(Kimete dhe Adnan Agani, fitues të Çmimit “Shën Klimenti i Ohrit” në fushën e arsimit)
Respekti im personal që mund të jetë vetëm një pikë ujë e qindra nxënësve apo studentëve të tyre, është edhe më i madh ngase prof. Adnan Again e kam pasur jo vetëm kujdestar, por dhe frymëzuesin dhe përkrahësin më të madh në rrugën profesionale të gazetarit dhe krijuesit
Nga Daut DAUTI
Ishte një ndjesi e veçantë pasi u lexua të shtunën, 8 dhjetor, në Kuvendin e Maqedonisë, një pjesë e biografisë dhe mendimit të Këshillit të Çmimit Shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit” për fituesit Kimete dhe Adnan Agai. Ndjeva dhe një çlirim të madh kur ai auditor u duartrokiti më shumë se fituesve të tjerë joshqiptarë. Ajo që më shtyri ta ndjej atë “çlirim” ishte fakti se në arsyetim u përmendën tramvajet jetësore të çiftit bashkëshortor e krijues nëpër ato periudhat e njohura të persekutimit dhe ngritja e pashembullt e tyre mbi vuajtjet që i përjetuan pa të drejtë. Ndjeva se auditori, më shumë të pranishëm jo shqiptarë, duke u duartrokitur, ishin çliruar nga ndonjë paragjykim i mbetur nga e kaluara, kishin kuptuar se këta dy pishtarë të arsimit, të persekutuar që herët, të rehabilituar dhe përsëri të persekutuar viteve 80-të, të cilët në fund, kishin gjetur motivin dhe energjinë e duhur për t’u ngritur përmes veprave të cilat i harronin vuajtjet duke dhënë një kontribut të pashoq të interkulturalizmit, duke harruar persekutimin që ua kishe regjimi i njërës palë(kushtimisht thënë) dhe sot, duke ua pranuar ato vuajte, dikush tjetër, po i asaj “pale”, i rehabilitonte duke u dhënë çmimin e lartë shtetëror. Duartrokitja më frenetike se çdo fituesi tjetër të këtij çmimi, pikërisht duke kujtuar pjesë të biografisë, donte të thoshte se ky çmim ishte një hap vërtet rehabilitues dhe çlirues nga paragjykimi se intelektuali shqiptar ka mundur të jetë vetëm armik i sistemit…Të paktën ashtu e përjetova.
Që në propozimin e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë(LASH), ishin pasqyruar pjesët më thelbësore, më domethënëse, ato që më së miri e përshkruanin jetën dhe veprën e këtyre dy pishtarëve të arsimit, që nga vitet 50-të dhe 60-të, së pari si arsimtarë e profesorë në shkollat fillore të Gostivarit dhe gjimnazin “Zef Lush Marku” të Shkupit(Adnan Agai), e më vonë edhe në Akademinë Pedagogjike “Kliment Ohridski” në Shkup(prof.Kimete Agai). Rrëfimi jetësor dhe profesional i përbashkët u thur për më shumë se 60 vite, si në kënaqësinë e punës së tyre edukative me gjenerata nxënësish e studentësh, si në gërshetimin e energjisë kreative në vepra të përbashkëta, por dhe në fatin e hidhur që i goditi në ato vite të bujshme të përndjekjeve ideologjike. Për shkak se kishte kërkuar që të hapen shkolla shqipe, pse kishte ngritur zërin se në shkolla turke i çojnë nxënësit shqiptarë, profesorin e ri Adnan Agai, që në vitet 50-të e kishin dënuar me disa vjet burg. Më vonë do ta rehabilitojnë disi dhe do ta kthejnë përsëri në arsim, duke punuar në shkollat fillore të Shkupit dhe në fund edhe në gjimnazin “Zef Lush Marku”. Por, vitet pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, do të reflektohen për keq edhe për shumë intelektualë shqiptarë të Maqedonisë, kur me ngulm kërkoheshin koka për kurban, me arsye e pa arsye për t’i shpallur elemente nacionaliste. Me “njollat” e biografisë që kishin, prof.Adnan Agai ishte i përshtatshëm për ta futur në procesin e diferencimit, e me këtë, për të mos e kursyer as profesoreshën Kimete. Adnan Agai do të mbetet pa punë, duke u detyruar të punojë në një dyqan kapuçash në Çarshinë e Shkupit, ndërkaq profesoreshën Kimete së pari do ta degradojnë në referente për çështje studentore (për të punuar në sportel!). Vuajtjet e tyre nuk përfundojnë këtu, sepse ata u sollën buzë ekzistencës dhe humbjes së shpresës. Shtigjet jetësore do t’i çojnë në mjedis të ri, në Prishtinë, ku gjithsesi nuk ishte kushedi sa më mirë, po ku të paktën, zonja Kimete do të punojë si lektore në Teatrin Krahinor, ndërkaq prof.Adnani do të fluturojë gjer në Amerikë për ta shijuar kafshatën e hidhur të kurbetit, për të siguruar ekzistencë për familjen dhe kushte për shkollimin e fëmijëve. Vitet e humbura kësisoj, do të shprehen edhe me status të ulët pensional, shumë nën nivelin e merituar të intelektualëve. Por, përskaj të gjitha padrejtësive, nënçmimeve, devalvimit dhe përndjekjes politike, ata do të kenë forcën të mos gjunjëzohen, të mos humbin motivin për punë kreative, prandaj do të punojnë me vite në hartimin e dy fjalorëve shqip-maqedonisht dhe maqedonisht-shqip, të cilët do të mund t’i botojnë vetëm pasi të bie regjimi komunist, kur do të marrin frymë më lirshëm, kur do të kthehen përsëri në qytetin e tyre, prej nga ishin detyruar të ikin pasi pa të drejtë i kishin akuzuar për vepër të pa bërë(gjoja se në një libër shkollor nuk e kishin vënë fotografinë e Titos, e cila fotografi as vihej as hiqej me vullnetin e autorëve, por ishte detyrim i botuesit të librave shkollorë…)
Si martirë të vërtetë, u bënë ballë të gjitha sfidave të jetës, ruajtën dinjitetin e tyre njerëzor e intelektual, por vrerin ndaj sistemit e shndërruan në motiv krijues, duke punuar në fjalorët e përmendur dhe ndonjë vepër tjetër, për të shikuar përtej pësimeve të tyre nga politikat e padrejta të regjimit të kaluar, për të vënë ura komunikimi midis dy popujve me shumicë në Maqedoni. Të gjitha këto, pakashumë si një rekapitullim biografie, me të gjitha ngritjet dhe rëniet dhe sërish ngritjen, u përmendën të shtunën, pa kompleks e pa paragjykime dhe duartrokitjet që morën, ishin një dëshmi të valorizimit të jetës dhe punës së tyre.
Për fjalorët e tyre, fjalën e tyre e kishin thënë emra të njohur të kulturës dhe shkencës. Akademik Mateja Matevski, në parathënien e fjalorëve, midis tjerash pat shkruar se ata kanë rëndësi shkencore dhe praktike. “Përdorimi i këtyre fjalorëve do t’i kënaqë kërkesat dhe nevojat e shumta në arsim, shkencë, kulturë, ekonomi, tregti, turizëm dhe më gjerë në jetën shoqërore në Maqedoni. Fjalorët kanë rëndësi të veçantë si në R.e Maqedonisë, ashtu edhe në R.e Shqipërisë, për albanistikën dhe ballkanologjinë në përgjithësi. Si të tillë, fjalorët do të ndikojnë edhe në përafrimin e shqiptarëve dhe maqedonasve si dhe jashtë kufijve tanë”. Sipas prof. Dr. Rezmi Nesimit, fjalorët e këtyre autorëve “do ta plotësojnë zbrazëtinë e madhe në leksikografinë shqiptare dhe maqedonase. Këtu është përfshirë pasuria leksikografike të këtyre dy popujve…Fjalorët janë origjinalë me interes të jashtëzakonshëm për përdorim të përditshëm si dhe hulumtime shkencore. …janë të pasur me frazeologjizma dhe idioma si dhe fjalë të urta të përkthyera dhe përshtatura në mënyrë të duhur që do të mund të shërbenin për studime komparative”.
Përveç këtyre dy fjalorëve kapitalë, më herët dhe më vonë kanë shkruar libra shkollorë, ndonjëherë bashkë, e ndonjëherë veç e veç, por gjithnjë duke bashkëpunuar dhe këmbyer idetë për hir të cilësisë së veprave të tyre. (1971 – Libër Leximi për kl.V(5 ribotime). 1995 – Fjalori i emrave të përveçëm”, 2004 – “Anegdota”(A.Agai), “Leksikoni i fjalëve dhe shprehjeve të huaja në gjuhën shqipe”(në dorëshkrim, autorë të dytë). Kanë bashkëpunuar në realizimin e projektit televiziv “Lojë abeceje” dhe kanë përkthyer disa autorë botërore. Me gjithë rëndësinë e madhe që kanë fjalorët dhe veprat tjera, profesorët Kimete dhe Adnan Agai mbeten në kujtesë si profesorë të zellshëm, të përkushtuar, duke ua mbjellë gjeneratave dashurinë ndaj dijes, kulturës, letërsisë, gjuhës, gjithnjë me vizion të qartë intelektual dhe kombëtar. Jeta dhe vepra e tyre ishte dhe mbeti frymëzim i pashtershëm, prandaj ka mbetur respekti dhe dashuria ndaj tyre nga gjenerata në gjeneratë.
Respekti im personal që mund të jetë vetëm një pikë ujë e qindra nxënësve apo studentëve të tyre, është edhe më i madh ngase prof. Adnan Again e kam pasur jo vetëm kujdestar, por dhe frymëzuesin dhe përkrahësin më të madh në rrugën profesionale të gazetarit dhe krijuesit.