Regjistrimi si test!

54

Më shumë se sa mbajtja e shifrës me çdo kusht mbi 20 për qind, diskutimet dhe vizionet duhen ndërtuar se si të thyhet kjo barrierë shifrash që vjen sot nga aktet ligjore. Progresi duhet të jetë tek kjo pjesë, ku e gjithë politika për ta hequr këtë barrë, vetes por dhe të ardhmes, duhet të dalë para situatave dhe të thotë, s’ka më rëndësi përqindja…

Nga Nazim RASHIDI

Përbërja etnike në Ballkan përherë ka qenë e lidhur me të drejtat e individit. Pa hyrë shumë në histori, por veç kujtoni konfliktet dhe sidomos viktimat në vitet ’90 të shekullit të kaluar ku gjithçka lidhet me etninë, çështje ka qenë dominanca e një etnie ndaj tjetrës. Në Maqedoninë e Veriut për shkak të kontekstit të fuqishëm të numrave prej gati 20 vjetësh ka “frikë” për një numërim të popullsisë, sepse përqindjet etnike të popullsisë mund të sjellin tensione të reja. Marrëveshja e Ohrit që përfundoi konfliktin në vitin 2001, parasheh një sërë të drejtash, që do të duhej të arrinin barazinë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por këto të drejta nuk ia atribuon direkt shqiptarëve por i përshkruan si grupi etnik “mbi 20 për qind”.

Për shumë kjo ishte “zgjidhje”që të kënaqet lëndimin maqedonas e disi të “fshihte” de fakto tashmë të drejtat për shqiptarët, por pa i përmendur ato. Sërish pa hyrë shumë në histori, por tashmë kur jemi në vitin 30 të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe në vitin 20 të Marrëveshjes së Ohrit, pasi viti 2021 do të shënojë këto data, çështja është a mund të thyhen logjika etnike, sidomos ato të dominancës së njërës etni ndaj tjetrës, për hir të një zhvillimi të ri? Testi serioz do jetë regjistrimi i popullsisë, që paralajmërohet se do të zhvillohet në prill të vitit që vjen. Pa hyrë në detajet e mënyrës se si do të realizohet regjistrimi i popullsisë, kam përshtypjen që do të merren hapa që ai të jetë i besueshëm nga të gjitha palët. Por pyetja është, a është i gatshëm vendi të pranojë rezultatet ashtu siç do jenë?

Nga “blloku” maqedonas i politikës sugjerohet me të madhe se të drejtat e fituara nuk mund të kthehen mbrapsht. Por kjo disi duket se përgatit opinionin se shqiptarët mund të jenë edhe më pak se 20 për qind. Politika shqiptare, e të gjitha anëve, thotë se parametrat aktual, nga një sërë institucionesh nuk sugjerojnë një gjë të tillë. Kjo qetëson opinionin shqiptar. Por për mua çështja është, a mund të thyhet kjo logjikë e numrave që mund të marrë peng vendin? Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, në një intervistë për Televizionin Telma sugjeroi që partitë politike të nënshkruajnë deklaratë se nuk do të kthejnë mbrapsht të drejtat pavarësisht përqindjeve të etnive. Por realisht një gjë e tillë a duhet të mbetet vetëm në deklarata?

E para pa dyshim që është një moment progresi, që politika tenton të ç’tensionojë momentin etnik për operacionin statistikor, që është i nevojshëm jo vetëm për përqindjen etnike të popullsisë. Kjo s’ka se si mos shihet si një vetëdijesim se prezenca shqiptare është një realitet i fortë dhe jo vetëm aq, por edhe se po etablohet në shoqëri edhe më fuqishëm. Kjo reflektohet edhe me faktin se për gazetën “Koha” lideri i opozitës Mickovski, thotë se do të pranojë të hiqej përshkrimin “mbi 20 për qind” për gjuhën shqipe. Që do të nënkuptojë se në akte normative do të thuhet direkt, pra direkt, se gjuhë zyrtare në këtë vend është gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe! Edhe ky moment s’mund e të mos shihet si një pranim i një realiteti. Politika e di por dhe opinioni se prapa tabelave të institucioneve që drejtojnë, që nga Kryeministri apo dhe Presidenti emërtimet e institucioneve janë të shkruara edhe në shqip, edhe pse në ligje është gjuha e komunitetit “mbi 20 për qind”.

Por nëse i kthehem idesë së Presidentit, dhe duke e marrë shembull pikërisht gjuhën, a do mjaftojë deklarata, nëse ta zëmë shqiptarët dalin nën 20 për qind? A do vazhdojnë tabelat e institucioneve në një rast të tillë të mbesin në dy gjuhë, mbi bazën e të drejtës së fituar që nuk kthehet prapa, apo do ndodhë që ndonjë zyrtar, qoftë edhe një, ta heqë duke iu referuar ligjeve që thonë se veç nëse je “mbi 20 për qind” përfiton të drejta? Pa dashur të jem pesimist, por në hovin e politikave populiste, asnjëherë nuk mund të parashikohet se s’do ketë politikanë që do shkelin deklaratat e paraardhësve të tyre. Çështja është si duhet vepruar që ky progres i shfaqur tani, të reflektojë edhe në të ardhmen?

E para, blloku maqedonas nuk duhet të shprehë frikë apo dyshime, (në disa raste shprehet edhe panik) nëse kërkohen qoftë edhe ndryshime ligjore ose kushtetuese, për ato të drejta që parashihen me termin “mbi 20 për qind”. Nëse ka vullnet, i cili po shfaqet në intervista nga partitë kryesore maqedonase dhe presidenti, ky vullnet s’do ketë asgjë të keqe të derdhet edhe në ligje. Vetëm kështu fjalët do shndërrohen në vepra e realisht opinioni e sidomos ai shqiptar, do e shohë se realitetet etnike po pranohen tashmë pa dyshime në vend. Nëse pranohet e nuk është tabu prezenca shqiptare në institucionet më të larta (veç president dhe kryeministër s’ka pasur shqiptar deri më tani) atëherë shndërrimi i vendit në një zonë të çliruar nga etnia mund të ishte një hap drejt të ardhmes. Por kjo vetëm nëse garancat vinë nga ligjet e ku të parashikohen pa diskutim edhe tjerët, jo vetëm dy etnitë dominante.

Por çështja është se kjo veç me deklarata, sado progresive dhe të nënshkruara, nuk bëhet. E dyta, shqiptarët vetë duhet të fillojnë edhe ta mendojnë se mund edhe mos të jenë mbi 20 për qind. S’do duhet të duken se me çdo kusht duan ta mbajnë këtë shifër. Ja le të jenë 19 për qind, çdo ndodhë? Lëvizjet e mëdha, apo më mirë thënë ikjet e vazhdueshme që kanë ndodhur, një ditë mund të sjellin edhe zvogëlimin e numrit të popullsisë. Ka ndodhur edhe në Shqipëri edhe në Kosovë kjo. Por si duhet reaguar në një rast të tillë? Më shumë se sa mbajtja e shifrës me çdo kusht mbi 20 për qind, diskutimet dhe vizionet duhen ndërtuar se si të thyhet kjo barrierë shifrash që vjen sot nga aktet ligjore.

Progresi duhet të jetë tek kjo pjesë, ku e gjithë politika për ta hequr këtë barrë, vetes por dhe të ardhmes, duhet të dalë para situatave dhe të thotë, s’ka më rëndësi përqindja. Çështja e të drejtave për herë ka qenë problem nëse vendosej në pozita, ku njëri duhet të lejojë tjetrin diçka. Është koha që nga historia e shkurtër të kemi mësuar tashmë, se liritë dhe të drejtat burojnë natyrshëm për të gjithë, e ato duhet të pranohen nga të gjithë si të tilla, pa dominancë. Shteti të akomodojë këto të drejta. Shteti i të gjithëve. Kjo logjikë pastaj zhvesh tensionin e shifrave. Maqedonia e Veriut duhet të pranohet më me lehtësi, se është vend i të gjithëve, ku të gjithë kanë veçoritë e tyre e shprehen në gjuhët e tyre. Të gjithë thonë se kjo është pasuri. Ashtu është. Ky reflektim sigurisht që bëhet duke pasur këtë mendësi, duke e shprehur atë, duke e thënë, por edhe duke e shkruar. Me ligje, që mos ketë dyshime!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)