Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 shkurt – Rregullimi i organeve drejtuese të universiteteve, çdo herë ka qenë çështje me interes të veçantë në ndryshimet, plotësimet aspo nxjerrjen e ligjeve të raja për arsim të lartë të vështruar nga përpjekja për tu dhënë universiteteve fizionominë e institucioneve që i drejton Rektori apo Senati, shkruan gazeta KOHA. Në këtë pikë, nuk ka si të humb vëmendjen as Propozim-ligji për arsim të lartë në Maqedoni, i propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pasi synon të kthejë modelin e drejtimit të universiteteve nga Senati për dallim prej modelit të tanishëm të drejtimit të universiteteve nga Rektori. Kjo, ka ndarë opinionin mes ithtarëve të rikthimit të pushtetit të Senatit, si deri para vitit 2004 dhe të atyre që mendojnë se është më mirë që pushteti të qëndrojë në duart e Rektorit.
Me sanksionimin e të drejtës aktuale që Rektori të jetë edhe kryetar i Senatit, pritet të merr fund epoka e “rektorëve sulltanë”, apo të bëhet “desulltanizimi i rektorëve” sikurse shprehet prof. dr Lubomir Gajdov nga Universiteti i Shkupit. Ndryshimet që propozohen të ndodhin në Ligjin për arsim të lartë, synojnë marrjen e disa kompetencave rektorëve dhe kalimin e tyre në kompetenca të Senatit, konkretisht kryetarit të Senatit.
Mirëpo, kjo sipas atyre që kundërshtojnë këto ndryshime rrezikon të kthejë postin më të lartë në hierarkinë e universiteteve në ekstremin tjetër, atë të krijimit të “rektorëve kukulla” nëpër institucionet e arsimit të lartë. Madje, sipas Nikolla Jankullovskit, rektorit të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM), nëse ndryshimet ndodhin ashtu sikurse qëndrojnë në Propozim-ligj do të kemi përplasje mes dy organeve më të larta drejtuese të universiteteve.
“Senati mund ta bllokojë në çdo moment punën e Rektorit nëse nuk ndryshon Propozim-ligji për arsim të lartë”, shprehet rektori i UKM-së. Për të shmangur këtë mundësi, me ndryshimet e përparshme ligjore ishte fuqizuar në ekstrem posti i rektorëve. Madje, këta të fundit drejtonin edhe Senatin, model i kopjuar ky nga universitetet private. Por, MASH duket se ka vendosur ti jep fund asaj epoke, duke ua ndalur në mënyrë të qartë zgjidhen e rektorëve dhe prorektorëve në krye të Senatit, si dhe të drejtën e votës.
“Rektori dhe prorektorët janë anëtarë të Senatit sipas pozitës, pa të drejtë pjesëmarrje në sjelljen e vendimeve dhe pa të drejtë zgjidhje për kryetar Senati”, shkruhet në nenin 76 alineja 6 e Propozim-ligjit për arsim të lartë. Ndërkaq, sipas nenit 77, Senati përveç se nxjerr Statutin e Universitetit, vendos për veprimtarinë mësimore e shkencore, për ndryshimet statutare në të njëjtën kohë duhet të miratojë programin një vjeçar të punës së universitetit, Raportin financiar si dhe të nxjerr Programin e investimeve në Universitet.
Me Ligjin aktualisht në fuqi të arsimit të lartë, të gjitha këto çështje kalojnë përmes rektorit, i cili mban edhe detyrën e kryetarit të Senatit.
Mirëpo, përtej fizionomisë dhe rolit që pritet të ketë posti i rektorit, me propozimet e ofruara nga MASH, çështje që gjithashtu ka tërhequr vëmendjen e thellës akademike është ajo e mandateve. Konkretisht, rektorët nuk do të kenë më mandat katër vjeçar me të drejtë rizgjedhje edhe një mandat të dytë, por do të jenë me mandat dy vjeçar. E njëjta vlen edhe për anëtarët dhe kryetarin e Senatit. Pra, nëse Propozim-ligji miratohet si i tillë, maksimumi i qëndrimit të dikujt në postin e rektorit dhe kryetarit të Senatit do të jetë katër vjet, apo dy vjet me të drejtë rizgjedhje edhe një mandat të dytë. Rektori, siç qëndron në nenin 80, paragrafi 4, zgjidhet nga Senati i universitetit për kohëzgjatje dy vjet, me të drejtë të rizgjedhjes edhe një herë.
Ndërkaq, një paragraf më poshtë (5) sqaron se për këtë post mund të kandidohet profesor i rregullt nga ana e këshillit mësimor-shkencor të një njësie të universitetit (fakulteti), nga ana e një grup prej të paktën 10 profesorëve ose edhe të vetëkandidohet. Ndërkaq, prorektorët, të cilët mund të jenë dy ose më shumë zgjidhen me propozim të rektorëve. Për dallim prej Ligjit të tanishëm, me propozimin për Ligjin e ri nuk mundësohet zgjedhja e rektorëve të jashtëm, ndërkombëtar. (koha.mk)