Shkup, 16 korrik – Profesori universitar dhe ish-kandidat për President, Blerim Reka ka komentuar zhvillimet e fundit në Prokurorinë Speciale Publike (PSP). Ai vlerëson se qëllimi i themelimit të Speciales nuk u përmbush: për tri vite, vetëm një i burgosur nga 90 të akuzuar për 18 raste mega-korruptive. Sipas tij,specialja pësoi disfatë përballë gjykatave të rregullta, transmeton gazeta KOHA.
Ja statusi i plotë i profesor Rekës në Facebook:
Ç’ na ishte Përzhino?
Katër vite pas Marrëveshjes së Përzhinos, institucioni i saj kyç po shuhet. Dy muaj, para skadimit të mandatit: me dorëheqjen e krye-prokurores speciale dhe pa ligj për statusin e kësaj prokurorie. Pa prejudikuar arsyet e vërteta të dorëheqjes; as institucionalisht, kjo krijesë e pazareve partiake, nuk mbahej në jetë pa infuzionin e tyre politik. Ato bënë eutanazinë – pas vdekjes klinike të kësaj prokurorie. Qëllimi i themelimit të Speciales nuk u përmbush: për tri vite, vetëm një i burgosur nga 90 të akuzuar për 18 raste mega-korruptive. Specialja pësoi disfatë përballë gjykatave të rregullta. Vetëm me Prokurori Speciale, pa Gjykatë Speciale, beteja ishte që në fillim e humbur. E pa-përkrahur politikisht, e bojkotuar nga gjyqësori dhe së fundi me bastisje policore të kreut të saj; epilog më i padëshiruar i krijesës së Përzhinos, as që mund të pritej. (koha.mk)