Shkup, 12 maj – Pas plot dhjetë viteve kemi president të vërtetë të të gjithë qytetarëve, i zgjedhur në zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike. jemi të bindur se presidenti Pendarovski do të çojë përpara, do të jetë udhëzues i përparimit, zhvillimit dhe integrimit në BE dhe NATO dhe garantues i proceseve të cilat sigurojnë të ardhme stabile dhe të sigurt, deklaroi deputetja nga LSDM, Frosina Tashevska-Remenski pas fjalimit të shefit të ri të shtetit në Parlament.
Theksoi se mes hapave të parë që i presin është Pendarovski t’i nënshkruajë ligjet e bllokuara të cilat, siç tha, janë me rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët.
Theksoi se prapa Pendarovskit kanë qëndruar qytetarët e të gjitha bashkësive etnike në vend dhe se kjo është vlerë demokratike që e përforcon bashkësinë. Shtoi se pret që me zgjedhjen e tij ai t’i bashkojë qytetarët.
“Presidenti Pendarovski duhet të jetë korrigjues i pushtetit, të tregojë për gabimet e mundshme dhe me veprimin e vet të jetë shembull për opinionin vendor dhe ndërkombëtar, Me zgjedhjen e tij rrumbullakësohen ndryshimet demokratike në vendin tonë – regjimi është mposhtur tërësisht. I vihet fundi një përfundimi të keq të mandatit të presidentit të shtetit, përfundoi një kapitull negativ nga historia jonë e shënuar me heshtje për çështjet e rëndësishme, promovim të ndarjeve mes qytetarëve, tensioneve, diskriminimit dhe mbështetjes së politikave kriminele të regjimit”, theksoi Tashevska-Remenski.
Shtoi se zgjedhja e Pendarovskit për president do të thotë edhe fund i shkatërrimit të imazhit të shtetit, sistemit juridik dhe proceseve demokratike, dhe siç tha, përfundon bllokimi i përparimit të shtetit në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.
Në pyetjen e gazetarëve përse në inaugurimin sot nuk mori pjesë kryeministri Zoran Zaev, Tashevska-Remenski u përgjigj se ai tashmë i ka arsyetuar shkaqet të cilat janë a të arsyeshme, ndërsa në pyetjen përse nuk ishte ftuar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, ajo tha se e kanë respektuar praktikën e vendosur protokollare në Kuvend sipas të cilës në mbledhje të këtilla nuk ftohen liderë të partive politike.