Sigurisht është diçka që kërkon shpjegim sociologjik se si ende i besohet atij që gëzohej që kur dikujt i ishin lagur pantallonat duke qenë në zyrë te ai, që përmendte do përqindje “Mile, mos është shumë?!”, për të cilin “s’kemi bukë e do të hajë çokollatë”…!
Nga Daut DAUTI
- Ah, kjo anketa e fundit e IRI-t! Paradoks pas paradoksi. Me rezultate të çuditshme dhe me metodologji habitëse. Shumëkush shikon konspiracion. Çfarë mesazhi dëshiron të japë IRI kur në anketë ka futur një politikan jo aktiv? Për më tepër, i dënuar. Nga anketuesi lexova një sqarim se përveç politikanëve janë kyçur edhe dy ish-kryeministra. Tash na bënë të kthjellim mendjen nëse në anketat e mëparshme kanë qenë të kyçur. Bëhet jo pak argëtuese në përplasjet politike e mediale, sepse dashakeqtë i thanë Mickovskit çfarë lideri je ti, kur ai që s’është lider ka më shumë përkrahje se ti! Kjo të shtyn komplekset sa ta braktisësh timonin e partisë. Edhe një kompleks IRI ia shkaktoi një lideri tjetër. Taravari nuk është kurrkund në anketë, e Sela që është, ka muaj që s’është lider…! Më duket se diku u sqarua se në atë kohë lider ka qenë Sela. Ec e merre vesh. Boshllëk metodologjik, sigurisht. Paradoksi tjetër që i sqaron këto dubioza, është se ndryshe nga një anketë paraprake para disa ditësh, kjo e IRI-it ishte realizuar në fund të verës, kurse shpallet në fund të vjeshtës. Tre muaj vonesë, paksa tepër!
Duke e lënë anësh pse-në për kyçjen e Gruevskit në anketë, pyetja është si është e mundur pas të gjithave, populli ende t’i besojë atij?! Atij që gëzohej që dikujt i ishin lagur pantallonat duke qenë në zyrë te ai, që përmendte do përqindje “Mile, mos është shumë?!”, ai për të cilin s’kemi bukë e do të hajë çokollatë… Ai, tash na rishfaqet më i miri!
Por, do të del ashtu nëse ata që duhej t’ia zbulonin e dëshmonin bëmat, të mos bëheshin si ai. Ata dhe Ato që bënin poza e grimasa artistike tek flisnin në konferenca shtypi për Gruevskin dhe kompaninë, që i futën vetë gishtat në mjaltë. Ato/a, që për të luftuar Gruevskin me kompani, merrnin para nga shteti sa të donin dhe askujt s’i jepnin llogari, ato/a që me Bokin kishin bërë alleshvereshe…Rezultati: çfarë i dallon Këta/to të PSP-së tashmë të devalvuar, nga Gruevski? Të paktën Gruevskime shokët e tij grabiste duke ndërtuar diçka. Disa të tjerë këtë e bëjnë pa ndërtuar fare, ose duke prishur, si atë anijen e famshme pranë Holidej In-it Ky mund të jetë një shpjegim se përse Gruvski i pari në anketë?
Shpjegimi tjetër, do të ishte se njerëzit duan ëndrra të bukura. Gruevski u është dukur se ua “gjeti” origjinën antike që i bënte të lumtur. Pastaj përveçse ua zbuloi, edhe dinte t’ua mbrojë. Pastaj, për nacionalizëm që i deh shpirtrat, s’e ka shokun. Gjithë këto në dritën e manipulimeve të reja politike për gjoja shitjen e interesave kombëtare në raport me Bullgarinë. S’kanë faj ata që e kanë votuar Gruevskin. Ai arriti t’i bindë me ëndrrallat që ua shiste se partia e tij nga një parti me sentiment pro-bullgar, çfarë e identifikonin në fillim, bëri salto mortale për t’u shitur si më anti-bullgarja. Unë kaq di, kaq mund të them rreth këtij fenomeni. Mund të ketë dhe shpjegime.
- Ta kuptosh kohën… Më shkrepi kjo frazë duke lexuar një seri shkrimesh të kolegut Shkëlzen Halimi kushtuar bëmave të dekadës së fundit të komunizmit. Ne që e kemi jetuar atë kohë, mund të dëshmojmë si ka qenë, por nga kjo distance përpjekja për të gjetur diçka logjike në atë, është një gjë e pamundur. Sepse, si t’u shpjegosh gjeneratave të sotme se ka qenë një Parti dhe ka qenë një ideologji që shpikte gjëra në emër të ndonjë qëllimi, edhe pse edhe atëherë edhe sot, ishin të palogjikshme. Fakti që në atë dekadë të fundit ishin vënë shqiptarët përpara “shënjestrës” ndoshta nuk është aq i palogjikshëm nga këndvështrimi i një interesi të lartë shtetëror, por mënyra se si luftohej atëherë, e bën atë farsë e tragjikomedi njëkohësisht. Sepse, mirë e ka që na kujton Shkëlzeni: si mund të luftohet nacionalizmi i dikujt duke shenjëstruar muret e oborreve? E para e farsës është si u bënë muret që janë ndërtuar me shekuj përnjëherë nacionalizëm. Dhe e dyta, si mund të pretendosh se do ta luftosh duke rrënuar ato! Po kjo ka ndodhur dhe dikush e ka shpikur si “metodë të duhur”. Njësoj ishte edhe ai kufizimi i lindjeve po për të njëjtin motiv. Askush nuk i shikonte parakushtet tjera të natalitetit, por mendjendrituri do t’i fekste ideja se lindjet janë me qëllim ekspanzioni! Ka një varg faktorësh tjerë shoqërorë, ekonomikë, fetarë që e determinojnë, e jo nacionalizmi. Por, Partisë i dukej se ashtu mund të luftohet… Po, prapë ka të drejtë Shkëlzeni që ua kujton gjeneratave të reja se si ka qenë. Sepse, kjo është edhe një copëz mozaiku e veprimit të regjimit.
Po si ka shkruar Tolstoi se çdo familje e varfër, dallohet sepse është e varfër në mënyrën e vet, edhe rasti i Maqedonisë është më absurdi. Sepse maja e vendimeve ishte Beogradi, ai Beogradi i Serbisë, por këto absurde që u cekën më sipër, nuk ndodhën në Kosovë ose Serbi ku do të ishte tehu më i mprehtë i betejës, por ndodhnin në Maqedoni. Servilizmi i komunistëve të atëhershëm ishte si të jesh më katolik se papa, dhe ta luftojë rrezikun që i kanosej Serbisë e jo Maqedonisë. Po ja…
Pastaj, ajo lufta e shtrigave, kërkimi i kurbaneve, sepse Partia donte koka intelektualësh për të dëshmuar se sa dhe si e lufton të njëjtin (nacionalizëm). Lartë vendosej, poshtë zbatohej…Për ta kuptuar këtë nuk është aq lehtë, por metoda ishte sprovuar. Shkëlzeni përmendi në një shkrim pikërisht rastin e Librit të leximit të autorëve Adnan dhe Kimete Agai. Ishte vendosur Lartë që të gjendet ndonjë intelektual shqiptar nacionalist. Kur Atje ia venin syrin, duhej “të zbritet” poshtë në bazë për të bërë ekzekutimin. Ekzekutimi do të duhej të bëhej asisoj që të dukej si ishte dëshmi se (vetë) baza ka qenë e zellshme, e jo ka zbatuar urdhra nga Lartë. I tillë kishte qenë rasti i diferencimit të dyshes së autorëve të librit të përmendur, ku mëkatin e drejtpërdrejtë e bën një komision, në të cilin kanë qenë edhe shqiptarë. Sigurisht u është thënë “me ju ose pa ju, këto koka duhet të bien!”…Partia ka ditur si të veprojë, padyshim…Pas këtij shkrimi të kolegut Shkëlzen Halimi, pati disa keqkuptime, të cilat nuk morën ndonjë përmasë.
Por, s’shkuan shumë ditë, njëri prej autorëve të persekutuar të librit të përmendur ndërroi jetë dhe në nderim iu bë një akademi përkujtimore, ku morën pjesë edhe ish-kolegë të tij në kohën kur ai e kishte pësuar. M’u afrua një ish-profesor gjimnazi për të sqaruar pak se si ka ndodhur diferencimi i prof.Adnan Agait. Tashmë vetë atij i kishin thënë se ka ardhur urdhri nga lartë që “një kokë duhet të bie nga gjimnazi, dhe ajo kokë je ti”. Dhe ai pastaj, rrëfen ky kolegu i tij i atëhershëm, kishte shkuar nga njëri te tjetri, jo për ta mbrojtur, sepse e kishte ditur se askush nuk mund ta mbronte Poshtë, kur ata Lartë e donin kokën e tij. Donte t’i mbrojë kolegët e tij, që të mos bëhen edhe ata kurbanduke e mbrojtur. Po si? Profesor Adnan Agai kishte shkuar kabinet më kabinet duke i lutur kolegët e tij të votojnë për përjashtimin e tij!!!..Kjo episode, për të kuptuar kohën. Në shkollën e Rashçes ato vite ishte shkruar një monografi ku ishin përmendur “tumat ilire”. Kjo mjaftonte që dikush nga Lartë t’i marrë në shënjestër autorët dhe t’i shpallte nacionalistë…Hajt merr vesh. Partia e njeh shkencën më mirë se hulumtuesit shkencorë…
- Pas përfundimit të Festivalit të TVSH-së më ka mbetur dilema se çfarë pa juria te kënga e Elsa Lilës që ia ndau vendin e parë?! Unë nga piskama e Elsës nuk mora vesh as një varg të lidhur, e për muzikë, mund të flasë ndonjë i muzikës…Dëshpëruese do të ishte nëse juria ia ka dhënë vendin e parë për ta pastruar imazhin pas aferës me drogën në Itali. Të them të drejtën, nuk jam fort i sigurt në lirimin nga akuzat, sepse ajo që patën dalë bisedat e saj telefonike, dukej bukur bindshëm involvimi në ato shema… Ishalla e kam gabim. Për fat, publiku nuk e çoi Elsën në Eurosong, por një këngë vërtet origjinale që mund të kalojë shumë më mirë se po të shkonte Elsa. S’besoj se do të kishte dashamir të muzikës në Evropë që do ta vlerësonte piskëllimin e “Evitës”… Albina Kelmendi me familjen e saj vërtet sollën një këngë origjinale dhe të përshtatshme për festival. Mendoj se mund të shkojë gjer në finale dhe të zë një vend nga kreu.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)