Modeli i Regjistrimit i paralajmëruar nga Enti Statistikor shtron dilema të shumta lidhur me përkatësinë etnike që i takojnë një etnikumi tjetër, por që flasin gjuhën maqedonishte. Me këtë, thonë ekspertë, synohet që më shumë se 215 mijë qytetarë jomaqedonas, por që flasin maqedonisht, të përvetësohen si popullatë maqedonase dhe me këtë, të ulet dukshëm numri i popullsisë shqiptare
Zejnulla VESELI
Shkup, 20 nëntor – Unë jam shqiptarë, ndërsa në familjen time komunikojmë në maqedonisht, por ky fakt nuk mund të më detyrojë të heq dorë nga përkatësia etnike. Shqiptar kam lindur dhe shqiptar do të vdes, pavarësisht se nuk e flas gjuhën time amtare. Kështu shprehet Xhabir Deralla, kryetari i Qendrës për Liri “Civil”, pas paralajmërimeve se Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni i paralajmëruar të të realizohet në vitin 2020, planifikohet të ketë një kombinim metodash: do të shfrytëzohen të dhënat në terren, ato në regjistër dhe në këtë regjistrim nuk do të ketë numërim të popullsisë sipas përkatësisë etnike, por do të regjistrohen sipas gjuhës të cilën e flasin qytetarët, shkruan gazeta KOHA.
“Është budallallëku i radhës që mund të ndodhë pas shumë budallallëqeve që kanë ndodhur deri më sot në Maqedoni. Të mos ketë grafë për përkatësi etnike në formularin e Regjistrimit të popullsisë, është një absurd i radhës dhe assesi nuk guxon një Regjistrimi i këtillë të realizohet në Maqedoni. Vlerësojë se ky është një vendim i gabuar”, thotë për KOHA, Deralla. Në të gjitha Regjistrimet e popullsisë, si në ish-Jugosllavi dhe nga Pavarësia e Maqedonisë, thotë Derralla, në Regjistrime është deklaruar etniteti shqiptar dhe nuk ka logjikë që tani të mos ketë grafë për përkatësinë etnike. “Në të gjitha regjistrimet jam deklaruar se i përkasë etnikumit shqiptarë dhe mendoj se nuk është në rregull tani të ngritët çështja se, nëse fletë gjuhën shqipe – je shqiptarë. Ja që unë gjuhë komunikimi e kam maqedonishten, por kjo nuk mund të fsheh identitetit tim të vërtetë. Kushtu që, shqiptarë mund të jenë edhe ata që flasin gjuhë tjetër nga shqipja. Qëllimet megjithatë janë të mira. Por, sikur mos të shfrytëzohet ky fakt për uljen e numrit të shqiptarëve që janë qytetarë rezident në Maqedoni, gjithçka mirë do ishte. Në parim, mos figurimi grafës për përkatësi etnikë në formularin për Regjistrim të popullatë është një hap i gabuar”, thotë Xhabir Deralla, kryetar i Qendrës për Liri “Civil”.
Edhe Ljupço Zikov, pronar i magazinës javore “Kapital”, është i mendimit se fshirja e grafës për përkatësinë etnike në formularin e Regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 si qytetarë e ka vendosur në një akt të kryer dhe se është i detyruar të deklarohet për gjuhën që e flet e jo përkatësinë etnike vlleh që ai ka. “Besoj se në fund sërish në formularin e Regjistrimit do të mbetet grafa për përkatësinë etnike dhe ky Ligj s’ka mundësi të kalojë. Kemi të bëjmë më një kreativitet budallallëku të disa njerëzve që nuk ka idenë se çfarë flasin. Me siguri se njerëzit të cilët kanë funksione shtetërore mendojnë se atë çka thonë, duhet edhe patjetër ta pranojnë të tjerët. Thjeshtë, një budallai i duket si ide kreativiteti dhe del e thotë në opinion”, thotë për KOHA Zikov.
Akademiku Izet Zeqiri ndërkohë vlerëson se modeli i ri i Regjistrimit të popullsisë që proklamohet pa përcaktim etnik, por me përcaktim të gjuhës që flasin, natyrisht se do ti favorizojë maqedonasit, ngase mund të rrisin përqindjen me një numër të torbeshëve, ndoshta edhe të turqve, boshnjakëve, vllahëve e serbëve. “Këtu bisedohet për një popullatë prej 215.483 vetave në bazë të regjistrimit të vitit 2002, që nuk janë maqedonas e as shqiptarë, por etni tjera të cilët mundet të përvetësohen për rritjen e etnikumit që e flasin gjuhën maqedonase.
SI DO TË REGJISTROHEN PAKICAT QË FLASIN MAQEDONISHT?
Modelin e regjistrimit që parasheh Enti Statistikor i Maqedonisë (ESM) të paralajmëruar për në vitin 2020, shtron shumë dilema lidhur me përkatësinë etnike që i takojnë një etnikumi tjetër, por flasin gjuhën maqedonishte. “Në Maqedoni ka 77959 turq, të cilët deri tash kanë qenë të regjistruar sipas përkatësisë etnike. Me modelin e ri, si do regjistrohen 8595 turq në Shkup, 2597 në Dollnen, 2684 në Dibër, në Kërçovë 2430, në Mavrovë dhe Rostushë 2680, në Shtip 1272… Sipas Regjistrimit të fundit, në Maqedoni ka 53.879 rom edhe atë në qytetet si Shkupi me 23.475, Manastiri me 2613, në Dibër 1080, në Kërçovë 1630, Kumanova me 4256, Shtipi me 2159 rom…, të cilët duhet të paracaktohen për gjuhën që e flasin”, thotë Zeqiri dhe pyet se si do të regjistrohen vllehët, të cilët janë 9659 në Shkup, Manastir, Krushevë, Shtip… Apo si do të regjistrohen serbët, të cilët në Maqedoni janë 35.939 apo si do të regjistrohen 17.018 boshnjak?”, pyet akademik Izet Zeqiri.
Ndërkaq Abaz Islami, ekspert i demografisë, thotë se në mënyrë kategorikisht duhet të hidhet poshtë propozimi i drejtorit të ESHS-së që numërimi i popullatës të bëhet sipas gjuhës që falsin. “Të numërohemi sipas përbërjes etnik që ka Maqedonia. Në vitin 1994, me shtimin natyror 20 promila, në Maqedoni kanë jetuar 788.640 shqiptarë ose 35 për qind e popullsisë se përgjithshme të Maqedonisë. Sipas regjistrimit te vitit 2001-2002, në Maqedoni kanë jetuar 509.038 shqiptarë që nuk është aspak reale, pasi nga viti 1991 e deri në vitin 2002 me shtimin natyror prej 18 promilash, numri i shqiptarëve ka arrit në 802.296 shqiptarë ose 35 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni”, thotë Abaz Islami, ekspert i demografisë.
PARTITË SHQIPTARE KUNDËR
Megjithatë, përfaqësuesit e politikës shqiptare kundërshtojnë ashpër propozimin e drejtorit të Entit për Statistikë, që në pyetësorin e Regjistrimit të popullsisë të mos figurojë grafa e përkatësisë etnike dhe religjionit.
“Këto lloje tendenca fshehin brenda përbrenda vetes edhe qëllime tjera të cilat kanë për qëllim të godasin mbi balancimet etnike dhe mbi formën se si duhet organizuar dhe si duhet të funksionojë Maqedonia. Natyrisht që paralajmërimet që në grafën e regjistrimit do të ekzistojë vetëm gjuha ka për qëllim që në mënyrë artificiale të rritet numri i popullsisë e cila flet në gjuhën maqedonase në mënyrë që të fshihet realiteti demografik të cilën e ka Maqedonia”, deklaroi ditë më parë Ziadin Sela, kryetar i Aleancës Shqiptarët. Edhe deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli është kundër fshirjes së gafës për përkatësinë etnike në formularin e regjistrimit sepse kjo ide krijon shumë element dyshuese. “Shqiptarët e Maqedonisë tash duhet të heqin dorë nga elementi etnik a elementin etnik e kemi në kushtetutë, e kemi në ligjet pozitive të vendit”, thotë Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA. Edhe nga BDI-ja, partia në pushtet, shprehen se identiteti gjuhësor jo gjithmonë mbulon identitetin etnik.
“Jemi të vetëdijshëm se procesi i regjistrimit të popullsisë është gjithmonë paksa jo vetëm proces statistikor në Maqedoni por edhe proces politik për arsye të ndryshimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes paqësore të Ohrit e cila përcakton të drejtat e komuniteteve në Maqedoni me përqindje, përdorimi i gjuhës dhe përdorimi i flamujve të komuniteteve në këtë vend”, tha Artan Grubi. Edhe BESA e Afrim Gashit është kundër kësaj ideje të ESM-së për shkak se identiteti gjuhësor jo gjithmonë e mbulon edhe identitetin etnik. “Ka plot njerëz që për arsye të ndryshme flasin një ose disa gjuhë por kanë vetëm një përkatësi etnike. Prandaj, mendoj që identiteti gjuhësor jo gjithnjë e mbulon edhe atë etnik. Fjala bie në Amerikë, njerëzit flasin anglisht por nuk e mbajnë veten për anglezë”, thotë Orhan Mutezani, nga BESA e Afrim Gashit. (koha.mk)