Zejnulla VESELI
Shkup, 14 janar – Nisma qytetare për grumbullimin e nënshkrimeve me moton “Stop për përmbaruesit”, i filluar me 18 dhjetor të vitit të kaluar, vazhdon edhe gjatë këtij viti. Çdo të shtunë para Portës “Maqedonia” në qendër të qytetit të Shkupit, qytetarët vendosin firmën e tyre dhe kërkojnë që shteti urgjentisht të iniciojë revizion të punës së përmbaruesve, shkruan gazeta KOHA. Këta të fundit plotë 10 vite po i vjedhin qytetarët për borxhe të mbetura para 20 viteve. Aktiviteti për grumbullimin e nënshkrimeve do të vazhdojë deri në miratimin e propozim Ligjit të ri për përmbarim.
Nismëtari i aksionit “Stop Përmbaruesve”, Marjan Risteski shpreson se propozim Ligji i ri për përmbarim se shpejti do të miratohet dhe se do të merren parasysh të gjitha vërejtjet dhe propozimet e shoqatave qytetare dhe ekspertëve. Sipas tij duhet të zvogëlohen tarifat e përmbaruesve të cilët gjatë këtyre dhjetë viteve kanë qenë aq të larta sa për një lëndë përmbarimi në vlerë prej 1000 denarëve përmbaruesi ka bllokuar llogarinë e bankare të qytetarit duke kërkuar që në llogari të përmbaruesit në afat pre 8 ditëve të paguan 20.000 denarë për borxh të papaguar në vitin 1995 thotë Risteski.
“Nuk mund të jetë fajtor qytetari kur gjykatësit dhe kreditorët nuk kanë arritur të detyrojnë qytetarët të paguajnë borxhet e mbetura para 20 viteve gjegjësisht deri në hyrjen në fuqi të ligjit për përmbarim. Shteti nuk duhej të lejonte që borxhet e krijuara deri në vitin 2009 në asnjë t’iu kalojnë përmbaruesve. Borxhi i mbetur i qytetarëve deri në vitin 2009 është krijuar me fajin e shtetit dhe kreditorëve të cilët me qëllim i kanë lejuar qytetarët të mos paguajnë në kohë faturat komunale apo të operatorëve telefonikë si dhe kreditë nëpër banka. Me siguri se ka pasur mekanizma të ndryshëm se si institucionet shtetërore komunale, operatoret e shërbimeve telefonike apo bankat dhe të energjisë elektrike, ti detyrojnë qytetarët në kohë ti paguajnë faturat apo borxhet në banka”, thotë Risteski.
Nga Oda e Përmbaruesve thonë se është e vërtetë se borxhi bazë prej 1000 denarëve rritet deri më 20.000 denarë por kjo nuk është me fajin e përmbaruesve.
”Kur qytetarët ankohen se për borxh të mbetur prej 1000 denarë, përmbaruesi u kërkon 20.000 denarë, është e vërtetë por se këto para nuk mbarojnë të gjitha në llogarinë e përmbaruesit. Në borxhin bazë prej 1000 denarë llogariten edhe shpenzimet e avokatëve, noterëve si dhe tatimi i TVSH prej 18 për qind që shkon në arkën e shtetit. Kjo do të thotë se në vlerën finale të borxhit prej 20,000 denarëve, vetëm 30 për qind shkojnë për përmbaruesin, ndërsa pjesa tjetër janë kamatat e llogaritura nga kreditorët, shpenzime e noterit si dhe shpenzimet e avokatit. Më pas llogariten shpenzimet për përmbarimin e lëndës. Këtu hyjnë edhe shpenzimet e bankave të cilët për marrjen e veprimit të bllokimit të llogarisë bankare me urdhër të përmbaruesit i marrin qytetarit nga 2000 denarë deri më 2500 denarë që janë shuma më të larta se sa merr një përmbarues nga lënda për përmbarim. Mirëpo, për këtë grabitje që u bëjnë bankat qytetarëve as kush nuk flet”, thotë Zotan Dimov, kryetar i Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë.
Sipas tij nuk janë përmbaruesit ata të cilët e detyrojnë qytetarin që për borxh të mbetur në vlerë prej 1000 denarëve të paguajnë vlerë më të lartë për 20 herë por janë edhe avokatët, noterët, vetë shteti si dhe në fund bankat. Me miratimin e ri të Ligjit për përmbarim në të ardhmen do të eliminohen të gjitha këto mangësi dhe se qytetarët do të kenë lehtësime sa i përket pagesave të borxheve të vjetra më dhunë.
“Me ligjin e ri nga përmbarimi gjegjësisht përmbaruesit nuk do të kenë të drejtë të bllokojnë xhiro llogarite e qytetarëve që janë bartës të ndihmave sociale apo që marrin ndihmë social për përkujdesje të personave me nevoja të posaçme”, thotë Dimov.
Në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave të fundit zyrtare të Regjistrit Qendror, përmbaruesit kanë realizuar të hyra të përgjithshme prej 60 milionë euro nga përmbarimi i lëndëve, duke arkëtuar fitime personale deri në 23 milionë euro. Listën për realizmi të hyrave dhe përfitimet për 5 vitet e fundit e kryesojnë pothuajse 10 përmbarues të njëjtë, ndërsa vendin e parë e kryeson përmbaruesi Gordan Stankoviq, i cili për 5 vite me radhë ka realizuar fitim mbi 1.3 milion euro. (koha.mk)