Gafat e tij për pak i kushtuan fitoren Milanit, e cila në fund u blindua nga ajo pritje që Pepe Reina realizoi ndaj Lase Shënes (i njëjti që e kishte mposhtur në pjesën e parë). Spanjolli merr rolin e liderit pasi zëvendësoi Donarumën që u dorëzua përpara sfidës me Xhenoan, për shkak të një krize të vjellash. Reina ka komentuar fitoren e ekipit, duke treguar recetën për të dalë përfundimisht nga kriza.
Nuk ju munguan emocionet as sot apo jo?
Kjo është e bukura e futbollit, sepse brenda një ndeshjeje ka disa ndeshje të vogla që duhen fituar. E them, sepse sot më ndodhi mua, por nesër mund t’i ndodhë kujtdo. Gjithçka dukej e humbur, por më pas treguam krenarinë dhe sollëm në shtëpi rezultatin. Djemtë meritojnë komplimente, edhe pse nuk luajtëm mirë.
A ishte kjo ndeshja e kthesës?
Kemi ende shumë rrugë përpara në kërkim të përsosmërisë, por në fushë bëmë gjithçka që kishim studiuar në stërvitje gjatë javës. Arritëm një fitore me shumë rëndësi dhe kjo është pjesa më e rëndësishme e ndeshjes sonë.
Çfarë menduat në momentin e penalltisë kur përballë kishit Shënen?
Isha i bindur që nuk ishte një faull 11-metërshi, sepse ishte Kuame që m’u hodh përsipër, teksa unë po ndalesha. Arbitri mund ta shihte episodin, sepse merr vesh sadopak nga futbolli, e kupton që unë nuk kisha qëllim ta prekja rivalin. Pasi arbitri vendosi, unë mbeta i qetë, sepse fundja e kisha studiuar Shënen. Pata fat dhe e ndala.
Çfarë i mungon Milanit për të arritur qetësinë?
Di të them se jemi një grup që mund të bëjë gjëra të mëdha, sepse cilësia nuk na mungon. Mosha e re është një faktor që ndikon për keq në disa situata, sidomos kur mungon besimi dhe personaliteti nuk është i formuar te të gjithë njësoj. Ndaj Xhenoas patëm frikë nga gabimet, por treguam mendësi më të mirë se në ndeshjet e tjera. Kur jep maksimumin, në fund merr edhe frytet.
Si mund t’ua nxjerrësh personalitetin në pah kaq shumë të rinjve?
Duhet që të gjithë të japim ndihmën tonë, në çdo mënyrë, luajmë ose jo. Ndonjëherë kush nuk zbret në fushë, bëhet më i rëndësishëm edhe se titullarët. Ky duhet të jetë mentaliteti ynë sepse gjestet e vogla bëjnë diferencën. Të jeni të sigurt që do të pështyjmë gjak.