Shkup, 9 prill – Reformë radikale në shërbimet e sigurisë dhe të zbulimit në armatë është një nga prioritetet në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes të kandidatit për president Blerim Reka. Vetëm kështu, sipas tij, shteti do të jetë partner kredibil i NATO-s.
“Me anëtarësimin në NATO, ne do të jemi pjesë e sistemit informativ të Aleancës e cila është shumë senzitive dhe me informata të klasifikuara. Unë nuk besoj se NATO do të na besojë neve t’i ndajë ato informacione nëse dinë se në armatë ende ka njerëz që deri para një viti kanë qenë kundër anëtarësimit në NATO”, ka thënë Reka dhe ka shtuar se si president do të kërkojë të ndajë 2 për qind nga buxheti i shtetit për armatën.
Ai ka folur edhe për Ligjin e ri për Prokurorinë Speciale Publike. “Pse duhej ligj i ri për PSP-në kur i vjetri ishte i mirë? Pasi Gjykata Supreme në mënyrë joligjore, në mënyrë jokushtetutare, interpretonte ligj, në vend se atë ta bëjë Kuvendi. Kuvendi ka anashkaluar t’i interpretojë dhe erdhi deri te ato pazarllëqet, që tani bombat nuk do të jenë dëshmi, do të udhëhiqen deri më 30 qershor 2017 etj. Aq është e tejdukshme se është një tregtim politik në të cilin duan të shkatërrohet PSP-ja…”, ka thënë Reka në emisionin Top tema” në Telma, transmeton gazeta KOHA.
“Ky është pat- pozicion dhe prandaj 27 vite kemi pazarllëqe për vota”, ka thënë Reka.
Në pyetjen rreth përdorimit të gjuhës shqipe, Reka ka thënë se BDI nuk e ka zyrtarizuar gjuhën siç e ka pohuar para zgjedhjeve në vitin 2008, 2011 dhe 2018, kur këtë çështje e ka përdorë si “municion zgjedhor”. (koha.mk)