Këshilli Republikan për Siguri të Komunikacion në Rrugë (KRSKRR) i këshillon shoferët në kushte të mjegullës së dendur në rrugë që çdoherë të shfrytëzojnë drita për mjegull (nëse mjegulla është e dendur dhe dukshmëria është më e vogël se 100 metra), ndërsa nëse është e nevojshme të kyçen edhe katër dritat dhe në rast të fundit nëse dukshmëria është shumë e zvogëluar, ta shfrytëzojnë edhe fishkëllimën e automobilit dhe ta hapin dritaren për t’i dëgjuar makinat e tjera.
Vozitja në kushte të tilla të motit, theksojnë nga KRSKRR-ja, kërkon drita tërësisht të rregulluara dhe fshirëse të rregulluara, që njëherit është edhe obligim ligjor për çdo shofer, të drejtojë me automjet të rregulluar teknikisht.
Prandaj theksojnë që shpejtësia e lëvizjes duhet të përshtatet në mënyrë proporcionale me dukshmërinë e zvogëluar në rrugë, gjegjësisht të vozitet me shpejtësi me të cilën mund të ndalohet para çdo pengese që vërehet.
Nga KRSKRR-ja iu rekomandojnë shoferëve në kushte të mjegullës të mos ndalojnë përnjëherë, të mos bëhen ndryshime përnjëherë të drejtimit të lëvizjes dhe në asnjë rast të mos frenojnë përnjëherë.
Nëse, megjithatë, një shofer merr pjesë në një aksident rrugor në kushte të mjegullës së dendur dhe me këtë rast nuk i janë të ndezura dritat për mjegull, kjo mund të ndikojë në mundësinë e tij t’i shfrytëzojë të drejtat nga sigurimi i automjetit.
“Nëse nuk ka kushte për zhvillim të sigurt të komunikacionit, thjeshtë ndalojeni udhëtimin ose anulojeni për një herë tjetër kur do të ketë kushte adekuate. Mos harroni t’i shkyçni dritat për mjegull kur do të dilni nga zona me mjegull sepse në këtë mënyrë e rrezikoni sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion dhe për kundërvajtjen bërë, vijon gjoba në vlerë prej 35 euro në kundërvlerë të denarit”, shtojnë nga KRSKRR.