta të transfereve jo formale të këtyre dërgesave kjo shifër duket të jetë shumë më e lartë.
Masat e distancës sociale dhe mbyllja e ekonomisë për pengimin e përhapjes së korona virusit ka çuar në rënie të ekonomisë globale e që parashikohet se do të kontraktohet deri në 3% në vitin 2020. Në bazë të FMN-së rënia në Eurozonë do të jetë 7.5% (Gjermani 7%, Itali 9,1%) ndërsa në SHBA rënia pritet të jetë 5,9%, të gjitha këto vende me një numër të konsiderueshëm të emigrantëve nga Ballkani. Gjithashtu duke shtuar faktin se shumica e emigrantëve punojnë në sektorë vulnerabël në kohë krize dhe gjithashtu janë më pak të mbrojtur në punë, pritjet janë që ata të parët të mbeten pa punë, madje thirrjet nga disa politikanë për kthim në vendet e tyre nuk mungojnë, duke shtuar edhe faktin se masat e krijuara për ndihmë bizneseve dhe punëtorëve shpesh përjashtojnë punonjësit me shtetësi të huaj. Remitancat globale pritet të bien afër 20% gjatë vitit 2020, e në vendet e Europës rënia pritet të jetë deri në 28% të imponuar nga kriza e COVID-19 dhe mbyllja (shutdown), referuar Raportit të Bankës Botërore. Flukset e dërgesave të emigrantëve do të bien më shumë se 100 miliard $ në nivel global, kështu duke tharë një burim jetik të financimit për vendet në zhvillim derisa luftojnë me kaosin ekonomik të shkaktuar nga pandemia.
Remitancat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për vendet në zhvillim dhe mbyllja e ekonomisë është si një tarifë e ashpër e mundësive për dërgimin e parave në shtëpi dhe kjo bën edhe më të rëndësishme faktin që masat duhet të jenë proaktive në drejtim të shkurtimit të kohës për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve të avancuara (theksoi Presidenti i Bankës Botërore David Malpass). Pse janë të rëndësishme flukset e parave nga emigrantët për një ekonomi si ajo e Maqedonisë Veriore? Duke u nisur nga të dhënat për transferet private në RMV që është një e dhënë më relevante për fuqinë e dërgesave të emigrantëve, mund të shohim se mesatarisht shuma e tyre në pesë vitet e fundit është 1.5 miliard euro apo 12-14 % e GDP-së. Nëse parashikimet e Bankës Botërore për rënien e këtyre flukseve kapin ato përmasa atëherë për vendin pritet një rënie e këtyre flukseve prej 300-400 milion euro për vitin 2020. Duke radhitur keqësimin e eksportit dhe flukseve ndërkombëtare të kapitalit në formën e investimeve të huaja atëherë pritet një përkeqësim i bilancit të pagesave dhe rezervave të huaja valutore (forex reserves) e që në muajin prill të vitit 2020 kanë masën prej 3.1 miliard euro (që duken solide deri më tani edhe pse 75% e atyre rezervave janë të plasuara në letra me vlerë me klasifikim të lartë kreditor mirëpo që mund të kenë probleme të likuiditetit në këto periudha).
Pse për Maqedoninë e Veriut bëhet edhe më e rëndësishme masa e rezervave në valutë të huaj? Posedimi i një niveli adekuat të rezervave valutore nënkupton mbajtjen e një likuiditeti të kënaqur si dhe mbështetjen dhe ruajtjen e besimit në politika monetare dhe kursin e këmbimit, si dhe aftësisë për ndërhyrje në kontekstin e mbështetjes së valutës nacionale. Asnjë autoriteti monetar nuk mund t’i rritë apo t’i ulë rezervat në valutë të huaj në nivele joadekuate e kështu rritja/ulja e vazhdueshme sjell momentin për të mos ndërhyrë në tregun e valutave të huaja e kështu edhe ndryshimin e kursit devizor (në këtë rast një ulje e vazhdueshme e rezervave valutore shkakton presione për devalvim të denarit). E kjo për RMV edhe më e rëndësishme sepse përcaktimi i qëllimit përfundimtar i politikës monetare që është stabiliteti i çmimeve është i ndërtuar mbi një qëllim të ndërmjetëm, e në këtë rast është stabiliteti i kursit të denarit kundrejt euros, kjo një strategji e suksesshme për disa vite për arritjen e qëllimit përfundimtar (stabilitetit të çmimeve).
Një devalvim i mundshëm (që për momentin nuk duket të ndodhë) mund të shkaktojë çregullime shtesë e të mëdha makroekonomike për vendin në shumë segmente të rëndësishme. Një anë pozitive e një huamarrje jashtë në këto momente është se ato shkaktojnë rritje të këtyre rezervave dhe një aftësi më të madhe në rast të ngjarjeve negative në tregun e valutave të huaja si rezultat i uljes së flukseve nëpërmjet eksporteve, investimeve të huaja, remitancave etj. Prandaj Banka Botërore po ndihmon vendet anëtare në monitorimin e dërgesave, me qëllim uljen e kostove dhe rritjen e mundësive për dërgimin e parave. Është dobiprurëse që institucionet kompetente, sidomos në këtë periudhë, të bëjnë përpjekje për krijimin e lehtësirave me qëllim kalimin e këtyre flukseve të parave, si dhe gjetjen e formave të reja (elektronike) e me kosto të lira.
(Autori është profesor universitar i ekonomisë në Universitetin “Nënë Tereza” Shkup)