Shqipëria nuk po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë dhe deklarata/platforma e 7 Janarit është në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit. Ky është qëndrimi i Tiranës zyrtare, i bërë i ditur nga ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka në takimin e thirrur nga zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë. Duke kujtuar se “Aktorët politikë dhe autoritetet maqedonase janë shprehur më shumë se një herë gjatë muajve të fundit lidhur me atë që ata e konsiderojnë si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë”, analizë dhe qëndrim me të cilin Tirana nuk bie dakord, ambasadori Reka ka sqaruar dhe një herë se përmbajtja e platformës së partive shqiptare në Maqedoni është tërësisht në pajtim dhe rrjedh nga programet politike të atyre partive dhe nga Marrëveshja e Ohrit, zbatimi i të cilës përbën gurin themelor të stabilitetit në vend. Po ashtu diplomati përfaqësues i Shqipërisë në Shkup ka kujtuar në kontekstin e faktit që Shqipëria është një nga vendet e para që e ka njohur Maqedoninë. Ajo nuk e ka vënë në dyshim integritetin, apo identitetin e saj dhe ka qenë e mbetet një mbështetëse e fuqishme e aspiratave euroatlantike të Maqedonisë. (zhurnal.mk)