Rekorde, rekorde dhe më shumë rekorde. Duket maksimumi i karrierës së Leo Messit. Ai nuk ndalet. Argjentinasi të krijon përshtypjen se tashmë është në kulmin e të gjitha fuqive, pavarësisht se i ka kaluar të 30-tat. Trajektorja e karrierës së tij është spektakolare. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mund të fitojë një titull të ri (La Liga), sonte, nëse mposht Atletico Madrid.
Dhe nuk do të ishte ndonjë surprizë për të, sepse do të kompletonte një duzinë trofesh të tillë. Plot dhjetë. Kjo shifër sikur është “haraç” për numrin që mban në shpinë argjentinasi. Rekordi mbi rekordet është se askush nuk ka arritur të fitojë kaq shumë tituj të La Liga-s me fanellën e Barçës.
Deri më tani, ai e ndante kryesimin me Andres Iniesta. Nga nëntë tituj secili. Ata kishin fituar të njëjtët tituj në një trajektore të përbashkët deri në sezonin e kaluar. Tani, me largimin e “Manchego”, Messi mund të bëhet i pari.
Do të ishin 10 tituj kampioni në Spanjë në 15 vite si lojtar i Barçës. Nëse më në fund triumfi i azulgranëve do të zyrtarizohet këtë sezon në La Liga, Leo do të hyjë në një “klub” shumë të përzgjedhurish. Vetëm pesë lojtarë, në të gjithë historinë e futbollit, kanë qenë në gjendje të fitojnë nga dhjetë tituj kampioni në garat e brendshme, nëse marrim si referencë pesë ligat kryesore kontinentale: Anglia, Spanja, Italia, Gjermania dhe Franca.
Në Spanjë, rekord absolut ka Gento, që fitoi 12 tituj, midis viteve ’50-të dhe ‘60-të. I dyti në La Liga, që tani do të arrihet nga Leo, është Pirri, me 10 tituj në “palmaresin” e tij. Rekordi absolut është regjistruar në Premier League, në këtë drejtim. Ryan Giggs, ish-lojtar i Manchester United, fitoi 13 tituj kampioni në Angli, duke u ndjekur menjëherë nga dy lojtarë të tjerë të kohës së tij në “Old Trafford”: Gary Neville dhe Paul Scholes.