Të mbyllet kampionati me një mesatare prej 50 mijë tifozësh. Përveç rikthimit me “detyrim” në Ligën e Kampionëve, ky është objektivi i vendosur nga klubi zikaltër.
Duke konsideruar të dhënat nga të pranishmit në “San Siro”, ky objektiv duket absolutisht i arritshëm. Duhet arritja e një totali prej 950 mijë spektatorësh të shpërndarë në 19 ndeshjet e programuara në “shtëpi”.
Po atëherë, përse të mos synohen 1 milionë për ta rrumbullakosur? Një hap i madh, duke marrë në konsideratë faktin se sezonin e kaluar kuota ishte e ndalur në 46 mijë për ndeshje. Në sajë të rezultateve të shkëlqyera të arritura nën drejtimin e Lucciano Spalettit, ka pasur një rritje konstante të shikuesve në shkallët e “San Siro”-s gjatë sfidave të fundit.
Nga kjo pikëpamje, sezoni ka nisur si mos më mirë. Mes Fiorentinës, Spalit e Genoas, në fakt, klubi zikaltër ka arritur të mbledhë së bashku thuajse 160 mijë të pranishëm, nëpërmjet shitjes së biletave dhe abonentëve. Ndërkaq, ndeshja e radhës do të jetë derbi dhe në “San Siro” biletat janë ezauruar: totali për zikaltrit do të arrijë në 240 mijë, e thënë ndryshe 60 mijë për ndeshje.
Trendi pozitiv ka nisur në sezonin 2014-15 (mesatarisht 40 mijë tifozë për ndeshje) dhe është përsëritur në dy vitet pasardhëse. Herën e fundit që në një ndeshje të zikaltërve paraqiteshin rregullisht 50 mijë tifozë, ka qenë sezoni 2010-’11 (më shumë se 60 mijë prezentë), ose më saktë periudha pas “Tripletës”.