Është vetëm 22-vjeç, por tashmë në karrierën e tij si futbollist ka luajtur në disa ekipe të ndryshme si vendore ashtu edhe në disa vende të tjera përfshirë këtu Kosovën dhe Hungarinë. Tetovari me plot energji dhe elan për fushën e gjelbërt vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon më shumë mbi pasionin e tij për topin. Ndonëse ende nuk ndihet shumë i plotësuar, Remi Selmani shpreson që karriera e tij futbollistike të shkojë mbarë!
Blerand REXHEPI
KOHA: Si lindi “dashuria” jote për futbollin?
Dashuria për futbollin ka lindur që nga fëmijëria, duke pasur gjithmonë dëshirë të luaj sa më shumë dhe të jem në kontakt me topin, ku u bë edhe një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime dhe pasion i cili vazhdon të jetë i veçantë ende dhe po shtohet dita ditës.
KOHA: Në familjen tënde, ka patur të tjerë që janë marrë me futboll?
Jo në familjen time jam i vetmi që merrem me futboll.
KOHA: Na fol pak për ecurinë tënde në futboll…
Hapat e parë në futboll i kam filluar në klubin ku aktualisht gjendem, klubin KF Renova në moshën 9 vjeçare, ku dhe u arrita si futbollist duke kaluar të gjitha grupmoshat e reja, në moshën 16 vjeçare arrita të bëj paraqitjen e parë me ekipin senior, një hap shumë i rëndësishëm për karrierën time. Pas 3 vitesh të kaluara dhe pas shumë paraqitjeve të mira me ekipin senior në moshën 19 vjeçare arrita të bëj edhe një hap më të madh në karrierën time ku u transferova në klubin hungarez FC Újpest. Atje qëndrova një vit ku kalova momente shumë të bukura në futboll, një eksperiencë të cilën nuk do ta harroj kurrë. Pas një viti me Fc Újpest arrita të transferohem në klubin KF Shkëndija ku qëndrova 6 muaj dhe shijova momente shumë të bukura, pas 6 muajsh kalova në formë huazimi në klubin futbollistik Llapi në Kosovë, pasi mbarova edhe 6 muaj në formë huazimi vendosa që të kthehem përsëri aty ku gjithçka fillova tek Renova aty ku momentalisht gjendem dhe po kaloj pjesën më të mirë të karrierës në futboll deri më tani.
KOHA: Çfarë do të veçoje nga eksperienca jote e deritanishme?
Nga eksperienca ime e deritanishme do veçoja ndeshjet në ligën e kampioneve me klubin futbollistik Shkëndija.
KOHA: Çfarë synon në të ardhmen në karrierë?
Në të ardhmen synoj të arrijë objektivat, të jem pjesë e ndonjë ekipi të nivelit të lartë në Europë dhe të fitoj sa më shumë trofe.
KOHA: A mendoni se karriera jote e deritanishme ka ecur ashtu siç e kishe ëndërruar më parë?
Deri diku do thosha se po, pjesa tjetër jo bash si e kam ëndërruar, por një ditë do bëhet realitet.
KOHA: Cila është problematika që të ka “bezdisur” më shumë gjatë karrierës tënde?
Ajo që më ka bezdisur më shumë gjatë karrierës do thosha se është mungesa e ndeshjeve, momentet kur nuk kam arritur të kem minuta të mjaftueshme gjatë ndeshjeve dhe kjo ka qenë gjithmonë e bezdisshme për mua.
KOHA: Ka patur ndonjë moment të keq, deri tani, në rrugën tënde?
Normalisht gjatë karrierës ka pasur momente të mira dhe të këqija gjithashtu.
KOHA: Përveç futbollit, çfarë pasioni tjetër ke?
Përveç futbollit më pëlqen edhe fitnesi si dhe video-lojërat.
KOHA: Cili është futbollisti që do dëshiroje të arrije një karrierë si e tij, një emër që e shikon si idhull?
Si idhull, nuk do thosha se e shikoj ndonjë futbollist por për të arritur suksesin e njëjtë marr shembull plot futbollist cilësorë, më pëlqen shumë Benzema.
KOHA: Kur luan, familja të ndjek në stadium apo vetëm përmes televizionit?
Ndonjëherë nga stadiumi dhe ndonjëherë nga televizori, pa marrë parasysh prej ku më mjafton përkrahja e tyre.
KOHA: Çfarë dëshiron të arrish këtë vit?
Këtë vit do dëshiroja të arrijmë objektivat me ekipin dhe të përfundoj sezonën me sa më shumë gola.