Raportet objektive nga institucione ndërkombëtare në njërën anë dhe veprimet e fundit me rastin “Monstra”, “Almiri”, Sasho Mijallkov… thjeshtë po vërtetojnë që qeveria aktuale e udhëhequr nga Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti nuk është asgjë më shumë sesa një reinkarnim i frikshëm i regjimit të Nikolla Gruevskit, e kamufluar me tolerancë ndëretnike, mirëpo esencialisht vazhdimësi e plotë e regjimit të kaluar si në aspektin e trajtimit të padrejtë sistematik të shqiptarëve, ashtu edhe në aspekt të krimit, korrupsionit dhe lojërave të turpshme me opinionin publik
Nga Omer AJDINI
Përskaj shumë të këqijave, ky vit siç duket po sjell një të mirë: fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie! Më 28 janar të këtij viti doli raporti i Transparency International mbi korrupsionin, raport i cili objektivisht dëshmoi që Maqedonia e Veriut kishte vazhduar zhytjen në gropën e korrupsionit, pra kishte rënë për pesë vende në renditjen e shteteve më të korruptuara në botë. Ky raport pra dëshmoi objektivisht që qeveria Zaev dhe Ahmeti e kanë sjellur Maqedoninë e Veriut në stad edhe më të zhvilluar të korrupsionit sesa në kohën e Gruevskit dhe e kanë bërë atë kampion ballkanik të korrupsionit!
Së dyti, raporti për nivelin e demokracisë nëpër shtete të ndryshme të botës i magazinës prestigjioze “The Economist” më 2 shkurt e cilësoi sistemin e Maqedonisë së Veriut si sistem hibrid, pra sistem i cili është në proces të transformimit nga sistemi diktatorial në sistem demokratik e i cili karakterizohet shpesh me proces të manipuluar të votimeve, shantazhim të mediave dhe opozitës, mungesë të lirisë së fjalës, etj. Pra ky raport e vërtetoi atë që e kishte thënë Aleanca për Shqiptarët që demokracia tek ne fatkeqësisht ende mbetet ëndërr e parealizuar ndërsa realiteti aktual është makthi jonë i përditshëm.
E sikur të mos mjaftonin raportet objektive dhe gjithëpërfshirëse, para pak ditësh na u rikujtua padrejtësia e rastit të Almirit me çka këshilli i Komunës së Kumanovës parashihte punësimin si zjarrfikës të vëllait të vrasësit të Almirit, Boban Iliq. Pra përveç vrasjes së Almirit, rikualifikimit të lëndës për Boban Iliçin (amnestimin e tij!), dënimin e familjarëve të Almirit, tani edhe vëllai i vrasësit do të marrë pagë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndërsa ai do të duhet të hyjë në shtëpitë e shqiptarëve nesër dhe ato do të duhet të ndihen të mbrojtur e të shpëtuar nga një njeri i tillë! E kjo na tmerroi dhe na i solli të gjithëve pamjet e tmerrshme të vrasjes së Almirit në një anë, dhe pushtetin aktual i cili turpshëm po shpërblen vrasësit e një fëmije me liri dhe punësim!
Por kjo nuk ishte e tëra. Vendimi përfundimtar për të akuzuarit e rastit “Monstra” pritej të jepej me 23 janar, ndërsa ashtu siç pritej, gjykata përsëri do t’i dënonte ato padrejtësisht me burgim të përjetshëm. Çuditërisht këtë e dinte qeveria dhe duhej ta “habiste” popullin me diçka tjetër që mllefi popullor kundër kësaj padrejtësie në këtë rast të montuar të mos materializohej me ndonjë protestë dhe prandaj për një moment u zhduk krye-krimineli i regjimit të kaluar dhe këtij aktual Sasho Mijallkov. Pas “dështimit” të MPB-së për ta gjetur të përndjekurin, ai çuditërisht u shfaq para prokurorisë me 23 janar (për çudi me prezencë të një gazetari) duke thënë që natën e paraprake kishte pasur temperaturë dhe ishte izoluar, prandaj edhe policia nuk kishin mundur ta gjenin. Pra i gjithë aparati shtetëror ishte vënë në kërkim të tij, kishin kërkuar e kishin marrë në pyetje njerëzit e tij të afërm dhe prapë nuk kishin mundur ta gjenin atë dhe kështu u desh që ai vet të paraqitej në prokurori që kryeministri të del pothuajse në të njëjtën minutë kur u shfaq Mijallkov të deklarojë në Facebook që organet e rendit kishin bërë punën e tyre dhe ja Mijallkov u dorëzua para organeve të rendit! E i shokuar nga e gjithë ajo që ndodhi para syve tanë, mendoja me vete: ose kjo qeveri na mendon neve popullin si shumë naiv dhe të palogjikshëm saqë mendon që mund të na mashtrojë me broçkulla të tilla, ose ato vërtetë i mbivlerësojnë aftësitë e tyre për të na manipuluar neve! Megjithatë, sido që të jetë e vërteta, ata nuk arritën ta mbulojnë padrejtësinë që u bë në gjykimin e rastit “Monstra” por përkundrazi, e dëshmuan që ata janë në gjendje që ta vendosin të gjithë aparatin shtetëror në dispozicion vetëm e vetëm t’i hedhin pluhur syve shqiptarëve dhe t’i defokusojnë ata nga padrejtësia që po ua bën Zoran Zaev atyre duke fshehur të vërtetën për rastin “Monstra”!
Raportet objektive nga institucione ndërkombëtare në njërën anë dhe veprimet e fundit me rastin “Monstra”, “Almiri”, Sasho Mijallkov… thjeshtë po vërtetojnë që qeveria aktuale e udhëhequr nga Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti nuk është asgjë më shumë sesa një reinkarnim i frikshëm i regjimit të Nikolla Gruevskit, e kamufluar me tolerancë ndëretnike, mirëpo esencialisht vazhdimësi e plotë e regjimit të kaluar si në aspektin e trajtimit të padrejtë sistematik të shqiptarëve, ashtu edhe në aspekt të krimit, korrupsionit dhe lojërave të turpshme me opinionin publik. E keqja shtesë e këtij regjimi është që përmes mbulimit të krimit, korrupsionit dhe diskriminimit me gjuhë të butë dhe “shou qeveritar, krijon njëlloj letargjie tek qytetarët duke prolonguar kështu edhe zgjimin dhe mobilizimin e nevojshëm popullor në një revolucion cili do t’ja jepte këtij regjimi trajtimin e njëjtë sikurse ja dha “revolucioni laraman” dikur Nikolla Gruevskit. Megjithatë unë jam i bindur që kjo herët apo vonë do të ndodhë, dhe qytetarët do ta kuptojnë që dinakëria, krimi, korrupsioni nuk ishin ato gjëra për të cilat ata sakrifikuan dhe shpresuan kur e sollën Zoran Zaevin në qeveri. E prandaj dalë ngadalë, qytetarët çdo ditë e më shumë po vetëdijesohen, po hidhërohen dhe një ditë jo shumë larg nga sot ata do të ngrihen përsëri në këmbë që t’i tregojnë këtij regjimi se me popullin nuk luhet!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)