Shkup, 6 prill – Kandidatët për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe sot e vazhdojnë fushatën, ku në takime me qytetarë dhe tubime i prezantojnë programet e tyre zgjedhore.
Në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore Blerim Reka i cili mbështetet nga Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, do të realizojë takim me qytetarët e Strugës, kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, Gordana Siljanovska Davkova do të mbajë tubim në Gjorçe Petrov dhe Kumanovë. ndërsa kandidati i LSDM-së dhe Koalicionit Stevo Pendarovski do të takohet me qytetarët e Mogilës dhe Novacit dhe tubime me qytetarët në Demir Hisar dhe Resnjë si dhe tubim në Manastir.
Fushata zyrtarisht ka filluar më 1 prill, ndërsa do të zgjas deri më 19 prill pas së cilës pason heshtje 24 orësh para ditës së zgjedhjeve.
Pendarovski nën moton “Bashkë përpara” e filloi fushatën nga Prilepi, Siljanovska nën sloganin “Drejtësi për të gjithë” nga vendlindja e Ohrit, derisa Reka nën moton “Republikë për të gjithë” nga Shkupi.
Tre kandidatët për president të shtetit kanë premtuar fushatë të qetë dhe korrekte në pothuajse gjitha vendet e populluara.