Trajneri i ri i Kombëtares, Edi Reja, nuk do të vijë vetëm në krye të Shqipërisë. Ai do të afrojë dhe stafin e tij teknik që do të përbëhet nga bashkëkombas që do t’i marrë përtej Adriatikut. Në krye të Shqipërisë do të ketë dhe shqiptarë, pasi Balkanweb bën me dije se Hamdi Salihi do të jetë pjesë e stafit teknik.
Ish-sulmuesi i Shqipërisë e ka mbyllur me futbollin e luajtur dhe po përpiqet që të ndërtojë një karrierë në trajning. Shkodrani është parë nën praninë e Rejas ditën e mërkurë, kur italiani u prezantua. Golashënuesi i Shqipërisë ishte së bashku me trajnerin dhe ditën e enjte.
Nuk dihet se çfarë roli do të ketë Salihi në staf, por me shumë mundësi do të merret me përgatitjen e sulmuesve kuqezinj. Ai është një vlerë e shtuar e stafit tonë duke marrë parasysh pozitivitetin që transmeton dhe eksperiencë e madhe që ka në futboll. FSHF-ja vazhdon dhe u jep një dorë ish-lojtarëve të kombëtares duke i ndihmuar të futen në rrugën e trajningut.