Përvjetori i 49 i themelimit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” i ka bërë bashkë të gjithë rektorët e universiteteve publike shqiptare.
Rektori i Universitetit të Prishtinë, Marjan Dema duke folur për themelimin e universitetit, ka thënë se momenti i themelimit të tij ka qenë historik, pasi ka ndryshuar kulturën e arsimit në një kohë shumë të vështirë, raporton kp.
Sipas tij, Universiteti i Prishtinës e ka dhënë provimin, duke kaluar shumë sfida përfshi dhe ato politike.
“Universiteti i Prishtinës, asnjëherë nuk ka qenë më mirë se deri tash”, tha Dema.
Rektori Dema kërkoi dhe mbështetje nga institucionet në mënyrë që të ketë rritje të cilësisë. Gjithashtu, tha se duhet të largohen ndikimet politike.
“Ne kërkojmë që të kemi mbështetjen në mënyrë që ngrisim cilësinë e mësimdhënies, hulumtimeve shkencore dhe shumë fushave të tjera, këto arrihen nëse kemi autonomi më të madhe”, deklaroi ai.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi ka thënë universitetet janë në krizë tash e një periudhë të gjatë. Kjo krizë sipas tij është si rrjedhojë e shumë faktorëve.
“Këto 20 vitet e fundit autonomia e universiteteve publike është duke u dëmtuar seriozisht, qofotë nga ndërhyrjet politike, ashtu dhe nga grupet e biznesit”, tha ai.
Në lidhje me kolegjet private, tha se ato janë shndërruar në biznese.
Rektori i universitetit të Korçës, Ali Jashari tha se kjo konferencë nuk duhet të mbetët me kaq dhe duhet të mblidhen sa më shpesh në mënyrë që të paraqesin të gjitha problemet.
Kurse, rektori i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, Arben Gjata u fokusua më shumë tek bashkëpunimi më i madh në mënyrë që të ketë ngritje të cilësisë.
Ai gjithashtu kërkoi që të ketë standarde të njëjta si për universitetet publike, ashtu dhe për ato private.