Rritja barabartë ekonomike rajonale duhet të jetë e qëndrueshme sepse infrastruktura rrugore, sidomos ajo brenda komunave, paraqet parakushtin kryesor për zhvillim të planifikuar rajonal
Zejnulla VESELI
Shkup, 18 maj – Qeveria e Maqedonisë në seancën e saj të fundit miratoi propozim e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, për nevojën e përmirësimit të gjendjes së infrastrukturës rrugore në komunat e Maqedonisë. Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha informoi se për këtë qëllim, Qeveria ka angazhuar shumë institucione,në mesin e të cilave edhe Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, që të hartojnë analizë të hollësishme për gjendjen aktuale të rrugëve në të gjitha komunat.
“Rrugët janë në kompetencë të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, por duke pasur parasysh mundësitë financiare të komunave, këto rrugë një kohë të gjatë janë në një gjendje katastrofave. Me qëllim të sanimit të tyre, pushteti qendror përmes disa projekteve do të rehabilitojë të gjitha rrugët komunale”, tha Hoxha, shkruan gazeta KOHA.
Jo pak komuna kanë kërkuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve që të gjendet mënyra se si të sanohen rrugët komunale, të cilat 10 vitet e fundit janë në gjendje shumë të rëndë.
“Për këto arsye u paraqit nevoja për sigurimin e mjeteve financiare nga Qeveria të cilat do të dedikohen për sanimin dhe rehabilitimin e te gjitha rrugëve komunale që janë në gjendje të rëndë përfshirë këtu edhe rrugët nëpër komunat shqiptare”, tha Hoxha.
Me qëllim që këto mjete të shfrytëzon në mënyrë sa më efikase dhe ato të shpërndahen në mënyrë të barabartë për zhvillim rajonal, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me BNJVL-në do të merr parasysh të gjitha të dhënat relevante ekonomike të dallimeve sociale dhe ekonomike midis komunave.
“Është më se e nevojshme në bazë të analizave të përgatitura të bëhet vlerësimi i mjeteve financiare të nevojshme për sanimin e infrastrukturës rrugore të keqe nëpër komunat dhe njëherit të vendoset një mekanizëm që rehabilitimi i rrugëve të fillohet në ato rrugë ky lidhen dy vendbanime të banuara. Rritja barabartë ekonomike rajonale duhet të jetë e qëndrueshme sepse infrastruktura rrugore sidomos ajo brenda komunave paraqet parakushtin kryesor për zhvillim të planifikuar rajonal. Gjendja e rrugëve të cilat kalojnë pothuajse në të gjitha komunat, këto dhjetë vitet e fundit, e në veçanti rrugët që kalojnë afër objekteve shkollore apo foshnjoreve, janë larg të gjithë kritereve që duhet t’i ketë një rrugë”, sqaroi Muhamet Hoxha, duke shtuar se pasi Ministria e Transportit të përgatis analizën, duhet të dorëzojë Planin e veprimit për përmirësimin e gjendjes së rrjetit infrastrukturor nëpër komunat.
Gjithashtu, zëdhënësi Hoxha informoi se në seancën e fundit Qeveria miratoi programin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për sigurimin e mjeteve për shërbime spitalore pa pagesë të pjesëmarrjes – participimit, i cili krahas pensionistëve, do të përfshijë edhe personat të moshës deri në 18 vite të familjeve që marrin asistencë financiare sociale në Republikën e Maqedonisë për vitin 2018-të. Gjithashtu, sipas tij, edhe ministrat e kabinetit qeveritar miratuan raportet përfundimtare për revizionin e kryer të punës financiare për vitin 2016-të Institutit për Shëndet Publik dhe Institutit të Mjekësisë së Punës dhe se qeveria dy raportet e revizionit ia ka dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike. (koha.mk)