VMRO-DPMNE pretendon se drafti i hartuar nuk do të pasqyrojë gjendjen reale apo numrin e përgjithshëm të popullatës, pasi sipas saj, propozimi parasheh përfshirjen në regjistrim edhe të diasporës. Nga LSDM-ja thonë se VMRO-DPMNE, përveç se përhap të pavërteta, nuk ka asnjë kredibilitet të flasë për regjistrimin, për shkak se 11 vjet derisa ishin në pushtet nuk arriti të organizojë Regjistrimin e Popullsisë
Destan JONUZI
Shkup, 27 korrik – Regjistrimi i Popullsisë me gjasë nuk do të mbahet as në prill të vitit 2020, por i njëjti do të shtyhet për në fillim të vitit 2021.
Kjo është kërkesë e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, e cila qëndrimin e vet e bazon në normat e Eurostat-it dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian (BE). Ndërkohë edhe Ligji për Regjistrim i cili ishte në procedurë parlamentare, u tërhoq pas kërcënimeve nga opozita se do të bëjë thirrje për bojkotimin e këtij procesi statistikor nëse pushteti, sipas saj, e përjashton nga miratimi një ligji në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe interesat kombëtare të vendit, shkruan gazeta KOHA.
Komisioni për çështje evropiane tërheqjen e propozim-ligjit e ka arsyetuar me pamundësinë, për të siguruar praninë në seancë të përfaqësuesve ndërkombëtarë. VMRO-DPMNE-ja pretendon se drafti i hartuar nuk do të pasqyrojë gjendjen reale apo numrin e përgjithshëm të popullatës, pasi sipas saj, propozimi parasheh përfshirjen në regjistrim edhe të diasporës.
DILEMA RRETH REGJISTRIMIT TË DIASPORËS
“Përmbajtja e zgjidhjes së hartuar ka shkaktuar jo pak konfuzion në opinion sa i përket për atë se çështjes së deklarimit të përkatësisë etnike dhe religjioze të qytetarëve në regjistrim, si dhe çështja se kush do të numërohet dhe a do të përfshijë procesi edhe ata që nuk jetojnë në Maqedoninë e Veriut apo që gjenden me punë përkohshme jashtë vendit. Regjistrimi do të realizohet atëherë kur shumica parlamentare do ti pranojë kërkesat tona, të cilat janë në pajtueshmëri me standardet e EUROSTAT dhe rekomandimet e BE-së. Presim që regjistrimi të fillojë të realizohet në vitin 2021, pasi që çdo operacion statistikor fillon në fillim të vitit. Për këtë qëllim grupet e punës të VMRO-DPMNE-së dhe pushtetit janë në komunikim të përhershëm dhe pritet të gjendet një zgjidhje. Por, kjo zgjidhje nënkupton edhe inkuadrimin e kërkesave të VMRO-DPMNE-së në ligj”, deklaroi për gazetën KOHA, Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së. Nga LSDM-ja thonë se VMRO-DPMNE, përveç se përhap të pavërteta, nuk ka asnjë kredibilitet të flasë për regjistrimin, për shkak se 11 vjet derisa ishin në pushtet nuk arriti të organizojë regjistrimin e popullsisë.
“Përgatitjet për organizimin e regjistrimit janë transparente dhe profesionale sipas standardeve ndërkombëtare me përfshirjen edhe të Eurostat-it. Kërcënimet e VMRO-DPMNE-ja janë tregues se në partinë opozitare asgjë nuk është ndryshuar, por se fjalën kryesore ende e ka Nikolla Gruevski”, thonë nga LSDM-ja.
MËRGIMTARËT, ME RUBRIKË TË VEÇANTË
Propozim-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë parasheh që regjistrimi të përfshijë edhe personat që jetojnë me punë të përkohshme jashtë vendit, shumica e të cilëve besohet të jenë shqiptar, por ata do të përfshihen në një listë apo rubrikë të veçantë të fletës së regjistrimit. Regjistrimi gjithashtu parashihet të mos mund të certifikohet apo të mos jetë i vlefshëm nëse nuk përmban dy firmat e drejtuesve të Entit të Statistikës, të drejtorit dhe zv/drejtorit (shqiptar).
“Regjistrimi do të përfshijë edhe karakteristikat etnike, kulturore dhe fetare të qytetarëve. Së dyti njerëzit tanë që jetojnë jashtë shtetit, do të regjistrohen vetëm me një deklaratë të familjarëve të tyre, duke iu prezantuar numri amë, me çka dëshmojnë se janë shtetas së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksojnë nga BDI-ja. Nga atje thonë se ligji do të kalojë në Parlament, por pa precizuar se kur do të mbahet i njëjti. Nga Lëvizja BESA opozitare thonë se moskoordinimi me të gjitha forcat politike në vend ka detyruar propozuesin e ligjit, Qeverinë që të njëjtin ta tërheq nga procedura parlamentare. “Me siguri që propozuesi i ligjit – qeveria e ka vërejtur gabimin që lëshoi ligjin pa u konsultuar me gjithë faktorët politik dhe mund të themi lirisht se vërejtjet të cilat ne i publikuam mbi ligjin dhe procesin në përgjithësi janë të argumentuara dhe të drejta”, deklaroi për gazetën KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.
Nga ASH-ja e Ziadin Selës thonë se sipas dinamikës që po ndiqet për këtë Ligj, i njëjti vështirë që të hyjë në procedurë parlamentare para tetorit. “Parlamenti tashmë do të jetë në pushim, ndërsa ligji do të jetë vetëm se objekt diskutim i grupeve të punës të LSDM-së dhe VMRO-së. Kështu që paralajmërimet edhe nga VMRO-ja por edhe nga drejtori i Entit të statistikës se regjistrimi do të mbahet në vitin fillim vitit 2021 duke u thirrur në standardet e Eurostat-it flasin se ato vetëm se janë pajtuar që ky proces të shtyhet”, thonë nga ASH-ja.
Përndryshe, regjistrimi i popullsisë është paraparë të mbahet vitin e ardhshëm nga data 1 deri 20 prill, ndërsa paraprakisht në qershor u realizua një regjistrim pilot në dhjetë komuna, për të parë nëse zgjidhja e hartuar është e realizueshme. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është mbajtur në vitin 2002 dhe në vazhdimësi ka nxitur debate mes dy etnive më të madha, shqiptarëve të cilët pretendojnë të jenë në numër më të lartë se 25 për qind, dhe maqedonasve, të cilët pretendojnë se numri i shqiptarëve është më i ulët se ai zyrtar prej 22.17 për qind. (koha.mk)